PD-ja e Bashës: Ka nisur era e ndryshimit, Berisha para drejtësisë

Edhe pse Lulzim Basha nuk ka folur, anëtari i kryesisë së PD-së së vulës, Besart Logu, ka reaguar për arrestimin e Jamarbër Malltezit dhe masën detyrim paraqitje ndaj Sali Berishës. Ai thotë se ka nisur era e ndryshimit.

“Zyrtarisht në diktaturë”, thotë Foltorja. Po çfarë diktature more, se nuk të jep diktatori për tre muaj me rradhë çdo sallë të pallatit të kulturës apo kinoklub në Shqipëri pa pagesë vetëm që të rritesh politikisht. Nuk të shpërblen diktatori me kullë 65 kate, më të larten në Ballkan. Nuk të arreston diktatori pas dhjetë vitesh në pushtet, por sapo e merr atë. Diktatori nuk të mban në lojë por të nxjerr nga loja, madje duke shkelur rregullat që të japë mesazhin se jam unë që i vendos ato.

Kështu që, po, jemi zyrtarisht në diktaturë! Jemi në diktaturën e ligjit e me diktator SPAK-un, organi që u krijua dhe ka mbështetjen e SHBA-BE! Dhe të tillë diktaturë e mirëpret çdo qytetar që me zor e mbyll muajin. E mirëpret çdo shqiptar që ka ikur dhe të tjerë që po mendojnë ikjen për shkak të politikës së mbrapshtë. E mbështet kushdo që nuk ka llogari të hapura me drejtësinë. Janë pro kësaj diktature miliona shqiptarë që duan ndryshimin dhe mbylljen e epokës së tranzicionit. Prandaj, kjo lloj diktature është më e bukura në historinë e njerëzimit sepse është diktatura që i kundërvihet pushtetarëve dhe jo qytetarëve.

Sundimin e ligjit dhe kulturën e ndëshkueshmërisë nuk e duan vetëm tre persona; Berisha-Meta-Rama, bashkë bandat që i shkojnë nga pas. Për fat të mirë, janë shumë pak në raport me shqiptarët e ndershëm që i neverisin këto tre modele. Praktikisht ka nisur era e ndryshimit dhe jam shpresëplotë se buzëqeshja do na rikthehet”,-shkruan Logu.

SHKARKO APP