Sali Berisha, vizitë ngushëllimi në famijen Avdia: Ky akt kriminal bëhet vetëm nga xhelatë të qeverisë

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka shkuar këtë paradite në familjen Avdia, e cila humbi tragjikisht vogëlushen Jonada Avdia, pasi u përplas nga një skaf që drejtohej nga komisari Arjan Tase.

Shpreh ngushëllimet më të ndjera, të miat, të PD, erdha si qytetar për familjen e Jonadës, e cila humbi jetën në një krim horror dhe ka tronditur thellë çdo shqiptar, çdo njeri. Si ngjarje, si krim i shëmtuar duhet të ishe vetëm një individ si ai që e kreu, se kurrë nuk mund të ndodhte një akt i tillë. Një akt i tillë është jashtë përfytyrimit për një qytetar të thjeshtë. Në fakt ky akt u krye nga një njeri i qeverisë. Ky akt u krye me një mjet monstruos krimi, siç ishte skafi me 600 kuaj fuqi. Ky akt u krye në distancën më të afërt me rërën, në prani të qindra fëmijëve pushuesve të tjerë që pushonin aty. Në këtë aspekt komisari nuk është asgjë tjetër vetëm një xhelat. Krimi është një dëshmi e një shteti të mbushur me të tillë“, tha Berisha në një prononcim për mediat pas vizitës së tij në familjen Avdia.

Me tej ish-kryeministri vazhdoi duke thënë: “Ju i keni vetë rastet. Nuk është rasti për t’i numëruar këtu me radhë vdekjet në stacionet e policisë, vrasjet brenda stacioneve të policisë. Nuk është pra, rastësi që ky xhelat skafist nuk bëri asgjë tjetër, veçse imitoi ministrin e tij me skaf.

Edi Rama flet në mënyrën më të përçartur për vampirë politikë dhe mediatikë.  Po të hymë në fushën e vampirëve, vampiri dhe xhelati ishte ai që vrau fëmijën pranë babait të tij.

Ajo që e bën më të rëndë këtë dramë është se kryeministri i vendit, në vend që të shkarkojë ministrin e familjes, Çuçi, i vërsulet gazetarëve dhe politikanëve dhe i krahason ata me vampirë politikë. Pra, tregon se mban anën e vampirëve të vërtetë.

Unë shfrytëzoj rastin të shpreh edhe njëherë ngushëllimet më të ndjera kësaj familje fisnike, fisnikë të vërtetë dhe të dënoj me forcën më të madhe këtë akt barbar, të dënoj qëndrimin e papërgjegjshëm të Edi Ramës, ministrave të tij, të cilët konstatojnë apo shohin vampirë tek ata që ngrenë zërin për të dënuar një krim horror, i cili do të trondiste çdo vend të botës,” tha Berisha.

Kryetari demokrat, Sali Berisha, deklaroi se do jetë i pranishëm sot në protestën e qytetarëve kundër krimit horror në Himarë. Berisha tha se demokratë do jenë në protestë si qytetarë.

“Patjetër. Do jem në protestë si qytetar. Protesta është e qytetarëve. Demokratët do jenë në protestë si qytetarë”.

SHKARKO APP