Sanksionet, ambasadori rus: Shqipëria humbi shansin me ne

Ambasadori i Rusisë në Shqipëri, Aleksandër Karpushin, gjatë një interviste ekskluzive të dhënë për RTV Ora News, thekson se Shqipëria humbi një shans duke iu bashkuar sanksioneve të Bashkimit Evropian për shkëmbimet tregtare.
Ai thotë se Rusia ishte e detyruar të shtrinte kundërmasat e saj në bazë të reciprocitetit edhe ndaj Shqipërisë, duke nënvizuar se për këtë fakt, importi i produkteve shqiptare është ndaluar. Për pasojë, thekson ambasadori, Shqipëria i mohoi vetes një mundësi për t’u futu pa konkurrencë të madhe në tregun rus.
Duke folur për situatën në arenën ndërkombëtare, përfaqësuesi i Moskës në Tiranë ka fajësuar Uashingtonin për situatën e krijuar në Siri, duke thënë se në përshkallëzimin e krizës kanë ndikuar politikat e ShBA, që sipas tij janë të gabuara.
Sa i përket marrëdhënieve me NATO-n, Karpushin nënvizoi se Rusia e sheh me shqetësim rritjen e prezencës ushtarake të Perëndimit pranë kufijve të saj, ndërkohë që u shpreh se Aleanca ishte tërhequr nga dialogu me qeverinë ruse në mënyrë të njëanshme.
Në tërësi, ambasadori rus në Tiranë, gjykon se nëse NATO dhe Shtetet e Bashkuara nuk do të marrin në konsideratë interesat e Rusisë, atëherë çdo përpjekje për dialog do të jetë e kotë.
Karpushin është pyetur edhe në lidhje me pavarësinë e Kosovës, ndërsa ka theksuar se qëndrimi i Moskës vijon të mbetet i pandryshuar, në mbështetje të rezolutës 12-44 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Intervista e plotë:

 -Zoti ambasador, javët e fundit kemi ndjekur një ftohje të marrëdhënieve Rusi-ShBA në arenën ndërkombëtare, ndikuar sidomos edhe nga pezullimi i negociatave që kishin për qëllim gjetjen e një zgjidhjeje për konfliktin në Siri? A mendoni se ky tension që ka ekzistuar gjithmonë mund të përshkallëzohet edhe më tej?

Karpushin: Në fakt ftohja e marrëdhënieve ruso-amerikane ka filluar shumë kohë më përpara përshkallëzimit të krizës së Sirisë dhe madje përpara shpërthimit të luftës civile në Ukrainë. Ne jemi të bindur që ky proces ftohjeje ka filluar jo për fajin tonë. Në një nga intervistat e fundit, Ministri ynë i jashtëm Sergei Lavrov u shpreh se aktualisht raportet tona me Shtetet e Bashkuara në të vërtet janë më të tensionuara se sa në kohën e luftës së ftohtë. Shkaku kryesor i kësaj situate të krijuar sipas ministrit tonë të jashtëm Lavrov është fakti se amerikanët po e përdorin rusofobinë si një parim bazë të politikës së tyre ndaj Rusisë. Kjo politikë është shoqëruar gjithashtu edhe me disa hapa agresivë që kanë impakt të drejtpërdrejtë në interesat kombëtare të Rusisë dhe vënë në rrezik sigurinë e vendit tonë.

Dhe këta këta hapa jo-miqësorë përfshijnë shtrirjen e NATO-s dhe të infrastrukturës së tyre ushtarake drejt kufijve të Rusisë, tërheqjen e njëanshme të ShBA-ve nga traktati sovjetiko-amerikan i vitit 1972 mbi shkurtimin e sistemeve anti-raketë dhe në të njëjtën kohë, instalimin nga amerikanët të një mburojë anti-raketë në Evropën lindore. Nuk mund të lëmë pa përmendur edhe vendosjen nga perëndimi të sanksioneve të paligjshme kundër Rusisë, përfshirë këtu edhe Krimenë. Sa i përket ftohjes së re të muajve të fundit, shkaku i saj është i njohur, dhe është mosdashja ose paaftësia e Shteteve të Bashkuara për të zhvilluar një dialog të hapur dhe të sinqertë për zgjidhjen e krizës në Siri.

Siç dihet, koalicioni i udhëhequr nga ShBA ishte i pari që e shkeli marrëveshjen e armëpushimit të vendosur sipas marrëveshjes ruso-amerikane të 9 shtatorit. Ata e shkelën akordin vetëm tre ditë pas shpalljes së armëpushimit, duke sulmuar forcat qeveritare siriane në Deir al-Zour. Më pas, Uashingtoni u përpoq të justifikohej duke deklaruar se sulmi u bë gabimisht. Gjëja më interesante është se fill pas këtij sulmi të gabuar që zgjati meqë ra fjala për afro një orë, Shteti Islamik u hodh në ofensivë kundër qytetit Deir Al Zour.

Pra, kemi të gjitha arsyet të besojmë se partnerët tanë amerikanë kujdesen për disa grupe terroriste. Kjo konfirmohet edhe nga refuzimi i vendosur i ShBA-ve dhe i aletaëve të tyre për të ndarë opozitën e moderuar siriane dhe luftëtarët terroristë të frontit Al-Nusra. A mund të ketë rritje tensionesh në të ardhmen?! Ne nuk e dëshirojmë aspak një gjë të tillë. Në qasjen tonë, kjo mund të shmanget.

Për këtë dëshmojnë edhe kontaktet e vazhdueshme për Sirinë në nivele të ndryshme, si takimi i fundit i Presidentit Putin me kancelaren Merkel dhe Presidentin Hollande në Berlin, ministeriali i Lozanës më 15 tetor ku morën pjesë, Rusia, ShBA, Irani, Turqia dhe vendet e tjera që mund të ndikojnë në situatën në Siri. Dhe këtu duhet të vë në dukje se pala ruse bashkë me të gjithë pjesëmarrësit e tjerë të këtij ministeriali konfirmojnë angazhimin për ruajtjen e Sirisë si një shtet unik të pavarur dhe laik, për të ardhmen e të cilit duhet të vendosin vetë sirianët në kuadër të një dialogu gjithëpërfshirës politik. Dhe kjo qasje konstruktive e përbashkët ngjall optimizëm.

-Nga pala amerikane keni patur akuza të shumta për luftën në Siri, madje pak ditë më parë Uashingtoni kërkoi investigim për krime lufte. A keni një përgjigje në lidhje me këto akuza?
Karpushin: Të gjitha këto akuza për krime lufte dhe bombardime të qëllimshme të shkollave dhe spitaleve nga ushtria siriane dhe forcave ruse janë absolitisht të pabaza dhe duken absurd. Përse qeveria siriane do të bombardonte spitalet dhe shkollat në territoret e saj? Dhe kjo është në fakt për të qeshur, të dëgjosh këto spekulime nga ShBA-ja, ndërhyrja e së cilës në punë e brendshme të vendeve të tjera gjithmonë ka shkaktuar kaos dhe shkatërrim shtetesh. Mjafton këtu të kujtojmë Irakun dhe Libinë.

Vetëm para pak kohësh parlamentarët britanikë e cilësuan si të gabuar vendimin e Kryeministrit britanik Tony Blaid për angazhimin e ushtrisë në operacionin e Iraku, ndërsa vetë Presidenti Obama e pranoi vetë se operacioni i ShBA-së në Libi ishte një nga gabimet e tij më të rënda. Së fundmi, amerikanët i bombarduan gjoja gabimisht trupat siriane, pak më parë sulmuan një spital në Afganistan dhe kështu me radhë. Si rezultat i këtyre gabimeve në thonjëza, vetëm në Irak dhe Libi janë vrarë më shumë se një milion njerëz. Dhe deri më tani, askush nuk është përgjigjur për këto.

Mos janë këto krime lufte? Dhe le të mos harrojmë se ishte pikërisht Uashingtoni ai që e prishi zbatimin e marrëveshjeve ruso-amerikane, të 9 shtatorit, të arritura me shumë vështirësi, si rezultat i bisedimeve të zgjatura mes Ministrit Lavrov dhe Sekretarit Kerry. Dhe tani, politikanët amerikanë përgjegjës për këtë dështim nuk bëjnë gjë tjetër veçse përkeqësojnë situatën. Nuk besoj se mund t’a quajmë aksidental sulmin e Shteteve të Bashkuara ndaj ushtrisë siriane në Deir al-Zour. Nuk ka dyshim se ai ishte një sulm i mirëpërgatitur me qëllim mbytjen e çdo përpjekjeje për t’a zgjidhur krizën, me qëllim për të mbrojtur terroristët që janë përzier tani me opozitën e moderuar siriane.

ShBA ka patur mjaft kohë për të ndarë opizitën siriane me grupe të tjera ekstremiste, por në vend që të tërhiqeshin nga mbrojtja e ekstremistëve, amerikanët në mënyrë arrogante po na japin mësime duke na akuzuar dhe duke na kërcënuar. Dua të rikujtoj se Rusia, ndryshe nga ShBA dhe koalicioni i udhëhequr prej tyre, gjendet në Siri në mënyrë absolutisht të ligjshme, me kërkesë zyrtare dhe legjitime të këtij. Është shumë e qartë se deri sa Shba nuk do të plotësojë detyrimet e saj, situata në Siri nuk mund të normalizohet dhe nuk mund të ketë një luftë të efektshme ndaj organizatave terroriste. Shpresoj që këtë gjë ta kenë të qartë edhe amerikanët.


-Më lejoni t’ju citoj një deklaratë të Ministrit tuaj të jashtëm, Sergei Lavrov, i cili u shpreh se: ‘Në rast se Shtetet e Bashkuara sulmojnë ushtarakisht qeverinë siriane, ne do të jemi të detyruar të mbrojmë bazat tona në Siri.’ A mendoni se konflikti në Lindjen e Mesme ka potencialin që të shkaktojë një përplasje të drejtpërdrejtë mes Rusisë dhe ShBA-së?

Karpushin: Po të flasim për këtë deklaratë konkrete të Ministrit Lavrov, ajo duket shumë e logjikshme. Ne me të vërtetë do të jemi të detyruar të mbrojmë bazat tona në Siri dhe ushtarakët tanë që ndodhen aty. Pra do të sillemi njësoj si do të vepronte çdo shtet tjetër sovran në një situatë të tillë. Por kjo nuk është zgjedhja jonë. Që nga fillimi i konfliktit sirian, u kemi propozuar ShBA-ve vetëm bashkëpënim. Kemi gjithashtu shembuj pozitiv të këtij bashkëpunimi si operacioni për asgjësimin e armëve kimike.

Gjithashtu, nuk duhet të harrojmë se terrorizmi mbetet një e keqe globale që duhet të luftojmë me forca të përbashkëta. Për sa i përket mundësisë së një përplasjeje të drejtpërdrejtë midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara sigurisht që askush nuk do të donte aspak që të ndodhte një gjë e tillë. Besoj se kjo nuk do të ndodhë kurrë në rast se të gjitha palët do të angazhohen për të shmangur këtë skenar.

Për sa kohë që ShBA do të sillet me arrogancë, pra duke përdorur shpesh herë gjuhën e ultimatumeve dhe sanksioneve, situata në rajon do të përshkallëzohet. Unë sinqerisht nuk e kuptoj se çfarë e shtyn koalicionin amerikan të flirtojë më frontin Al-Nusra. Siç dihet, vetëm para pak kohësh ky grup terrorist ishte pjesë e Al-Kaedës, organizatë që ka kryer shumë sulme të tmerrshme në Shtetet e Bashkuara, Britani, Spanjë dhe shumë e shumë vende të tjera. Sipas ekspertëve tanë ushtarakë, Uashingtoni asnjëherë nuk ka ushtruar presion real mbi Al-Nusran. Përkundrazi, ata e mbulojnë gjithmonë duke përdorur si mburojë grupe të ndryshme opozitare dhe besoj se kjo situatë meriton një analizë shumë të thellë.

-Ndërkohë, Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry, ka deklaruar më herët se ‘Rusia dhe ShBA-ja nuk kanë më hapsira për të negociuar dhe se Uashingtoni do të përpiqet të gjejë rrugë alternative për t’i dhënë fund konfliktit’. A ndihet e kërcënuar Moska nga këto deklarata?

Karpushin: Është në fakt shumë e çuditshme të dëgjosh për hapësira të pamjaftueshme për negociata nga ata të cilët në fillim të muajit tetor u tërhoqën vetë, në mënyrë të njëanshme nga dialogu ruso-amerikan për krizën siriane. Nuk besoj se duhet t’a marrim deklaratën e John Kerryt si një kërcënim. Është më tepër një përpjekje e Uashingtonit për të zhvendosur vëmendjen nga shkelja e marrëveshjes së 9 shtatorit që bënë Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, Rusia ka marrë edhe kërcënime të mirëfillta, të cilat janë artikuluar nga zëdhënësi i departamentit të Shtetit, John Kirby.

Ai u shpreh se ushtarët rusë do të kthehen në shtëpi në thasët e kufomave, ndërsa Rusia do të vijojë të humbasë burimet e saj. Sipas tyre, terroristët do të zgjerojnë operacionet e tyre për të sulmuar interesat ruse dhe ndoshta edhe qytetet e Rusisë. Ky është sinqeritet i paparë. Në opinionin e ministrisë së mbrojtjes ruse, ky është pranimi i faktit se e ashtuquajtura ‘opozita siriane’, është internacionalja e terrorizmit ndërkombëtar dhe që kontrollohet nga Shtetet e Bashkuara.

Në përgjithësi po krijohet përshtypja se amerikanët po bëjnë gjithçka që Fronti al-Nusra të ndihet rehat dhe dyshimet e fundit u shuan ku koalicioni amerikan goditi ushtrinë siriane në Deir al-Zour, duke shkelur njëkohësisht edhe marrëveshjen për armëpushim me Federatën ruse. Më duhet të konstatoj me keqardhje se Uashingtoni vazhdon t’i shkatërrojë marëdhëniet ruso-amerikane. Me antë të propagandës ruso-fobe në mediat perëndimore situata është përshkallëzuar jashtë mase.

Në hapësirën mediatike po krijohet imazhi i Rusisë si një vend armik. Në deklaratën e tij të fundit të dhënë për mediat, zv. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Riabkov, u shpreh se qëndrimet e palës amerikane, për vendosjen e mundshme të sanksioneve të reja anti-ruse synojnë prishjen përfundimtare të raporteve Rusi-ShBA. Më lejoni t’ju jap një shembull, se si punojnë mediat perëndimore në këtë situatë. Është një fakt i njohur që ushtarakët rusë, organizojnë në Aleppo pika të shpërndarjes së ushqimeve dhe sendeve të nevojës së parë, ndërsa disa provinca të tjera po furnizohen me ndihma humanitare.

Megjithatë, në televizionet perëndimore nuk sheh dot pamje të tilla, dhe nuk duhet të harrojmë se tani për tani, ndihma humanitare në Siri shpërndahen vetëm nga ushtria ruse dhe nga strukturat e OKB-së. Megjithatë, pavarëisht kësaj situate, unë nuk besoj se nuk ka më hapësira për të negociuar. Kontaktet në nivele të larta Rusi-ShBA po vazhdojnë, gjë që konfirmohet edhe nga takimi i Lozanës. Gjithashtu vetëm pak ditë më parë, me kërkesë të palës amerikane, u zhvillua biseda e 60-të për këtë vit midis Ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov dhe Sekretarit Kerry për situatën në Siri.

Siç dihet po bëhen përpjekje për të zbatuar iniciativën e të deleguarit special të OKB-së Stafan De Mistura, për largimin e luftëtarëve nga Alepo. Bombardimet janë ndërprerë përkohësisht dhe janë hapur tetë korridore humanitare, nga të cilat 2 për terroristët dhe gjashtë për qytetarët. Duhet të theksoj se kjo politikë nuk ka patur suksese të prekshme pasi këtë proces po e pengojnë terroristët e Al-Nusras të cilët qëllojnë me armë këto korridore, ndalojnë qytetarët dhe në shumë raste i përdorin edhe si mburoja njerëzore.

-Ku e sheh Rusia Presidentin Assad, në rast se prezumojmë që vendi do të kalojë në një proces të ri politik? Mendoni se ai duhet të largohet apo të qëndrojë, pasi në deklaratat zyrtare të Moskës, ai cilësohet si i vetmi lider legjitim i vendit.

Karpushin: Së pari, nuk kemi asnjë arsye që t’a konsiderojmë Presidentin Bashar al-Assad si jo-legjitim. Dhe së dyti, nuk do t’a mbështesim kurrë idenë e ndryshimit të dhunshëm të pushtetit në Siri. Ndërhyrja e ShBA dhe e aleteve të tyre në Irak, vrasja e Muamar Gadafit si dhe përvoja e hidhur e pranverës arabe kanë treguar qartë se si përfundojnë aventurat e tilla.

Përfundojnë me kaos, shkatërrim shtetesh dhe ngritjen e grupeve terroriste. Rusia është e bindur se Siria ka nevojë për linçimin e një procesi të brendshëm politik, me qëllim që vetë populli siran të vendosë për fatin e vendit si dhe për udhëheqjen e tij të ardhshme. Kjo është një rrugë demokratike për zgjidhjen e situatës dhe është shumë e çuditshme që disa vendeve, kjo rrugë nuk u shkon për shtat.

-Pas dy vitesh marrëdhëniesh të ngrira me NATO, për shkak të konfliktit në Krime, përfaqësues nga Rusia dhe Aleanca e Atlantikut të Veriut zhvilluan disa takime, të cilat nuk është se prodhuan ndonjë rezultat konkret. Gjithashtu, është vënë re një rritje e prezencës ushtarake të të dyja palvë në kufinjtë e Rusisë me vendet e ish-Bashkimit Sovjetik. Sipas Moskës, cila është zgjidhja e duhur për uljen e tensioneve?

Karpushin: Lidhur me dialogun tonë me NATO-n, është e rëndësishme të kuptojmë se ngrirja e marrëdhënieve ngrirja e marrëdhënieve që ju përmendët ndodhi si rezultat i vendimit të njëanshëm të Aleancës pas shpërthimit të krizës së Ukrainës për të ndërprerë të gjitha kontaktet me Moskën përfshirë edhe ato të Këshillit Rusi-NATO. Mbledhjet e Këshillit, të zhvilluara sivjet në muajt prill dhe korrik pas një shkëputjeje të gjatë nuk sollën asnjë rezultat të prekshëm për arsye të thjeshtë se përfaqësuesit e NATO-s dolën absolutisht të papërgatitur për një bisedë të hapur dhe konkrete rreth rrugëzgjidhjeve të mundshme të situatës së krijuar në bazë të respektit të interesave të ndërsjella.

Mendoj që problem qëndron tek fakti se interesat kombëtare të Rusisë janë për NATO-n një kategori jo-ekzistente, prandaj NATO as që nuk do të dëgjojë për respekt të ndërsjellët, për fat të keq. Edhe çështja e rritjes së prezencës ushtarake në kufijtë e Rusisë gjithashtu kërkon një qasje objektive. Është paradoksale që veprimet tona, të cilat po i ndërmarrim në territorin tonë mediat perëndimore po i paraqesin si agresion dhe përgatitje për luftë duke ju referuar instalimit të raketave Iskander në rajonin e Kalaningradit, pra në vendin tonë.

Dua të them, po flasim për territorin e Rusisë, dhe jo Turqinë apo Gjermaninë, ku Shtetet e Bashkuara kanë instaluar sistemet e tyre të armëve bërthamore. Mediat perëndimore anashkalojnë një fakt shumë të rëndësishëm; veprimet e Rusisë nuk janë gjë tjetër veçse kundërmasa të detyruara ndaj hapave jo-miqësorë të perëndimit i cili u tërhoq vetë nga dialogu si dhe krijoi mitin e kërcënimit rus, ndërkohë që tani po e përdor si pretekst për rritjen e prezencës ushtarake në vendet Baltike dhe Poloni. Besoj se gjëja më e çuditshme do të ishte nëse Rusia do ta duronte në heshtje këtë situatë.

Në këndvështrimin tim aktualisht, ulja e tensioneve në marrëdhëniet Rusi-Perëndim është më shumë në duart e NATO-s. Pra, varet se sa e gatshme do të jetë Aleanca për të nisur një dialog të barabartë në bazë të respektit reciprok me vendin tonë. Dhe udhëheqja e Rusisë, përfshirë Presidentin Putin apo ministrin e jashtëm Lavrov, në mënyrë të përsëritur e kanë bërë të qartë se nuk do ta tolerojnë kurrë diktatin apo shpërfilljen e interesave tona kombëtare. Në rast të kundërt, të çdo bisedë tjetër do të jetë thjesht e padobishme.

-Flasim tani për Ballkanin. Rusia vijon ende të mos e njohë pavarësinë e Kosovës. Mendoni se ky qëndrim mund të ndryshojë në të ardhmen?

Karpushin: Qëndrimi i Rusisë mbi Kosovën në fakt vijon të mbetet i pandryshuar dhe i përmbahemi rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, por më duhet të theksoj që qëndrimin tonë e mbështesin edhe dhjetëra shtete të tjera si Greqia, Rumania, Spanja, Kina, Argjentina, Brazili, Izraeli, etj. Të gjitha këto vende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, por me të gjitha këto vende Shqipëria mban marrëdhënie normale dhe miqësore përfshirë këtu edhe në fushën ekonomiko-tregtare. Me fjalë të tjera, vetë udhëheqja shqiptare e demonstron se qëndrimi i një vendi apo i një tjetri nga çështjes së Kosovës nuk është faktor përcaktues në ndërtimin e marëdhënieve dypalëshe, prandaj besoj se edhe qëndrimi i Rusisë për çështjen e Kosovës nuk do të pengojë në një farë mënyrë zhvillimin e raporteve Rusi-Shqipëri.

-Në çfarë niveli janë marrëdhëniet e Rusisë me Shqipërinë? Çfarë mund të theksoni nga puna e ambasadës suaj në Tiranë?

Karpushin: Po të flasim në tërësi, mund t’iu siguroj se marrëdhëniet Rusi-Shqipëri po zhvillohet në mënyrë normale. Në fazën aktuale, me hapa më të sigurt po ecën bashkëpunimi ynë humanitar. Po vijojmë shkëmbime aktive kulturore. Çdo vit nga 30 deri në 40 maturantë shqiptarë marrin falas bursa studimi për në universitet ruse. Megjithatë, lidhjet tona ekonomiko-tregtare mbeten shumë mbrapa. Siç ju e dini Shqipëria iu bashkua sanksioneve të jashtëligjshme anti-ruse të Bashkimit Evropian dhe si pasojë Rusia ishte e detyruar të shtrinte edhe në Shqipëri kundërmasat e saj të miratuara në bazë të reciprocitetit.

Si rezultat i kësaj situate, për fat të keq importi i produkteve shqiptare në Rusi u ndalua. Kësisoj i mohoi vetes një mundësi shumë të mirë për t’u futur pa konkurrencë të madhe në tregun rus. Por, mbetemi shumë të interesuar, për të intensifikuar shkëmbimet tona ekonomike me vendin tuaj dhe këtu shpresat më të mëdha i kemi tek sesioni i ardhshëm i komisioni ndërqeveritar Shqipëri-Rusi që duhet zhvilluar në Tiranë, ku në fund është caktuar edhe bashkëkryetari i këtij komisioni për palën shqiptare dhe në kuadër të sesionit të ardhshëm planifikojmë të zhvillojmë edhe një forum biznesi. Në këtë takim do të jenë të ftuar biznesmenë rusë që janë të interesuar të investojnë ose të bashkëpunojnë me Shqipërinë.

-Për ta mbyllur do të doja komentin tuaj për një deklaratë të liderët të tetë dhe të fundit të Bashkimit Sovjetik, Mikhail Gorbaçov, i cili u shpreh se ‘me ftohjen e marrëdhënieve Rusi-ShBA, bota ka mbërritur sërish në një pikë kritike’. Cila mendoni ju se është kjo pikë kritike? Si e gjykoni këtë deklaratë të Gorbaçov, mendoni se ai ka të drejtë?

Karpushin: Mendoj se deklarata e ish-Presidentit sovjetik, Gorbaçov, është e ngjashme në një farë mënyrë me intervistën e fundit të ministrit Lavrov për televizionin rus ku u shpreh se ngjarjet e viteve të fundit, rezultuan në një kthesë rrënjësore në marrëdhëniet Rusi-ShBA. Ministri theksoi se Moska për një kohë shumë të gjatë është sjellë me durim strategjik kundrejt veprimeve të Uashingtonit dhe këtu bëhet fjalë edhe për sanksionet e paligjshme si dhe akuzat e pabaza për të ashtuquajturën aneksim të dhunshëm të Krimesë, agresionin kundër Ukrainës, rrëzimin e avionit malajzjan dhe kështu me radhë. Në këtë kontekst duhet përmendur edhe vendosmëria e ShBA-së me çdo kosto dhe këtu përfshihet kostoja e luftës me Rusinë për të mos lejuar çlirimin e Alepos dhe asgjësimin e terroristëve të fshehur në këtë qytet. Njëkohësisht, Rusia vijon të marrë kërcënime të shumta.

Kështu, shefi i shtabit të forcave të armatosura tokësore amerikane, Mark Milne, bëri një deklaratë për pashmangshmërinë dhe madje domosdoshmërinë e një lufte me Rusinë. Ndërsa, zv/Presidenti amerikan Joe Biden, paralajmëroi për sulme kibernetike kundër Rusisë që po përgatiten tani nga CIA me porosi të shtëpisë së Bardhë. Këto janë plane shumë shqetësuese, pasi në rast realizimi, këto sulme rrezikojnë të shkaktojnë dëme të konsiderueshme.

E gjitha kjo solli edhe deklaratën e ministrit Lavrov se ariut rus ju sos durimi dhe tani është i gatshëm të ndërmarrë hapa të vendosur deri tek mbrojtja ushtarake e së drejtës së tij sovrane për të ndjekur një politikë të jashtme të pavarur. Pra, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara me të vërtetë ndodhen në një pikë kthese nga e cila marrëdhëniet tona në çdo sekondë mund të shkojnë drejt paqes ose mund të degjenerojnë në një konflikt, por duke e mbyllur këtë intervistë me optimizëm, dua të them se kryesorja është që kemi një rrugë shpëtimi, e cila është pikërisht lufta e përbashkët kundër terrorizmit, kësaj të keqeje globale.

[youtube url=”https://www.youtube.com/watch?v=2vNXnI2Tm8Q&feature=em-uploademail” width=”560″ height=”315″]

SHKARKO APP