SHBA dhe BE do të jenë të dielën në Dibër për të monitoruar zgjedhjet
Zgjedhjet e së dielës që do të mbahen këtë të dielë në Bashkinë e Dibrës do të zhvillohen nën monitorimin e rreptë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian. Për këtë arsye ambasadat e SHBA-së dhe ajo e BE-së kanë vendosur që të përfaqësohen në procesin e monitorimit me vëzhguesit tyre. Kështu, ambasada e SHBA-së i kërkon KQZ-së që të pranojë kërkesat e saj për akreditim për dy vëzhgues afatshkurtër të cilët do të shoqërohen edhe nga dy përkthyes. Ndërsa ambasada e BE-së i kërkon institucionit më të lartë zgjedhor në vend që të pranojë kërkesën e saj për akreditimin e pesë vëzhguesve afatshkurtër, që do të monitorojnë zgjedhjet e pjesshme në Dibër.
Kërkesat e paraqitura respektojnë afatin kohor të përcaktuar në pikën 8 të vendimit nr.74, datë 08.08.2016, “Për miratimin e disa afateve proceduriale që lidhen me zgjedhjet e pjesshme për kryetarin e Bashkisë Dibër, që do të zhvillohen në datë 11.09.2016”. Dhe për këtë arsye Ambasada Amerikane thekson se ka vëzhguar proceset zgjedhore në Shqipëri dhe si e tillë është e interesuar për të vëzhguar zgjedhjet e pjesshme për kryetar në Bashkinë e Dibrës të datës 11 Shtator 2016. Përveç dy ambasadave kryesore në Tiranë, kërkesë për akreditimin e vëzhguesve të saj ka paraqitur edhe ambasada e Suedisë, e cila do të përfaqësohet me një zyrtar të saj.
Nisur nga këto kërkesa, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, bën me dije se do të mblidhet mesditën e së premtes, ku zhvillon mbledhjen me këtë rend dite:
Projekt-vendim: “Miratimi i vëzhguesve afatshkurtër dhe përkthyesve nga Ambasada Amerikane, për zgjedhjet e pjesshme për kryetar në Bashkinë e Dibrës, të datës 11 Shtator 2016.
Projekt-vendim: “Miratimi i vëzhguesve afatshkurtër nga Bashkimi Evropian, për zgjedhjet e pjesshme për kryetar në Bashkinë e Dibrës të datës 11 Shtator 2016”.
Projekt-vendim: “Miratimi i vëzhguesve afatshkurtër nga Ambasada e Suedisë, për zgjedhjet e pjesshme për kryetar në Bashkinë e Dibrës, të datës 11 Shtator 2016”.
KOHA JONË SONDAZH

