Stinë dorëheqjesh dhe shkarkimesh në SHBA
Nga radio gjermane DW/
Presidenti i SHBA ka të drejtë që të ketë ministër të Mbrojtjes, atë që mbron në të njejtën linjë me të, shkruan sekretari i Mbrojtjes James Mattis në letrën e tij të dorëheqjes.
Paralajmërim i padëgjuar për “gabimet serioze strategjike”
Mattis dhe Trump ndodheshin në një udhëkryq për një sërë çështjesh dhe presidenti vazhdonte të mos i merrte për bazë këshillat e sekretarit të tij të Mbrojtjes. Kështu ministri i Mbrojtjes kishte paralajmëruar se tërheqja e parakohshme e trupave amerikane nga Siria do të ishte një “gabim serioz strategjik”. Edhe ministri i Jashtëm Mike Pompeo dhe këshilltari i Sigurisë John Bolton gjithashtu e kanë këshilluar presidentin kundër këtij vendimi . Megjithatë, Trump njoftoi tërheqjen e plotë të ushtarëve amerikanë nga vendi i luftës civile. Por si në SHBA edhe ndër aleatët në luftën kundër Shtetit Islamik (IS) nuk ka mirëkuptim për këtë hap. Siç njoftoi “New York Times”, Mattis u përpoq më kot t’ia ndryshojë mendjen presidentit Trump dhe si rrjedhojë më pas ai njoftoi tërheqjen e tij. Megjithatë, presidenti u përpoq që të shmangte përshtypjen se ka mosmarrëveshje mes tyre. Ai njoftoi për largimin e Mattis vetëm disa minuta përpara letrës së dorëheqjes. Ai deklaroi, se gjatë detyrës së tij janë bërë përparime të mëdha, si edhe në drejtim të armatimit të ushtrisë. Trump shkruan në twitter, se Mattis ka kontribuar shumë për t’i nxitur shtetet aleate dhe vendet e tjera që të kontribuojnë në angazhimet ushtarake. “Falënderoj shumë Jimin për shërbimin e tij!”. Një pasardhës i tij do të emërohet së shpejti.
Së pari Siria, pastaj Afganistani?
Menjëherë pas dorëheqjes së sekretarit të Mbrojtjes u përhap lajmi për një tërheqjeje “të rëndësishme” të trupave nga Afganistani. Me sa duket, më shumë se gjysma e 14.000 ushtarëve amerikanë do të tërhiqen. Presidenti i SHBA e ka planifikuar prej shumë kohësh tërheqjen e trupave nga Afganistani, por tha ai, vazhdimisht sekretari i Mbrojtjes e ka bindur për të rritur numrin e ushtarëve atje. Tani që Mattis jep dorëheqje, Trump sigurisht që po realizon kursin e tij origjinal. Udhheqësit demokratë e përshkruajnë largimin e Mattis si një kthesë, pasi ai ishte një zë i arsyes në administratën Trump. Ka edhe shqetësime që dëgjohen nga radhët e republikanëve. Senatori republikan Marco Rubio, për shembull, e sheh letrën e Mattisit si dëshmi, se SHBA është në një kurs të rrezikshëm në politikën e jashtme. Ai shpreson që Trump mund të bindet për të marrë një drejtim tjetër.
Sunduesi i vetëm në Shtëpinë e Bardhë
Që kur Trump qeverisë në Shtëpinë e Bardhë, ka pasur dhjetra ndryshime të personelit, duke përfshirë disa në kabinetin e tij. Ndër më të bujshme ishin shkarkimi i ministrit të Jashtëm Rex Tillerson në mars të këtij viti. Vetëm në javët e fundit ka pasur disa ndryshime: Së pari, Trump i kërkoi ministrit të tij të Drejtësisë Jeff Sessions të japë dorëheqjen, më pas ai njoftoi shkëputjen e Shefit të Shtabit John Kelly si dhe të ministrit të Brendshëm Ryan Zinke. Ish-punonjës të Shtëpisë së Bardhë kanë paraqitur në raportet e brendëshme rrethana kaotike./DW/
Brett McGurk jep dorëheqjen
I dërguari i posaçëm amerikan në koalicionin global që lufton Shtetin Islamik, Brett McGurk, ka dhënë dorëheqjen në shenjë proteste ndaj vendimit të papritur të Presidentit Donald Trump për të tërhequr trupat amerikane nga Siria.
Departamenti i Shtetit tha në njoftimin e tij të shtunën, se dorëheqja e zotit McGurk do të hyjë në fuqi më 31 dhjetor.
Në një email drejtuar stafit të tij dhe që u pa nga Associated Press, McGurk shkruan: “Vendimi i fundit i presidentit erdhi si një tronditje dhe ishte një ndryshim i plotë i politikës. Ai i la partnerët tanë të koalicionit të hutuar dhe të konfuzuar pa një plan apo konsideratë për pasojat”
Trump shkroi në Twitter përgjigjen e tij ndaj dorëheqjes duke thënë: “Brett McGurk, i cili nuk e di, është emëruar nga Presidenti Obama në vitin 2015. Ai duhej të largohej në shkurt, por sapo dha dorëheqjen para se të largohej. Mediat e rreme po bëjnë shumë zhurmë për këtë ngjarje që s’është asgjë! ”
McGurk bashkohet me Sekretarin e Mbrojtjes James Mattis si zyrtari më i fundit i sigurisë kombëtare me përvojë që do të largohet nga administrata Trump në javët e fundit.
Largimet e McGurk dhe Mattis erdhën pasi Trump deklaroi këtë javë se Shteti Islamik ishte mposhtur dhe se 2000 trupat amerikane në Siri do të ktheheshin në atdhe.

A mundet Presidenti Trump të shkarkojë kreun e Rezervës Federale?
Njoftimet se Presidenti amerikan Donald Trump ka filluar të diskutojë për shkarkimin e Kryetarit të Rezervës Federale, Jerome Powell, kanë krijuar shqetësim. Rezerva Federale rriti normat e interesit për të katërtën herë brenda këtij viti, për shkak të forcimit të ekonomisë së Shteteve të Bashkuara.
Njoftimet se Presidenti Trump ka pyetur nëse ai ka autoritetin për të shkarkuar zotin Powell kanë krijuar shqetësime tek anëtarët e Kongresit, ekonomistët dhe drejtuesit e bursës Wall Street, si dhe e shtynë Sekretarin e Thesarit Steven Munchin të trasmetojë në orët e vona të së shtunës një deklaratë të Presidentit përmes Twitter-it:
“ Kam folur me Presidentin dhe ai tha se ‘jam plotësisht jo dakort me politikën e bankës federale. Mendoj se rritja e normave të interesit dhe tkurrja e aksioneve të rezervës federale janë hapa të tmerrshëm në këtë kohë, në veçanti ndërsa po zhvillohen negociatat e tregtisë. Por, unë nuk sugjeruar kurrë shkarkimin e Kryetarit Powell dhe as nuk mendoj se e kam të drejtën ta shkarkoj’. ”
Rezerva Federale rriti normat e interesit për të katërtën herë brenda këtij viti, për shkak të forcimit të ekonomisë së Shteteve të Bashkuara.
“Ky është viti më i mirë që nga kriza financiare, me rritje mbi normalen”, deklaroi zoti Powell.
Këshilltarët e kanë paralajmëruar Presidentin Trump se shkarkimi i zotit Powell do të turbullonte më tej tregjet financiare. Megjithatë, njoftohet se ai e ka diskutuar çështjen disa herë gjatë ditëve të fundit.
Zoti Powell u emërua në këtë detyrë nga vetë Presidenti Trump. Kryetari i Rezervës Federale shërben në detyrë për një mandat 5-vjeçar, por praktika ka qenë që ka vazhduar në detyrë për sa kohë ka dëshiruar.
Ekspertët ligjorë thonë se nuk është e qartë nëse Presidenti ka autoritetin për të shkarkuar kreun e Rezervës Federale. Në ligjin përkatës thuhet se kryetari mund të shkarkohet vetëm me motivacion, i cili përgjithësisht ka të bëjë me një aktivitet kriminal ose shkelje të rënda./VOA/

KOHA JONË SONDAZH


