Shehi: Berisha foli “pas pilafit”, përgjegjësi për PD. Aleatët ikin nga grupi i PD nëse…

Flet për “Koha Jonë”, kreu i Partisë Lëvizja për Zhvillimin Kombëtar, Dashamir Shehi: Grupe rivale në PD kanë hapur betejë “morale”

Intervistoi: Redjon Shtylla

Dashamir Shehi ndan të njëjtin mendim me Sali Berishën për zhvillimet në opozitë, por ndryshe nga të tjerët kreu i LZHK-së e sheh ish-kryeministrin si bashkëfajtor për humbjen e PD. Ai thotë se Berisha ka përgjegjësinë e vet në vendimet e PD, pasi partinë e ka udhëhequr bashkë me Lulzim Bashën. Qëndrimet e mbajtura në intervistën e fundit nga Berisha i komenton me shprehjen “pas pilafit”. Në një intervistë për “Koha Jonë”, kreu i LZHK-së, flet hapur për debatin mbi krijimin e një grupi parlamentar, dhe për PD për të cilën shprehet se “ka shumë njerëz të rinj që nuk i njohim”. Shehi sqaron se në princip qëndron por mohon se do të jetë në grupin e propozuar nën siglën e PR-së. “Ne po u bëmë grup, do jemi të gjithë aleatët e PD-së, siç ka qenë edhe më parë, ose do qëndrojmë të pavarura ose tek grupi i PD-së”. Sa u takon kritikave të z.Berisha për kreun Basha, Shehi nënvizon se Berisha ka qenë violina e parë brenda grupit të vjetër parlamentar, ku vendimet e rëndësishme janë marrë edhe me të.

Rrezikon përçarjen PD-ja, kur aleatët kërkojnë të krijojnë një grup parlamentar, disa ditë pas nisjes së legjislaturës së 9-të? Ju ka ardhur një propozim për tu bërë pjesë e këtij grupi, siç përflitet kjo nën siglën e PR-së?

Ne propozojmë që nuk duhet të jetë një grup i PR-së, por i të gjithëve partive që ishin aleatë me PD që kur hynë bashkë në zgjedhje. Kjo është folur në princip, ku si grup i përbashkët qëndron por që unë si kryetar i Partisë Lëvizja për Zhvillim, apo i PBDNJ-së si dhe i Demokristianëve do të hyjmë në grupin republikan, kjo nuk qëndron, nuk është e drejtë dhe nuk do e pranoj. Ne i kemi kërkuar z.Basha që të plotësojmë një grup që është i partive opozitare, aleatë siç ishim përpara zgjedhjeve. Në këtë formë, partitë ruajnë identitetin e vetë, ku gjithsecili vazhdon kontributin në frontin opozitar se për tu bërë republikan, unë bëhet demokrat më mirë, ça kuptimi ka kjo ku as unë dhe as kolegët e mi nuk e pranojmë këtë. Ne po u bëmë grup, do jemi të gjithë aleatët e PD-së, siç ka qenë edhe më parë, ose do qëndrojmë të pavarur ose tek grupi i PD-së.

Çfarë ndodhi në seancën kur u votua z.Ruçi? Pati dhe debat të gjatë ardhur edhe nga dy vota nga PD-ja që votuan pro. Për ju, ishte një blerje e deputetëve nga Rama apo manipulim i komisionit?

Këto dy variante janë të mundshme, por që në të dyja rastet përgjegjësia bie mbi z.Basha, mbi PD-në sepse kur u tha se u manipulua, pse nuk kishin njerëz në komisionin e numërimit, ku hynë në votim por pa numërues, kur LSI-ja e cila nuk votoi por kishte numërues. Jemi në një regjim paradoksi. E dyta nëse ka pasur një variant të blerjes, sigurisht që nuk hera e parë, kjo ndodh pasi ka njerëz që kanë interesa, por kjo është një çështje që duhet zgjidhur në PD-në. E them këtë sepse ka shumë njerëz të rinjë që nuk i njohim, e dyta sepse ka edhe njerëz me interesa, me biznese, me punë të cilët nuk kanë interes tek Ruçi, se ai nuk doli të blejë vota, se nuk ka interes se 91 apo 71 vota e votuan, pasi PS-ja i kishte. Por për mua ka një variant që është më bindës, ku grupe rivale aty brenda në PD kanë dashur të komprometojnë njëri-tjetrin që në fillim, duke hapur një betejë “morale”. Si do të jetë varianti, gjykoj se ishte një gabim por kemi 4 vite kohë, e mjaftueshme për ti parë opozitarët, të vërtetët, ata që bërtasin kot, apo edhe ata që e marrin me seriozitet që merren prej vitesh me politikë.

Si e keni lexuar kritikat e ish-kreut të PD-së, z.Berisha ndaj z.Basha?  Në atë që këshilltarët e tij i cilësoi “mizerabël”, mbi listat e deputetëve që i cilësoi si ekskluzivitet i Bashës por dhe për marrëveshjen e 18 majit ku fitues doli Rama?

Basha në katër vitet e shkuara, nuk është se ka qeverisur vetëm, por ka bashkëqeverisur me PD-në dhe z.Berisha. Unë e dëgjova z.Berisha, dhe janë kritika që qëndrojnë, por që nuk pashë një sens autokritike te Berisha, se pjesë e kësaj përgjegjësie është edhe e tij pasi gjatë gjithë këtyre viteve, Berisha ka qenë violina e parë brenda grupit të vjetër parlamentar, ku vendimet e rëndësishme janë marrë edhe me të, duke nisur nga bojkotet, çadra, jo çadra, marrëveshja që na ofroi Europa, por që e refuzoi Basha bashkë me Berishën. Po të kishte pranuar atë marrëveshje përpara zgjedhjeve, besoj se do kishim hyrë në zgjedhje me një situatë tjetër. Jam dakord me ato që thotë Berisha, por i ka thënë në kohën siç thotë populli “pas pilafit”, është vonë dhe gjykoj që përgjegjësia nuk është vetëm e Bashës por edhe e Berishës.

A besoni se Basha mund ti kthehet rrugës së opozitës pa kompromis ndaj kundërshtarit?

z.Basha ka kohë të mjaftueshme por vetëm dy vite, deri në zgjedhjet lokale për të treguar kapacitetin që uroj ta ketë dhe besoj se e ka për ti bashkuar të gjithë faktorët opozitarë. Po i bashkoi, në radhë të parë qytetarët që nuk janë të kënaqur me këtë qeverisje, do të jetë i suksesshëm e nëse mendon se lufta e tij është që të kontrollojë thjesht PD-në dhe grupin parlamentar, është e pamjaftueshme për tu rikthyer në pushtet.

Nëse kritikët e Bashës, krijojnë një forcë të re, a rrezikon PD-ja një përçarje nga e cila mund ta çojë drejt një humnere?

Edhe nëse krijohet një forcë e re politike, ku të bashkohet brenda trupës opozitare, nuk shoh ndonjë dramë në këtë mes por e shoh si pjesë të revolucionit politik. Do sygjeroj se kjo është në dorën e Bashës, ku sa hapësirë do jap që nuk do të jetë e nevojshme krijimi i një force politike, por këta njerëz që nuk i pëlqejnë Bashës, të kenë mundësi të jenë pjesë e PD-së, e trupit opozitar por kjo varet pjesërisht nga Basha pasi këtu ka raste përtej dëshirës për bashkëpunim, ka interesa, egoizëm. Edhe nëse krijohet nuk e shoh si dramë të madhe sepse mund të krijojnë edhe parti të reja. Çdo gjë që krijohet pro qendrës së djathtë dhe kundër kësaj qeverie, unë në princip e konsideroj kontribut për demokracinë. PD duhet të japi hapësirën që të mos jemi në një situatë të komplikuar, që skema të jetë e thjeshtë.

 Si duhet ta nis PD-ja punën si opozitë? Cilat janë prioritet dhe si duhet aksioni i PD-së i aleatëve të sajë por edhe i opozitës në tërësi?

Ndryshimet kushtetuese që të lejojë një demokraci të drejtpërdrejtë, një përfaqësim i popullit drejt organeve shtetëzove dhe një ligj i ri elektoral, që të jetë më i thjeshtë, i drejtpërdrejtë dhe të garantojë votën qytetare. Këto janë dy instrumentet e mëdha politike, që opozita duhet të bëjë presion deri në fund. Me këto instrumente, mund të zgjerohet fronti opozitar, ku do jetë më i qëndrueshëm dhe i hapur për forca që janë përtej Bashën dhe PD-së.

Përtej kritikave dhe roleve, duhet të ketë PD-ja një bashkëpunim me maxhorancën për një kod zgjedhor?

Shpresoj të ketë. Nëse kjo maxhorancë nuk do të dojë, apo nuk do të detyrohet nga presionet shqiptare, e të huajve, ndryshimet do të jenë të pamundura. Kam besimin se ne do ti përdorim të gjitha armët për të mbërritur tek një kod i ri, që fatkeqësisht edhe në legjislaturën tjetër edhe PD-ja nuk pati presionin e nevojshëm, u gënjye që ky kod i interesonte PD-së, por që koha tregoi të kundërtën. Nëse ne do shkojmë në zgjedhje me këtë kod, do jetë vrasje e opozitës.

Si i keni parë tkurrjen e kabinetit qeveritar, më pak ministra në qeverinë “Rama 2”. Si e shihni këtë rrugë e cila bëri bashkë disa ministri dhe shkriu disa të tjera? Çfarë efektet duhet të presin shqiptarët nga këto lëvizje?

Ndryshim nuk ka, kryeministër dhe ministra janë po ata, 90% prej tyre mbyllën zgjedhjet dhe kjo është pak a shumë një tallje. Rama e ka përqendruar më shumë pushtetin, dhe merret me 10 prej ministrave nga të cilët 5 kanë pushtet real dhe 5 janë “kot”. Me ata të 5 do mbyll punët. Qytetarët do vuajnë edhe një vit sa të mbarojnë riorganizimet qeveritare, 1 vit shqiptarët nuk do të marrin qoftë edhe një letër nga ky shtet sepse nën maskën e riorganizimit të shtetit, do të fitohet edhe një vit kohë. Shqipëria po shkon drejt një absolutizmi personal, drejt qeverisës nga një i vetëm. Rama e ka ekzagjeruar më shumë se Berisha, ka shkuar përtej tij dhe qytetarët duhet të bëhen gati për një pushetet autoritar abuzues. Ky do ti “rrahë shqiptarët dhe nuk do qajnë”. Këtë do të arrijë Shqipëria me këtë sundim pasi kjo nuk do jetë qeverisje por sundim i z.Rama, ku në vend që të sundojë ligji do sundojë një person i vetëm dhe sinjalet i ka dhënë. Ka ngritur organizata bazë për qeverisjen me qytetarët si në kohën e Enver Hoxhës, të njëjtën gjë do bëjë edhe Rama, me disa instrumente duke nisur nga zyrat rajonale, por është fallco.

SHKARKO APP