Shehi: Mandatet e deputetëve janë individuale, jo të Bashës
Flet për “Koha Jonë”, kryetari i LZHK-së, Dashamir Shehi: Ndërkombëtarët të jenë më të hapur. Reforma nuk bëhet në fshehtësi
Intervistoi: Redjon Shtylla
Reforma në drejtësi ka elektrizuar arenën politike, e cila është në fazën e fundit, në atë të miratimit të draftit në Kuvend. Opozita nuk ka dhënë dakordësinë e saj për draftin dhe dyshimet se votat e disa deputetëve demokrat për t’i dhënë kartonin jeshil reformës, nuk ka krijuar vetëm një debat mes palëve, por edhe ndaj aleatëve. Kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi si aleat opozitar, qëndrimin e tij e ka dhënë pro vendimit të opozitës. Në një intervistë për “Koha Jonë”, Shehi gjithsesi qëndrimin e kreut Basha për djegie mandatesh nëse ka trafikim të votës, e cilëson si një zgjedhje aspak politike sepse mandatet janë individuale dhe gjithsesi mban përgjegjësitë e veta. “Basha mund të kishte bërë një zgjedhje më politike në deklarimet e veta sepse në fund të fundit mandatet janë individuale dhe gjithsesi mban përgjegjësitë e veta, para votuesit, para historisë dhe nuk është se deputetët përgjigjen përpara kreut. Për mua është një ekzagjerim”,- është shprehur Shehi. Thirrja e tij është për konsensus, si e vetmja formulë.
Në seancën e së enjtes u zbulua se drafti i panegociuar me opozitën do të jetë në kalendarin e Kuvendit, por dje në një deklaratë u mohua që të ketë kaluar drafti. Ndërkohë PD-ja është shprehur se nuk ka qenë lapsus. Ju si e gjykoni këtë situatë?
Unë e gjykoj që kjo është e parregullt politikisht, sepse pushohet hapësira e debatit e kompromisit. Unë them se këto tre javë do të shërbejnë për të arritur një kompromis, për një marrëveshje për t’u rinegociuar disa pika, qoftë se do të vijë drafti në Parlament, këtu kemi marrë rrugën e imponimit me votë, e këtu nuk ka më hapësirë për të negociuar, e hapësirë për kompromis. Në Parlament drafti mund të kalojë kurdoherë, nuk qëndron këtu problemi sepse ata i kanë shumicën e numrave, por kanë një shumicë të pamjaftueshme për të aprovuar një ligj me 2/3.
Lidhur me deklaratën bindëse të Kryeministrit, se do të jenë 94 deputetë që do votojnë me kartonin jeshil pro reformës. A mendoni se do të ketë tradhti e që një besë e qëndrimeve të liderit opozitar të sfidohen nga deputetë demokratë?
Nuk është aq e kollajshme për t’u gjetur, megjithatë, kjo është një histori individuale, e gjithë se kush do të mbajë përgjegjësitë personale. Unë nuk kam zbritur kurrë në intrigat politike, por unë them se kjo mënyrë e të aprovuarit me individë nga krahu tjetër do ta çmontojë moralin e reformës. Ne po shkojmë të bëjmë diçka që do të largojë një moral të keq në sistemin e drejtësisë dhe të rithemelojmë një reformë administrative, politike, por edhe një reformë morale. Unë e gjykoj që nuk është shumë morale, kur kalohet me vota të peshkuara nga krahu tjetër. Kjo mënyrë bie sepse reforma do të paragjykohet se është interes i disa grupeve e jo i të gjithëve.
Opozita ka kërcënuar që nëse ka trafik të votës, do të ketë djegie mandatesh. Pse kjo frikë e opozitës dhe mendoni se është një qëndrim i duhur?
Nuk të duket një qëndrim i matur dhe e shoh sikur PD-ja është në gjendje permanente dyshimi për njerëzit e vet, nga aleatët e kjo nuk i shërben klimës të bashkëpunimit. z.Basha mund të kishte bërë një zgjedhje më politike në deklarimet e veta sepse në fund të fundit mandatet janë individuale dhe gjithsesi mban përgjegjësitë e veta, para votuesit, para historisë dhe nuk është se deputetët përgjigjen përpara kreut Basha. Për mua është një ekzagjerim, por unë them se opozitës, moralisht i takon, i leverdis që të qëndrojë e bashkuar. Jemi në vitin e tretë të mandatit politik, kemi qëndruar bashkë në të gjitha betejat edhe kur shpeshherë nuk kanë qenë të rregullta apo jo shumë të diskutuara mirë. Besoj se interesi i gjithë opozitës të shkojë bashkë edhe në zgjedhjet që po afrojnë.
Z.Shehi ju keni vite pjesë aleate me PD-në, e ndërkohë e keni bërë të qartë qëndrimin tuaj pro vendimeve të grupit parlamentar opozitar, por ju përfaqësoni një parti e si pjesë e saj, e mendoni që duhet të votoni pro draftit?
Unë e kam deklaruar publikisht që përtej pozicionit tim që është i ndryshëm me PD dhe me z.Basha shpeshherë, unë i kam qëndruar korrekt pozicionit opozitar, gjithashtu në mënyrë koherente pozicionit tim si individ i së djathtës, e duhet të votojmë për solidaritet politik, edhe kur nuk jemi më dakord e kjo nuk është më çështje votash, por është e alternativës politike, që ka nevojë opozita, por dhe Shqipëria. Kjo është një reformë që i nevojitet Shqipërisë dhe duhet gjetur formula që të kalojë dhe unë them që janë shanset që të gjendet një kompromis. Ka ende dhe 5 javë që të mbyllet legjislatura dhe me një lloj tolerance, në radhë të parë nga shumica sepse që për të qenë tolerante i takojmë shumicave gjithmonë, pakicat janë në një territor për vetëmbrojtje, të mbrojnë veten sepse ndodhen në presionin e shumicës. I takon shumicës, të tregojë maturi e pjekuri, që ka ende një shtetformues për të krijuar një reformë, e cila nuk do të jetë për sot a nesër, por afatgjate. Dhe afatgjatësia e Reformës e garanton vetëm një formulë, të jetë serioze dhe me konsensus. Vetëm nëse është konsensuale ka mundësi të korrigjohet rrugës, e vetëm me këtë formulë, e cila është ilaçi i gjithë kësaj. Pa konsensus, reforma do të cungohet dhe kjo është arma që Reforma të bëhet afatgjate dhe e korrigjueshme. Nëse jo, ndryshimet politike mund të jenë shumë të afërta.
Para takimit Rama-Basha, palëve ju është paraqit një variant i ri nga ndërkombëtarët, ku kërkohej që secili të përshtaste pozicionet: “Qeveria e pranoi 100 për qind. Opozita këmbënguli te vendet e rezervuara”. A janë treguar të drejtë e të hapur ndërkombëtarët në të gjithë këtë proces?
Fatkeqësisht trupa e ndërkombëtarëve nuk e ka kuptuar që në Shqipëri funksionon me të tjera mjete, duhet të kishin qenë transparentë me të gjithë publikun shqiptar, që të kishin të gjithë informacion se si janë bërë propozimet, kush është fajtori apo jo edhe ky vendim e ky gjykim absolut javën e fundit, sigurisht që ka vënë në vështirësi të gjithë palët. Kjo reformë përtej defekteve në vetvete, ka dy të meta të mëdha. Së pari, që nuk u nis një Reformë Kushtetuese, por u bë vetëm për një aneks, por kaluan tre vjet dhe ja ku jemi sot, dhe ishte dashur një reformim kushtetues që të rregullonte më shumë çështje. E dyta është se ka lëvizur brenda një grupi shumë të vogël. Një komision me disa anëtarë nga PS e PD, asnjëherë nuk është kuptuar se ky do del dhe institucionet kanë qenë shumë të koklavitura. Sot e kësaj dite unë i jam i bindur që, po të pyesësh shqiptarët, ata nuk do të dinë ndonjë gjë për të mos thënë asgjë se çfarë është reforma, ku rezulton, defektet, kush janë të këqijat e reformës dhe kush të mirat. Këtu ka dominuar një ambient në heshtje dhe gati një triller e kjo e ka dobësuar reformën që shpesh herë ne njerëzit të politikës është e koklavitur e jo më për një qytetar të thjeshtë. Puna e ndërkombëtare është e madhe dhe duhen falënderuar për punën dhe impenjimin, por kush është se kanë treguar të drejtë e të hapur si me qytetarët, por dhe me politikën. E kanë bërë çështjen e mbyllur të takimeve me grupet e caktuara dhe në fakt është tradhtuar nga individë dhe nga grupe të caktuara, sepse kanë moderuar në një heshtje.
Si do ta cilësonit skandalin e përgjimeve dhe përfshirjen e institucioneve?
Institucionet duhet të qëndrojnë larg këtij skandali sepse konflikti që ka hapur ministri i Brendshëm me gjykatësit apo dhe me Kryeministrin është e gabuar. Një Kryeministër në kohë demokracie ka njëmijë mjete të tjera që t’i bëjë që qartë institucioneve pozicionin, opinion e mazhorancës. Ky konflikt po shkatërron shtetin e së drejtës dhe nuk jep garanci ligjore sepse nga ky presion nga dy njerëzit më të pushtetshmit, institucionet e gjyqësorit edhe në rastin kur e kanë gabim, por ka njëmijë formula të tjera për ta përcjellë opinion e saj maxhoranca dhe nuk është e nevojshme që të bëhen nëpërmjet deklaratave. Në politikë ka dhe një mënyrë tjetër për të zgjidhur tensionet e krijuara, sepse ka pasur apo jo përgjim, përgjegjësia bie gjithmonë në shpatullat e qeverisë dhe maxhoranca që kjo në politikë nuk sqarohet ta lënë peng dikë, që do të thotë a do të largohet ministri i Brendshëm apo një funksionar tjetër e për këtë Kryeministri duhet të marrë një vendim sepse nuk mund t’i mbrojë të gjithë, sepse do të mbetet dyshimi permanent për publikun shqiptar, se këta na përgjojnë, na dhunojë e drejtësia nuk vepron. Të huajti duhet të ketë kujdes në këtë punë sepse nuk mund t’i dalin haptazi një maxhorance në mbrojtje, duhet të ishte marrë një masë. Tensioni që është grumbulluar rreth kësaj teme, është përgjegjësi e Kryeministrit që të japë një zgjidhje politike e të lërë drejtësinë që edhe ajo të japë vendi e saj, qoftë një drejtësi e keqe një vendim të keq do të japë, por duhet ta pranojnë sepse jemi shtet që kemi me rregulla dhe ligje. Një qeveri që i bie murin me kokë sepse pretendon që thyen çdo mur, pas ca kohësh do të thyejë kokën e vet.
Lidhur me reformën zgjedhore, edhe kjo një tjetër sfidë e politikës, por që është lënë disi në heshtje. A duhet të ketë negocim për këtë reformë?
Unë e kam mbështetur idenë e opozitës që dy reformat të jenë së bashku, do të isha i gatshëm që z.Basha të bënte disa kompromise për reformën në drejtësi me qëllimin që t’i japë një shtysë reformës zgjedhore. Ky lançim i dy reformave është bërë me vonesë dhe mund të kishim rezultate. Votimi dhe numërimi elektronik, së paku për të rikthyer besimit te institucioni i votës, këtu ka rënë besimi te institucioni i votës dhe duhet të ndryshojmë rregullat e lojës. Propozimet bazë janë; komisionet zgjedhore të depolitizuara; procesi zgjedhor nën administrim gjyqësor; Komisionet larg arenën dhe menaxhimit politik; votim dhe numërim elektronik; votimi i emigrantëve në ato shteti që është e mundur; sistem proporcional, rajonal me korrektim kombëtar; lista kandidatësh të hapura; barazi në pasqyrimin mediatik dhe financim nga shteti i barabartë. Basha duhet të kuptojë që pa një ndryshim rruga e opozitës bëhet malore dhe ulen shanset për fitore dhe unë jam optimist që të dyja reformat do të mund të miratohet e që muajt qershor-korrik të jenë muaj për punë të plotë që ne si klasë politike të kalojë këto dy ligje.