Shehi: Reforma në drejtësi jo për të hequr “armiqtë” e ish-shumicës dhe për të vënë “miqtë” e shumicës

Kreu i LZHK-së kundër “destabilitetit të vendit”: Zgjedhjet e 18 qershorit duhet të jenë normale dhe të fitohen nga opozita

Nga Herion Mesi

Për deputetin e opozitës, Dashamir Shehi kërcënimi i përfaqësuesve të lartë të Partisë Demokratike për destabilizim të vendit në rast se preken zgjedhjet e 18 qershorit nga mazhoranca, është një thirrje e panevojshme, pasi siç thotë ai, vendi nuk ka më nevojë për destabilizim.

Në një intervistë për “Koha Jonë”, kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar shprehet se zgjedhjetduhet të zhvillohen normalisht, dhe se ai shpreson që ato të fitohen nga opozita.

“Unë gjykoj se nuk ka nevojë më për destabilizim, pasi zgjedhjet duhet të bëhen normale, dhe uroj që opozita të fitojë në këtë garë. Dhe këtu përfundon gjithçka, pasi nuk ka nevojë për komente të tjera, në të tilla përmasa”- shprehet Shehi.

Sa i përket koalicionit parazgjedhor të opozitës, kreu i LZHK-së thekson se ai nuk do të ketë ndryshime. Ndërsa lidhur me reformën zgjedhore dhe hartimin e një kodi elektoral të gjithëpranueshë, Shehi gjykon se koha është e mjaftueshme për të bërë një reformë cilësore, por gjithmonë nëse ekziston vullneti politik dhe dëshira e mirë për të bërë një gjë të tillë.

“Po pati dëshirë të mirë mes palëve, është plotësisht e mundshme, pasi këtu u ndryshua Kushtetuta brenda natës, jo më një ligj zgjedhor që ka mandat më shumë se 1 muaj për t’u realizuar ndërhyrjet. Dhe jo vetëm që bëhet, por bëhet një Kod shumë i mirë biles, pasi unë gjykoj që ka kohë me tepricë po pati vullnet politik, pasi ka dëshirë me pakicë, por kohë ka gjithmonë me shumicë. Kështu që mund të bëhen shumë gjëra të mira, nëse do duan palët”- shprehet Shehi.

Nga ana tjetër, deputeti i opozitës  gjykon se me vendimin e Gjykatës Kushtetuese tashmë rruga e reformimit të sistemit të drejtësisë në vend është hapur dhe shpreson që vetingu ti japë përgjigje shumë pikëpyetjeve që rëndojnë mbi vetë sistemin e drejtësisë.

“Ta fillojmë menjëherë këtë proces dhe të shikojmë çfarë efektesh pozitive do të ketë realisht ky proces”- shprehet Dashamir Shehi.

Por përtej pozitivitetit, Shehi gjykon se nuk është i mjaftueshëm një ligj për të ndryshuar gjërat, por siç thotë ai, duhet një atmosferë mirëbesimi, një raport reciprok mirëbesimi midis shumicës dhe pakicës.

“Pasi mirë që do i heqim këta “armiqtë” e gjyqësorit që janë etiketuar si të shumicës së vjetër, por mos të na vinë “miqtë” e shumicës së re. Ky është i gjithë problemi. Nuk do të ketë ndonjë ndryshim të madh, do ketë një ndryshim në fillim, pastaj do rinisë historia e vjetër”- shprehet kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi.

Zoti Shehi, ditët e fundit përfaqësues të Partisë Demokratike shprehen për destabilizim të vendit në rast se zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit do të manipulohen nga mazhoranca. Si i shikoni këto deklarata?

Unë gjykoj se nuk ka nevojë më për destabilizim, pasi zgjedhjet duhet të bëhen normale, dhe uroj që opozita të fitojë në këtë garë. Dhe këtu përfundon gjithçka, pasi nuk ka nevojë për komente të tjera, në të tilla përmasa.

Afatet e reformës zgjedhore, që normalisht janë tejkaluar, por nga ana tjetër Kuvendi vendosi që të shtyjë mandatin e komisionit të posaçëm parlamentar të ngarkuar për të bërë këtë reformë, realisht sa të mundshme janë ndryshimet thelbësore në Kodin Elektoral, në mënyrë që ai të zgjidhë dhe shqetësimet e ekspertëve të OSBE/ODIHR-it që janë të shprehura në rekomandimet e tyre?

Mendoj që gjithsesi, komisioni për reformën zgjedhore ka kohë për të realizuar të tilla ndryshime. Po pati dëshirë të mirë mes palëve, është plotësisht e mundshme, pasi këtu u ndryshua Kushtetuta brenda natës, jo më një ligj zgjedhor që ka mandat më shumë se 1 muaj për t’u realizuar ndërhyrjet. Dhe jo vetëm që bëhet, por bëhet një Kod shumë i mirë biles, pasi unë gjykoj që ka kohë me tepricë po pati vullnet politik, pasi ka dëshirë me pakicë, por kohë ka gjithmonë me shumicë. Kështu që mund të bëhen shumë gjëra të mira, nëse do duan palët.

Me zotin Basha i keni nisur bisedimet për koalicionin parazgjedhor?

Jo akoma, pasi është shumë herët. Bisedime zyrtare nuk kemi nisur, por besoj se koalicionit do të jetë kështu siç është aktualisht.

Keni paralajmëruar më parë, shmangien e protestave nga ana e opozitës, pasi nuk i keni vlerësuar si të domosdoshme për aksionin opozitar, dhe tashmë keni një tërheqje të PD-së nga nisma të tilla. Si e gjykoni këtë “tërheqje” apo zbutje të toneve nga opozita?

Është detyrë e opozitës ti bëjë edhe protestat, por në mënyrë të panevojshme dhe të parakohshme do të ishte një nismë e kotë. Pasi nuk bëhen protesta për Krishtlindje, apo për gjelin e detit. Kur të vijnë pranvera, dhe kur të shkrijnë akujt, atëherë është koha më e mirë për të protestuar.

Gjykata Kushtetuese sapo i hapi rrugë zbatimit të ligjit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve që njihet ndryshe si ligji për Vetingun, si e vlerësoni këtë nisjen e këtij procesi?

Unë them që është shumë mirë që ia arritëm kësaj dite, për të futur në filtër të gjithë përfaqësuesit e drejtësisë në vend, pasi një proces i tillë do i jepte përgjigje shumë pikëpyetjeve që rëndojnë mbi vetë sistemin e drejtësisë. Ta fillojmë menjëherë këtë proces dhe të shikojmë çfarë efektesh pozitive do të ketë realisht ky proces.

Sa besim keni që ky do të jetë një proces i rregullt? 

Unë besoj se diçka do të ndryshojë, por do jetë koha ajo që do të tregojë rezultatet. Pasi nuk mjafton një ligj për të ndryshuar, gjërat, por duhet diçka përtej ligjit për të ndryshuar: duhet një atmosferë mirëbesimi, një raport reciprok mirëbesimi midis shumicës dhe pakicës. Pasi mirë që do i heqim këta “armiqtë” e gjyqësorit që janë etiketuar si të shumicës së vjetër, por mos të na vinë “miqtë” e shumicës së re. Ky është i gjithë problemi. Nuk do të ketë ndonjë ndryshim të madh, do ketë një ndryshim në fillim, pastaj do rinisë historia e vjetër. Megjithëatë, mirë që u bë kjo reformë dhe le të shpresojmë tek rezultatet pozitive.

SHKARKO APP