Shehu: Proces verifikimi në grupin e PD-së. Nuk duhet të ketë të inkriminuar

Flet për “Koha Jonë”, ish-kryetari i PD-së, Tritan Shehu: Jo bojkot, por pjesëmarrje në zgjedhje për të fituar

Redjon Shtylla

Partia Demokratike nuk rresht së kërkuari që votimi dhe numërimi elektronik të jetë në zgjedhjet e ardhshme të 18 qershorit. Por sipas KQZ-së, OSBE-së dhe PS-së, në këto zgjedhje nuk mund të përmbushet kërkesa e PD-së. Për ish-Kryetarin e PD-së, Tritan Shehu, vota e qytetarit duhet t’i besohet teknologjisë. Në një intervistë për “Koha Jonë”, Shehu deklaron se: “PD-ja do të bëjë të gjitha përpjekjet e saj, që brenda një kuadri ligjor, të sensibilizojë opinionin shqiptar, ndërkombëtar, në Parlament, pikërisht për të arritur që në Shqipëri të vendoset ajo mënyrë votimi që garanton, lirinë dhe drejtësinë e votës”. E duke folur për debatet në grup për bojkot apo jo, Shehu pohon se:”Filozofia e PD-së nuk është bojkoti, por lufta, pjesëmarrja për të fituar dhe për të zgjidhur problemet”. E për grupin parlamentar, Shehu deklaron se, të gjithë do të kalojnë në një proces verifikimi. “Në mënyrë që grupi ynë parlamentar, jo vetëm thjeshtë të mos jetë një grup, ku të mos ketë elementë të inkriminuar, siç është i mbushur sot fatkeqësisht Parlamenti ekzistues”.

Kërkesa e PD-së për votim dhe numërim elektronik, për z.Bernd Borchard, ambasadori i Prezencës së OSBE-së në vendin tonë, nuk mund të arrihet pasi nuk ka më kohë për zgjedhjet e 18 Qershorit. Si e gjykoni një deklaratë të tillë?

Shqetësimi më i madh i PD-së në këto momente, është që t’u sigurojë mundësinë shqiptarëve që me votën e tyre të lirë, të zgjedhin brenda Partisë Demokratike, përfaqësuesit e ardhshëm për në Parlamentin shqiptar. Pa është që në Shqipëri, të sigurohet vota e lirë, e drejtë dhe e vlefshme. Ky është diskutimi i parë dhe elementë të tjerë janë dytësorë dhe ne duhet të biem dakord që në Shqipëri zgjedhjet dhe vota blihet, që njerëzit janë në krye të grupe kriminale, që Shqipëria është duke u mbushur me drogë dhe që nuk mundet të mos preki lirinë dhe të drejtën e votës. Ky mbetet shqetësimi i opozitës, për të bërë që vota të jetë e drejtë dhe të shpreh atë që qytetari mendon dhe atë që dëshiron. Sistemi dhe mënyra më e mirë e votimit, është elektronike, votimi dhe numërimi i qytetarit të votojë pa pasur kartë identiteti, e cila mund të përdoret ka dikush dhe ne gjykojmë që qytetari të votojë jo në një prani të një komisioni votuesish, i cili devijon si pasojë e politikës dhe nuk ka nevojë të marrë fletën e votimit dhe nuk ka mundësi as ta fotografojë e të tregojë se si ka votuar. Vota e qytetarit duhet t’i besohet teknologjisë, e cila nuk devijon ashtu siç mund të devijojë gjatë numërimit dhe kjo mënyrë votimi do të japë rezultatin në kohë reale, pas mbylljes së votimit dhe do të shmangë shumë probleme që zgjasin me javë të tëra, duke krijuar atmosfera të rrezikshme dhe duke tentuar të prishin rezultatin e votimit.

Duke qenë se maxhoranca ka dhënë një jo, çfarë do të bëjë Partia Demokratike që kërkesa themelore e saj për zgjedhjet në qershor të miratohet?

Maxhoranca e gjykon gabim. Votimi nuk është pronë e maxhorancës, nuk është ekskluzivitet i tyre, por i të gjithëve dhe deklarata të tilla, kategorike të maxhorancës, janë non- sens në një vend demokratik, për parimet e Shqipërisë dhe Europës. Mendoj se në këto raste, duhet të respektohet vullneti i opozitës, vizioni dhe zgjedhja e opozitës pasi në Shqipëri ajo që është më e penalizuar në një proces votimi është opozita dhe jo maxhoranca. PD-ja do të bëjë të gjitha përpjekjet e saja, që brenda një kuadri ligjor të një shteti ligjor, të sensibilizojë opinionin shqiptar, ndërkombëtar, në Parlament, pikërisht për të arritur që në Shqipëri të vendoset ajo mënyrë votimi që garanton, lirinë dhe drejtësinë e votës. Pastaj mund të diskutohen elementë të tjerë.

Janë protestat një mundësi edhe pse ka një garanci nga Kryeministri, që reforma zgjedhore dhe zgjedhjet nuk bëhet pa opozitën? 

Është shpresoj që të jetë kështu dhe maxhoranca nuk mund të thotë një jo të prerë, një jo kategorike, nuk mund të themi jo këtë se pranojmë. Këtu kemi një kontradiktë të brendshme midis thënieve të ndryshme të maxhorancës dhe kjo është gjëja më negative. Pra në një anë vihet një fasadë dhe ndryshe veprohet në realitet dhe nuk mund të pranohet nga PD-ja.

Opozita zgjeron koalicionin parazgjedhor, me ardhjen e PBDNJ-së dhe AK-së. A është ende PD-ja ende në kërkim të një koalicioni fitues?

Së pari dua të them diçka dhe ky është mendimi im personal. Qendra e djathtë shqiptare përfaqësohet nga PD-ja, dhe në qoftë se do të ketë një PD të fortë ka një opozitë të fortë, në qoftë se do të ketë një PD të aftë për rotacion politik edhe opozita do të hyjë në këtë rotacion politik. Padyshim që në këtë proces, PD-ja është e hapur për të bashkëpunuar, të kontribuojë me të gjitha faktorët që përmbushin faktorë moral dhe janë të gatshëm për të krijuar në Shqipëri rotacionin politik dhe që dëshirojnë që Shqipëria të qeveriset nga një filozofi e qendrës së djathtë. Në të gjithë këtë proces, të lëvizjes politike, të procesit zgjedhor dhe të fitores sonë të ardhshme, strumbullari është PD-ja, dhe këtu mundet të jemi të qartë të gjithë dhe askush nuk duhet të ketë iluzione dhe as të krijojë privilegje, të jemi realistë që PD-ja është opozita shqiptare sot dhe nuk mund të ketë opozitë pa PD.

E shihni të mundur një koalicion, paszgjedhor me LSI-në?

LSI sot është në maxhorancë dhe është po kaq përgjegjëse për këto probleme të mëdha që ka vendi, sa është dhe PS-ja. Në luftën tonë politike, ne jemi kundër maxhorancës. Unë nuk e di se çfarë vendimi do të marrë maxhoranca për të dalë në zgjedhjet e ardhshme. PD-ja nuk mund të bëjë koalicione parazgjedhore me forca politike që janë në qeverisje dhe çfarë koalicionesh do të bëjë PD-ja pas zgjedhjeve, kjo do të varet nga rezultati dhe vota e qytetarit dhe jam i bindur se PD-ja do të interpretojë në mënyrën më të duhur, verdiktin që do të japë vota e qytetarit dhe për të zgjedhur rrugë të tjera për bashkëpunime pas zgjedhjeve.

Në mbledhjen e fundit të grupit, për qëndrimet e PD-së, dolën dy rryma, pro dhe kundër bojkotit. Pala fituese la të kuptohet se nuk ka bojkot pa një kauzë dhe argument të forta. Pse në grup, është e vështirë që të arrihet një dakordësi, pa kundërshtime?

Së pari, më lër të them se ka disa keqinterpretime në media të ngjarjeve reale. Unë me dëshpërim shoh dhe konstatoj se ka një rrjedhjeve të atyre që diskutohen në mbledhjen e grupit parlamentar. Kur dalin jashtë, nuk dalin ashtu siç janë thënë. PD-ja ka qenë parti kundër bojkotit, ajo ka marrë pjesë në të gjitha proceset edhe kur ka qenë e penalizuar, është ballafaquar ka luftuar sepse filozofia e PD-së nuk është bojkoti, por lufta, pjesëmarrja për të fituar dhe për të zgjidhur problemet. Në një grup parlamentar mund të ketë diskutime, debate, dikush mund të mendojë ashtu e kështu dhe më pas arrihet në konkluzione dhe nuk do të thotë se dikush fitoi apo humbi.

Z.Basha ka shprehur qëndrimet se në listat e PD për zgjedhjet e ardhshme, do aderojnë të rinj, 35% e deputetëve të rinj. Kjo do të thotë edhe largime të deputetëve aktualë?

Listat e deputetëve në çdo periudhë ka qenë e pasuruar me njerëz të rinj, jo në moshë, por në ide, me personalitet në vend, të cilët nuk kanë qenë të impenjuar në politikë, por që kanë vendosur tashmë që aderojnë tashmë. Listat kanë qenë rinovuese dhe kjo më duket diçka normale dhe në filozofinë tonë, që nuk jeni të ngurtë e që kërkojë mendime të reja, të zgjerohemi edhe të shtojmë ato pjesë që nuk i kemi pasur.

Kjo do të thotë edhe largime të deputetëve aktualë, që kanë dalë disa herë kundër rrymës së PD-së?

Ky është interpretimi juaj dhe është i gabuar. Unë nuk di të jetë e mundur diku që në një zgjedhje elektorale të kandidojë po ajo listë që ka qenë në zgjedhjet e kaluara dhe do të ishte shkatërrim për një forcë politike dhe partia kërkon që të zgjerohet e të pasurohet dhe padyshim, të gjithë kanë vendin, respektin dhe kontributin e tyre dhe vlerësohen dhe do të vazhdojnë të vlerësohen.

Një nga kushtet e prezantuara nga z.Basha për deputetet e rinj, është se mbi ‘ta nuk duhet të rëndojnë akuzat për korrupsion? A është i vlefshëm ky kusht edhe për deputetët aktualë, pasi disa prej tyre akuzohen shpesh edhe nga qeveria?

Padyshim, padyshim, absolutisht, të gjithë do të vihen në “sitë”, në kuptimin e mirë të fjalës. Të gjithë do të kalojnë në një proces verifikimi, në mënyrë që grupi ynë parlamentar, jo vetëm thjeshtë të mos jetë një grup, ku të mos ketë elementë të inkriminuar, siç është i mbushur sot fatkeqësisht Parlamenti ekzistues veçanërisht nga pjesa e majtë, por të ketë njerëz sa më dinjitozë, me sa më shumë reputacion, njerëz, të cilët vlerësohen dhe respektohen nga populli, njerëz që kanë ditur të ndërtojnë, të krijojnë me profesionin e tyre me punën e tyre, njerëz, të cilët kanë një fizionomi të tyre, me vlera të ndryshme, morale dhe të drejtësisë. Në PD është një grup pune që përpunon dhe është duke përgatitur një platformë, e cila është shumë e imët dhe që e konsideroj të dobishme sidomos me moralitetin në politikën shqiptare.

 

SHKARKO APP