Shëndetësia në kolaps si pasojë e Rilindjes/ Xhixho: Rama u vaksinua me Pfizer, kurse populli do luajë me fatin

Nënkryetarja e LSI-së, njëherësh edhe kandidate për deputete, Erisa Xhixho ka bërë një analizë se ku qëndron Shëndetësia në vendin tonë, sidomos në këto kohë të pandemisë. Ajo shkruan se qytetarët nuk mund të presim shërbime nga kjo qeveri, kur vetë mjekët thot ajo, qeveria ”Rama 2” i la të pambrojtur, pasi nga pandemia kanë ndërruar jetë 35 mjekë.

”Shqipëria ka numrin më të ulët të mjekëve në raport me popullsinë në botë, sipas një harte të publikuar në faqen e Organizatës Botërore për Shëndetësinë, me vetëm 12 mjekë për 10 mijë banorë, shifër që është më e ulëta në Europë”,-shkruan Xhixho.

Teksa ndalet tek procesi i vaksinimit, Xhixho akuzon se vetë kryeministri Edi Rama mori dy dozat e vaksinës anti-covid nga Pfizer, kurse populli do të vaksinohet me dozat nga AstraZeneca, në një kohë që 15 shtete europiane e kanë refuzuar.

””Elitat” dhe vetë kryeministri morën Pfizer/Moderna, kurse populli do luajë me fatin, me një vaksinë që shumë vende e kanë bllokuar për dëme serioze. Qeveria e paaftë për sigurimin e vaksinave, pa buxhet, pa infrastrukturë, na la të fundit në Evropë për vaksinimin, me 0,55 për 100 banorë kur mesatarja botërore është 4,22, jemi pra rreth 9 herë më poshtë, duke u renditur në nivelet e Afrikës Qendrore”,-shkruan më tej kandidatja për deputete e LSI-së.

Postimi i plotë nga Erisa Xhixho, nënkryetare e LSI-së

”Shërbime shëndetësore për të gjithë pavarësisht aftësisë paguese, ulje e çmimit të barnave, mjeku i familjes falas dhe shëndetësi falas”. Me këtë premtim kryeministri Rama mori mandatin e dytë, duke u ofruar shqiptarëve një nga mashtrimet me te dhimbshme në listën e gjatë të zotimeve të pambajtura. Kriza e thellë shëndetësore tregoi se Shqipëria ka një sistem shëndetësor të krahasueshëm vetëm me vendet e botës së tretë, në rastin më të mirë. Sistemi shëndetësor që u la plotësisht në harresë nga qeveria gjatë tetë viteve pushtet, shkoi në kolaps total nga pandemia. Si mund të vëmë në krye forca politike që s’na krijojnë as mundësitë minimale të kujdesemi për familjet e njerëzit e dashur?

Kur të gjithë i kemi sytë e shpresën për jetën te mjekët, numri i personelit shëndetësor, i përditësuar deri në muajin janar 2021, është 18139, pra më pak se një 1 për 1 mijë banorë. Ç’shërbim mund të presim, kur vetë mjekët kjo qeveri i la të pambrojtur, pasi numërojmë 35 mjekë të vdekur nga pandemia. Shqipëria ka numrin më të ulët të mjekëve në raport me popullsinë në botë, sipas një harte të publikuar në faqen e Organizatës Botërore për Shëndetësinë, me vetëm 12 mjekë për 10 mijë banorë, shifër që është më e ulëta në Europë. Sa sakrifica duhet të bëjnë ata përballë morisë së infektimeve me virusin që shënon përditë rekorde të frikshme në Shqipëri, pa llogaritur ata që humbin jetën pa iu drejtuar spitalit. Ndryshe, na shpjegoni shtimin e madh të vdekshmërisë me gati 6 mijë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës.

Sipas OBSH, shpenzimet publike për shëndetësinë tek ne si pjesë e PBB-së janë më të ulëta (2.97%) sesa në shumicën e vendeve të Evropës Juglindore. Si mund të luftohet në këtë mënyrë pandemia? Sipas të dhënave të INSTAT në Shqipëri nga 44 spitale publike që numëroheshin në vitin 2013, shkuan 42 në 2017. Reduktim kanë pësuar edhe shtretërit në spitalet publike. Nga 8,283 në vitin 2013, në 8,169 në vitin 2017. Ndërkohë në spitalet COVID të kryeqytetit janë 600 shtretër dhe vetëm 140 në spitalet rajonale, sipas një deklarate të ministres së Shëndetësisë. Si mund t’u shërbehet pacientëve me këto kapacitete, kur shifra e të shtruarve kapte mbi 600 për ditë me radhë dhe terapitë intensive janë full?

Pse zgjedhin të trajtohen të banesa shqiptarët dhe dërgohen në fund të jetës drejt spitalit, nga të cilët bashkë me mirënjohjen për punën e mjekëve na vijnë raste monstruoze të denja për filmat horror? Pse kryefjalë e ditës është bërë fatura milionëshe e kovidit në familjet e varfra shqiptare, që zhyten në borxhe edhe për aparaturat e oksigjenit, ndërkohë që qeveria i rimburson vetëm vitaminat? OBSH, specialistët dhe të gjithë bërtasin për testime në masë, sistematike dhe falas, por ato nuk kaluan kurrë nga shifra 4 mijë, ndërkohë që radhët në pritje në poliklinika janë të frikshme. Fakti që qeveria nuk garanton mundësi testimi është një nga faktorët e shpërthimit të infektimeve dhe daljes së pandemisë jashtë kontrollit.

Sot, që shkruaj këto radhë vendi im numëron sipas MSH 2060 viktima nga koronavirusi, bilanc tragjik që thellohet përditë, ndërkohë që vaksinimi shkon me ritmin e breshkës. Së fundi qeveria ka sjellë 38.400 vaksina të kompanisë “Astra Zeneca” dhe ka nisur vaksinimin e mësuesve, ndërkohë që Gjermania, Franca, Italia dhe Spanja iu shtuan bllokut 17- anëtarësh që bllokuan përdorimin e vaksinës, pas raportimeve për emboli, trombozë e mpiksje gjaku. A ka garanci për këtë? Dhe kur vendet e tjera e stopojnë përdorimin përse qeveria sillet sikur asgjë s’ka ndodhur?

‘Elitat’ dhe vetë kryeministri morën Pfizer/Moderna, kurse populli do luajë me fatin, me një vaksinë që shumë vende e kanë bllokuar për dëme serioze. Qeveria e paaftë për sigurimin e vaksinave, pa buxhet, pa infrastrukturë, na la të fundit në Evropë për vaksinimin, me 0,55 për 100 banorë kur mesatarja botërore është 4,22, jemi pra rreth 9 herë më poshtë, duke u renditur në nivelet e Afrikës Qendrore. PS-ja që ka qeverisur e na kërkon edhe mandatin e tretë ka treguar prej vitesh tashmë se nuk është një forcë e majtë, pasi i la njerëzit e pamundur të braktisur e pa mbështetje, shkeli parimet bazë të së majtës, barazinë, solidaritetin dhe mbështetjen e shtresave në nevojë.

Në 8 vite, angazhimet e Rilindjes i shërbyen pakicës që u majm edhe më shumë, ndërkohë që Partia Socialiste degradoi në një pseudo të majtë, duke lënë në zhgënjim shtresat vulnerabël, sidomos me menaxhimin e pandemisë. Janë sërish shtresat më në nevojë që mbartin sot koston më të madhe të kaosit që krijon mosmenaxhimi i pandemisë, ata që s’kanë mundësi të blejnë maska, dezinfektant, të testohen, të marrin ndihmë mjekësore, të harruarit, në fakt shumica. Partia Socialiste, një herë e një kohë forca më e madhe e së majtës shqiptare, ka vdekur! E majta shqiptare ka nevoje për një alternativë, për një forcë politike që lufton e mbron realisht vlerat sociale dhe demokratike, kjo alternativë e majtë sot është LSI!

SHKARKO APP