Shkolla e re “Avni Rustemi” hap dyert për nxënësit, Veliaj: Në Tiranë kemi ndërtuar 45 shkolla të reja

Ky fillim viti shkollor ishte i veçantë për 700 nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Avni Rustemi” në Njësinë 10. Falë ndërtimit të saj nga Bashkia e Tiranës, mësuesit dhe nxënësit gëzojnë një ambient tërësisht të ri dhe modern. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga Zv. Ministrja e Arsimit, Nina Guga dhe deputeti i PS, Fatmir Xhafaj, uruan në ditën e parë të shkollës nxënësit dhe mësuesit për një vit të suksesshëm dhe sa më të mbarë. Veliaj tha se investimi në shkolla, kopshte dhe çerdhe është prioritet sepse një mjedis i mirë dhe modern ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e mësimdhënies dhe në motivimin e nxënësve.

“Edhe pse unë e besoj fort se mësuesit janë thelbi, kur vjen në një mjedis të mirë, të pastër, të ndriçuar, me kushte moderne, sigurisht që puna e mësuesit bëhet më e lehtë, por edhe nxënësit vijnë me më shumë kënaqësi në shkollë. Këtë javë do të hapim një seri shkollash të reja, si “Musine Kokalari”, e cila u ribë nga e para pas tërmetit, duke iu shtuar një buqete të madhe shkollash në Kombinat, bashkë me “Betim Muçon” dhe “Lasgush Poradecin”. Do të hapim edhe “Xhezmi Dellin” në zemër të Tiranës së vjetër. Ashtu si “Avni Rustemi”, edhe ajo shkollë ka dalë një bizhu”, tha ai.

Veliaj u shpreh se në total numri i shkollave të reja në Tiranë shkon në 45, ndërsa siguroi se puna do të vijojë pa u ndalur, për të përfunduar edhe ato që janë në proces. “Përveç 5 shkollave të reja që hapim këtë vit, shkojmë në 45 shkolla në total. Janë ndërtuar më shumë shkolla që nga koha e Pavarësisë, që nga koha e shpalljes së Tiranës Kryeqytet. Do vazhdojmë me këtë mision! Shumë shpejt do nisim ndërtimin e shkollave të reja te Unaza e Madhe, te lagjja ‘Rilindja’, te Liqeni i Thatë, te Parku Olimpik dhe në Sauk. Kjo buqetë e re, me 10 shkolla për vitin tjetër, praktikisht do ta mbajë ritmin e rritjes së Tiranës. Jo vetëm ritmin me të cilin është rritur vitet e fundit, por edhe me atë që ne presim në vitet në vazhdim”, deklaroi Veliaj.

SHKARKO APP