Shkrirja e gjykatave, KLGJ: Nga 34 të mbeten 15 dhe vetëm 1 Apel në mbarë Shqipërinë

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka ardhur me një propozim të fortë, që lidhet me riorganizim e gjykatave në Shqipëri, ose më saktë me shkrirjen më shumë se gjysma e 34 gjykatave në mbarë Shqipërinë. Përmes një letre dërguar Ministrisë së Drejtësisë, KLGJ-ja thotë se nga 34 gjykata, duhet që të mbeten vetëm 15 në vend, si edhe një gjykatë Apeli.

Po ashtu KLGJ-ja bën me dije se propozon që nga 22 Gjykata rrethesh, 6 Administrative dhe 6 Gjykata Apeli që janë aktualisht të mbeten 12 gjykata me juridiksion të përgjithshëm, 2 Administrative dhe 1 Gjykatë Apeli. Shkak për këtë kërkesë janë bërë vakancat e krijuara për shkak të vettingut apo dorëheqjeve të gjyqtarëve. Nisma u prezantua edhe javën e shkuar në Komisionin e Ligjeve nga kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami.

Propozohet që nga 22 gjykata të Shkallëve të Parë të bëhen 12, nga gjashtë Gjykata Administrative të bëhen 2 dhe nga gjashtë Apele të bëhet një në të gjithë vendin. Përse shërben kjo hartë e re gjyqësore? Këshilli i Lartë Gjyqësor thotë se harta e re Gjyqësore do t’i shërbejë optimizimit të burimeve njerëzore dhe financiare, rritjes së efeciencës së gjykatave.

”Harta e re gjyqësore është çelësi dhe një proces shumë i rëndësishëm për zgjidhjen e sfidave të sistemit gjyqësor, lidhur me ngarkesën e punës, delegimet, aksesin, koston dhe efektshmërinë, për të zhbllokuar kështu situatën aktuale në të cilën ndodhen gjykatat e të gjitha shkallëve në Republikën e Shqipërisë. Në këtë kuptim, Harta e re Gjyqësore do t’i shërbejë optimizimit të burimeve njerëzore dhe financiare, rritjes së efeciencës së gjykatave, përmirësimit të shpejtësisë së gjykimit dhe aksesit në drejtësi të qytetarëve, si dhe minimizimit të kostove dhe pasojave të rivlerësimit kalimtar“.

Reagimi i plotë

Këshilli në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, ka hartuar një projekt për Hartën e re Gjyqësore e cila është produkt i një procesi të gjatë dhe intensiv konsultimesh mes një sërë aktorësh, përfshirë këtu Ministrinë e Drejtësisë, ekspertët e sistemit gjyqësor dhe grupet e interesit.

Sipas kritereve dhe metodologjisë së dakordësuar nga grupi ndërinstitucional i punës, Këshilli ka propozuar: që nga 22 gjykatat e rretheve gjyqësore me juridiksion të përgjithshëm, 6 gjykatat administrative të shkallës së parë dhe 6 gjykatat e apelit me juridiksion të përgjithshëm të riorganizohen në 12 gjykata me juridiksion të përgjithshëm dhe 2 gjykata administrative në shkallë të parë, dhe 1 gjykatë apeli.

Raporti i finalizuar për hartën gjyqësore është një punë shumë voluminoze, përpilimi i të cilit ka kërkuar hulumtim dhe një punë teknike të specializuar, të cilën Këshilli e ka kryer me shumë impenjim dhe përgjegjësi, si institucioni kompetent për administrimin e sistemit gjyqësorë në Republikën e Shqipërisë, duke u bazuar gjithmonë në parimet e pavarësisë, llogaridhënies, transparencës dhe të efiçencës.

Në momentin kur ligji kërkon një bashkërendim të punës për hartën gjyqësore me Ministrinë e Drejtësisë, gjë të cilën Këshilli e ka zbatuar në përpikëri, është kërkuar i njëjti vlerësim edhe nga ana e Ministrisë së Drejtësisë. Kjo pasi harta e re gjyqësore është çelësi dhe një proces shumë i rëndësishëm për zgjidhjen e sfidave të sistemit gjyqësor, lidhur me ngarkesën e punës, delegimet, aksesin, koston dhe efektshmërinë, për të zhbllokuar kështu situatën aktuale në të cilën ndodhen gjykatat e të gjitha shkallëve në Republikën e Shqipërisë.

Në këtë kuptim, Harta e re Gjyqësore do t’i shërbejë optimizimit të burimeve njerëzore dhe financiare, rritjes së efeciencës së gjykatave, përmirësimit të shpejtësisë së gjykimit dhe aksesit në drejtësi të qytetarëve, si dhe minimizimit të kostove dhe pasojave të rivlerësimit kalimtar. Nga bashkëpunimi me Ministrinë e Drejtësisë evidentohet se kjo e fundit nuk ka pasur të njëjtën qasje sikurse Këshilli, duke shkaktuar zvarritje të procesit. Zvarritje kjo e cila ka pasur një ndikim negativ për sistemin gjyqësor.

Aktualisht, produkti konkret nga grupi i punës, i cili propozon konfigurimin e ri gjeografik të gjykatave, i është vënë në dispozicion zyrtarisht Ministrisë së Drejtësisë, si palë bashkë-propozuese, në datë 29.9.2020. Duke Ju falënderuar, gjithë të mirat!

SHKARKO APP