Shkullaku: Astrit Patozi zëri më serioz e i besueshëm i Opozitës

 

Armand Shkullaku mendon se Lulzim Basha e ka të vështirë të dalë nga hija e Berishës. Kjo, edhe për faktin se, sipas tij, Basha u vendos në krye të PD­së si pauses i vijës së Berishës. “Kur diskutojmë për autonominë në vendimmarrjen e Lulzim Bashës, i referohemi gati automatikisht Sali Berishës. Nuk është aspak një mision i lehtë të krijosh individualitetin e një lideri, aq më tepër të liderit të opozitës, pas dominimit me dorë të hekurt dhe autoritet dominues për 25 vjet të Berishës. Hija e tij, edhe sikur të ishte tërhequr përfundimisht nga politika, mbetet dominuese dhe të mendosh se Sali Berisha është përsëri 24 orë në ditë në aktivitet. Jo vetëm Basha, por edhe kundërshtari i tij Edi Rama, të gjithë politikën që prodhon e ka nën ndikimin e Berishës, ndonëse ka më shumë se dy vjet që është në pushtet. Ne jemi dëshmitarë që shpeshherë superaktiviteti i Berishës interferon në drejtimin e Bashës. Ndodh që deklarata të ish­liderit t’i paraprijnë qëndrimit zyrtar të PD­së, apo të bëhen pika referimi për mediat, siç ishte për shembull rasti në zgjedhjet e fundit lokale. Por duhet pranuar edhe e vërteta tjetër, që Lulzim Basha nuk erdhi në krye të PD­së si kundërshtar apo alternativë ndryshe e Berishës, por si pasues dhe i preferuari i liderit historik. Ky fakt e vështirëson spikatjen e autoritetit të Bashës, që do kishte qenë më i dukshëm nëse do vinte si mohim apo kundërshtim i paraardhësit të tij”, shprehet Shkullaku për Mapon. Ai thotë ndërkohë, se sot për sot, zëri më serioz dhe i besueshëm i opozitës, mbetet Astrit Patozi. “Do të veçoja Astrit Patozin. Tani për tani mbetet zëri më serioz dhe më i besueshëm i opozitës në Kuvend”, shprehet ai. Ndërsa Agron Gjekmarkaj, i pyetur se kush ka mbijetuar nga garda e vjetës në PD, përgjigjet kështu: “Po e filloj me ata që nuk kanë mbijetuar. Mendoj se të gjithë ata që e kanë rrasur dorën në hajdutëri dhe kusari, pavarësisht se nuk janë dyerve të gjykatave por gjykohen nga opinioni publik si të tillë, janë të mbaruar politikisht. Në këtë kategori përfshihen edhe ish drejtues të lartë të PD , ish ministra të cilët mund të jenë ënde edhe deputet apo grupe të tjera që përpiqen të mbeten në politikë. Më të përbuzurit mbeten hajdutët dhe në psikologjinë e elektoratit mandati i dytë PD+LSI ishte peng i këtij fenomeni. Si nënkategori do të përfshija injorantët e pashtyllë kurrizore, prezervativë politikë që e kanë përdorur hapësirën publike sikur të ishte një poligon qitjeje me baltë. Ka pasur periudha sa fjala intelektual dukej si tepri në PD, si bezdi kur mjaftonte të ishe “besnik” shumë prej të cilëve u kanë rënë poturet rrugëve dhe si ashikë të vesit i shkelin syrin e stërvitur pushtetit.

Por nga ana tjetër PD ka edhe personalitete e njerëz cilësorë, falë të cilëve ka arritur suksese të pamohueshme në tetë vite qeverisje. I pari i mbijetuar megjithë është bartësi më i madh i virtyteve dhe defekteve të asaj partie është Sali Berisha, i cili identifikohet me historinë 25­ vjeçare të PD­së, i mbijetuar aq sa për të qenë një zë i rëndësishëm dhe i respektuar në PD. Nuk ka parti serioze pa traditë historike, ish­presidentët francezë gjithmonë janë parë si figura morale në partitë e tyre në këtë kontekst, Berisha është një i mbijetuar origjinal. Jozefina Topalli si politikane mirëfilli ideologjike por edhe si një kartë morale antikorrupsion, mendoj se meriton respekt dhe vend më aktiv në PD. Ajo duhet të jetë afër kreut. Topalli nuk ka patur pushtet ekzekutiv, por honorifik realisht, përtej faktit se ajo i bashkohet përgjegjësisë së humbjes së PD­së për aleancë etike nuk është aq përgjegjëse, me përvojën dhe grintën politike mund të jetë shume e dobishme për PD­në e Lulzim Bashës për kompaktësimin e të djathtëve në PD. Astrit Patozi, Majlinda Bregu, Genc Pollo, Aldo Bumçi, Jorida Tabaku më duken gjithashtu politikanë që ende mund të japin kontribut në ringritjen e PD-­së pa patur frikë se dikush iu kërkon hesap për keq apo ndërron kanal kur ata flasin”, thotë ai. 

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A ka forcë Berisha të rrëzojë kryeministrin Rama, edhe pas skandalëve të fundit?