Shkupi dhe Presheva me porosi për mbledhjen e dy qeverive shqiptare

Shqiptarët e Maqedonisë dhe Luginës kërkojnë fokusimin e Tiranës dhe Prishtinës për problemet e tyre në mbledhjen e përbashkët mes dy qeverive që mbahet sot në Tiranë.

Lëvizje qytetare nga Maqedonia dhe Lugina e Preshevës kanë kërkuar që nga kjo mbledhje e përbashkët të jepen mesazhe të qarta dhe mbrojtëse edhe për shqiptarët në Maqedoni dhe Luginën e Preshevës.

Nëpërmjet rrjeteve sociale në Maqedoni, qindra shqiptarë kanë shkruar se Tirana dhe Prishtina duhet të fokusohen edhe tek zhvillimet në Maqedoni dhe sidomos për gjendjen dhe fatin e shqiptarëve.

Nga kjo mbledhje kërkohet një mesazh i qartë lidhur me krizën politike në adresë të autoriteteve politike dhe shtetërore maqedonase, por edhe të partive politike shqiptare.

Ndërsa, Lëvizja “Vatra” që përfaqëson çështjen e shqiptarëve të Luginës së preshevës kërkoi nga Qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës, të fokusohen tek zhvillimet shqetësuese në Luginën e Preshevës,.

“Takimi i dy qeverive, të Kosovës dhe të Shqipërisë duhet të jetë një pikënisje për t’u marrë më seriozisht me problemet e qytetarëve të Kosovës Lindore, të atyre që jetojnë në Kosovë dhe të atyre që jetojnë në Shqipëri”, thuhet në letrën e Vatrës, e sëbashku me disa shoqata të tjera alarmon shlyerjen e shqiptarëve të Luginës nga evidencat e dokumentacioneve të Ministrisë së Brendshme, duke i hequr shtetësinë e Serbisë. (INA)

SHKARKO APP