Shpërthen Brokaj: Shqipëria plot kanabis, punë nuk ka
Dy vjet pas ardhjes në pushtet të qeverisjes së majtë, një nga figurat kryesore të së majtës, Sabit Brokaj, shpërthen në kritika ndaj qeverisjes së Edi Ramës.
Ai thotë për gazetën Dita se disa aksione të mira nisën, por dy vjet më pas jemi ende shumë larg.
“Fenomeni Lazarat, në vend që të minimozonte apo zhdukte problemin, bëri efektin e kundërt. Harta e Shqipërisë u ngjyros me kanabis nga jugu në veri. Ku është problemi? Këtu ka një anomali. Dhe anomalia ka të bëjë me thelbin e zbatimit të ligjit. Vetë politika nuk ishte e vendosur. Madje pati zëra që droga të lejohej”.
Pesimist është Brokaj edhe për gjendjen ekonomike.
“Është zhgënjyes fakti që të ardhurat po bien. Punësimi nuk ndihet fare, madje është numri një si problem. Emigrimi masiv që ka ndodhur dhe që vazhdon është prova më demaskuese për këtë qeveri dhe për gjendjen tonë ekonomike, por edhe atë morale,”thotë ai, duke shtuar se asnjë justifikim nga qeveria nuk pi më ujë.
Brokaj thotë se nuk mund të justifikohesh më me trashëgiminë e qeverisë Berisha.
“Iu bënë dy vjet Ramës në krye të qeverisë. Sidomos tashmë që edhe pushtetin qendror dhe atë vendor e ka e majta. Ja po bëhet aksioni kundër informalitetit dhe u tha se kemi humbur 60 milionë dollarë. Por shtrohet pyetja: Sa para nuk i ke marrë Bankersit apo kompanive të mëdha të huaja që operojnë në Shqipëri?”
Brokaj nuk ka shumë shpresë edhe tek reforma në drejtësi, ndërsa shton se vendit i duhet dëshpërimisht një Di Pietro.