“Shpresa e fundit” e ambasadorëve, sot takimi me partitë e vogla
Duket se ambasadorët po bëjnë gjithçka që opozita të marrë pjesë në zgjedhjet e 18 qershorit. Pas dështimit të takimeve të zhvilluara nga David McAllister dhe Knut Fleckenstein mes maxhorancës dhe opozitës për zgjidhjen e krizës politike, sot janë thirrur partitë e vogla.
Ambasadori i SHBA, Donald Lu, ajo e BE, Romana Vlahutin si dhe kreu i prezencës së OSBE, Bernd Borchardt, kanë ftuar përmes një letre, partitë e vogla parlamentare në një takim informues sot në orën 10:00.
Ftesa vlen vetëm për partitë e vogla parlamentare, të cilat nuk kanë pasur përfaqësues në takimet e zhvilluara me David McAllister dhe Knut Fleckenstein, ku u diskutua për zgjidhjen e ngërçit politik.
“Përshëndetje z. Madhi, z. Duka, z. Dule, z. Ndoka, z. Blushi, z. Idrizi, z. Shehi Ambasadori Borchardt, Ambasadori Lu dhe Ambasadorja Vlahutin kanë kënaqësinë t’ju ftojnë në një takim informues për procesin e negociatave të zhvilluar mbrëmë. Takimi do të zhvillohet ditën e premte, dt. 28 prill ora 10:00, vendi për t’u konfirmuar. Ju lutem më konfirmoni nëse axhenda juaj e mundëson pjesëmarrjen tuaj në këtë takim”, thuhet në letrën e ambasadorëve drejtuar partive të vogla parlamentare.
Takimi vjen një ditë para skadimit të afatit të regjistrimti të partive dhe koalicioneve në KQZ, për zgjehdhjet parlamentare të 18 qershorit.
KOHA JONË SONDAZH

