Shqipëri, ekonomia në 2022 u rrit përtej parashikimeve, me 4.8 përqind

Në Shqipëri, Prodhimi i brendshëm bruto (PBB) u rrit më 4.84 përqind krahasuar me një vit më parë, njoftoi sot Instituti i Statistikave, ndërsa publikoi të dhënat e aktivitetit ekonomik gjatë tremujorit të fundit të vitit të shkuar. Kjo rritje shkon përtej parashikimeve të vetë autoriteteve shqiptare por dhe të institucioeve ndërkombëtare financiare, të cilat pavarësisht rishikimit në rritje, vlerësonin se PBB do të ngjitej në 3.7 përqind. Ndërkohë që sipas një analize të fundit të Bankës Botërore, në janar të këtij viti, rritja do të ishte në nivelet e 2.2 përqind.

Kontribuesi kryesor dhe me një aktivitet të qëndrueshëm, ka qenë dega “Tregti,Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor”, si dhe Ndërtimi, sektor i cili, përveç tremujorit të dytë, ku rregjistroi një kontribut negativ, në pjesën tjetër të vitit, ka patur një peshë domethënëse, së bashku me grupin “Aktivitete të pasurive të paluajtshme”.

Ecuria e ekonomisë së vendit gjatë 2022 pësoi luhatje të forta në gjysmën e parë të vitit, ku pas një rritjeje prej 5.97 përqind në tremujorin e parë, ajo ra ndjeshëm me një rritje prej vetëm 2.23 përqind në tremujorin e dytë, duke reflektuar efektet e luftës në Ukrainë dhe pasiguritë në rrafshin global që ajo solli. Në tremujorin e tretë, turizmi dhe ndërtimi ndikuan në rigjallërimin e ekonomisë, me 4.02 përqind.

Në tremujorin e fundit të viti 2022, prodhimi i brendshëm bruto u rrit me 4.73 përqind, krahasuar me të njejtën periudhë të një viti më parë. Edhe të dhënat e këtij tremujori kanë qenë po ashtu përtej pritshmërive të qeverisë e cila parashikonte një tkurrje të aktivitetit ekonomik gjatë kësaj periudhe. “Pritjet për rritjen ekonomike në tremujorin e katërt mbeten të rrethuara nga pasiguri më të larta, kryesisht në varësi sesi do të shkojnë zhvillimet ekonomike ndërkombëtare. Një ngadalësim i rritjes ekonomike ka të ngjarë të ndodhë për tremujorin e fundit për shkak të pasigurive të ngritura, gërryerjes së të ardhurave reale prej inflacionit dhe shtrëngimit të kushteve financiare”, deklaroi në muajin tetor të 2022-it, ministrja e Financave Delina Ibrahimaj.

Ndërtimi ishte dega me kontributin kryesor, ( +1,69 pikë përqindje), që së bashku me Aktivitete të pasurive të paluajtshme (+0,54 pikë përqindje) përfaqësuan gati gjysmën e rritjes së aktivitetit ekonomike në tremujorin e fundit të vitit të kaluar. Ndërtimi u rrit me 14.4 përqind. Dega Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor, vijoi të ruajë rritjen e saj të qëndrueshme, me 5.61 përqind, duke kontribuar me +0,96 pikë përqindje në PBB-në e tremujorit. Bujqësia ndërkaq, shënoi rënie me 0.11 përqind.

Për vitin e ardhshëm parashikimet fillestare të qeverisë janë, deri më tani, për një ngadalësim të ecurisë së ekonomisë, rritja e së cilës pritet të jetë në nivelet e 2.6 përqind. Ndërkohë që Fondi Monetar por dhe Banka Botërore vlerësojnë se rritja do të jetë në kuotat e 2 përqindëshit/VOA/

SHKARKO APP