”Shqipëria 2030”, PS çel fushatën. Spiropali: Sekreti jonë për fitore janë gratë dhe vajzat

”Vajzat dhe Gratë Socialiste për Shqipërinë 2030”, është aktiviteti që çeli fushatën e Partisë Socialiste për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Takimi po mbahet në ambientet e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, ku krahas vajzave dhe grave të pranishme, do të ketë lidhje direkte me gratë kandidate nga 11 qarqet e tjera të vendit. Motorët e fushatës sapo janë ndezur dhe Partia Socialiste synon të marrë një mandat të katër qeverisës.
Drejtuesja e Forumit të Grave Socialiste, Evis Kushi foli për hapat e saj në politikë dhe ftesën që mori nga PS. ”Pranova për dy arsye sepse kuptova që suksesi i individit është i lidhur ngushtësisht edhe me jetën e fqinjit. Prandaj e vlerësova ftesën si mundësi të mirë që të bëja diçka për qytetin tim të dashur, Elbasanin. Së dyti, pranova të jepja kontributin tim modest në modelin e të bërit politik, pa urrejtje, shpifje dhe baltë, por me komunikim njerëzor dhe këtë jam përpjekur të bëj çdo ditë”, tha Kushi.
Më pas, ajo tha se ka mbajtur detyra të ndryshme në PS, por më shumë rëndësi për të ka posti si drejtuese e Forumit të Gruas Socialiste të Shqipërisë. Kushi shtoi se nga një “shtëpi” burrash, PS tashmë është kthyer në një parti për të gjithë, ku gratë përbëjnë 36 për qind. Kurse drejtuesja politike e PS për qarkun e Tiranës, Elisa Spiropali tha se sekreti i PS është mbështetja e grave dhe vajzave në vend. Gjatë fjalës së saj, Spiropali u shpreh se vetëm PS iu ka dhënë atyre hapësirën e duhur grave dhe vajzave.
”Kundërshtarët tanë e shohin ndryshe. Për herë të parë jam dakord me ta, s’e mundin dot Ramën dhe PS. Në çdo studio e ekran e kudo ku diskutohet publikisht, këto pyetje shtrohet dhe përgjigjet janë të ndryshme. Por duke parë këtë sallë sot, dhe parë anketimet ku gratë na mbështesin në masë të madhe dhe entuziazmin me të cilën ato i besojnë PS dhe Ramës, them se sekreti ynë më i madh nuk është sekret, por është publik, është mbështetja që kemi nga gratë dhe vajzat e republikës së Shqipërisë që më mirë se të tjerët e dinë se është PS që iu ka dhënë hapësirë të madhe komunikimi e drejtimi në çdo nivel”, u shpreh Spiropali.
Nga ana tjetër, Ogerta Manastriliu tha se PS po udhëheq fitoren e dhjetë radhazi. Ajo theksoi se në çdo nivel drejtimi gratë përfaqësohen denjësisht. ”Jam vërtetë krenare që jam pjesë e njëjtës skuadër, që ndaj në këtë sallë dhe jashtë saj përgjegjësinë e organizmit elektoral të forcës sonë politike që do të udhëheqë fitoren e dhjetë radhazi. Në çdo nivel drejtimi gratë përfaqësohen denjësisht. Falë kontributit të çdo njërës prej jush, jo vetëm në Tiranë, por gjithë vendin PS po shkon drejt fitores së mandatit të katërt”, tha Manastirliu.