Shqipëria hap negociatat për grupkapitullin e tretë, Rama: Ritëm tejet i lartë për objektivin e mbylljes së negociatave më 2027
Shqipëria çeli grupkapitullin e radhës të negociatave me Bashkimin Europian, që çon në 4 nga 6 grupkapitujt për të cilat nisin bisedimet. Në Bruksel nga Tirana ishin 3 ministrat që përfaqësojnë vendin në tryezë me BE, ai Punëve të Jashtme Igli Hasani, kryenegociatorja Majlinda Dhuka dhe ministrja Adea Pirdeni.
Kryeministri Edi Rama vlerësoi ritmin e lartë me të cilin po punohet për integrimin e Shqipërisë drejt BE-së, pas hapjes edhe të grupkapitullit të tretë ditën e sotme në Bruksel. Për të rruga e Shqipërisë drejt BE-së vazhdon pa ndalim.
”Këshilli i BE miratoi çeljen e negociatave për 8 kapituj të rinj nga Grupi 3: Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse, që përfshin arsimin, digjitalizimin, punësimin, politikën ekonomike, tatimet dhe inovacionin. Deri tani janë hapur negociatat për 24 kapituj në vetëm 8 muaj dhe mbeten vetëm 11 të tjerë për t’u hapur, një ritëm tejet i lartë që tregon përparimin e Shqipërisë dhe mbështetjen e BE-së për të arritur objektivin e përbashkët të mbylljes së negociatave më 2027”,-shkruan Rama.
Në grupimin 3 përfshihen tetë fusha ose kapituj:
Kapitulli 10 (Transformimi Digjital dhe Media)
Kapitulli 16 (Tatimet)
Kapitulli 17 (Politika Ekonomike dhe Monetare)
Kapitulli 19 (Politika Sociale dhe Punësimi)
Kapitulli 20 (Ndërmarrjet dhe Politika Industriale)
Kapitulli 25 (Shkenca dhe Kërkimi)
Kapitulli 26 (Arsimi dhe Kultura)
Kapitulli 29 (Bashkimi Doganor).
KOHA JONË SONDAZH



