“Shqipëria si Koreja e Veriut”, Këlliçi: Trau i BE-së, një mesazh për Ramën. Skema e PD për 25 prillin
Kreu i Forumit Rinor i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi intervistë për “Koha Jonë”: Kemi dy standarte të ndryshme. Traun për Kosovën, mini Shengenin me Serbinë
Intervistoi: Redjon Shtylla
2020 është viti që revista “Time” e fshiu, por në politikën e vendit, ishte një vit me protesta të fuqishme nën pandeminë e Covid-19. Një nga protestat që tronditi qeverisë, janë ato për vrasjen e të riut Klodian Rasha nga Policia e Shtetit. Për kreun e Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, vrasja e të riut është ngjarje që e rreshton Shqipërinë krah Koresë së Veriut dhe e largon përfundimisht nga modeli europian i qeverisjes. “Shqipëria dhe Koreja e Veriut janë dy shtetet e vetme në botë që kanë vrarë për shkak të kufizimit të orarit”. Në një intervistë për “Koha Jonë”, Këlliçi analizon qeverisjen “Rama” dhe zgjedhjet e 25 prillit. “Protesta e studentëve solli shkarkimin e shumë ministrave, protesta për Klodianin solli largimin e ministrit të brendshëm. Këto janë tregues që kur bëhen bashkë shqiptarët, fitojnë mbi padrejtësitë”,-thotë më tej kreu i FRPD-së. Për raportin me Kosovën, ai thotë se Rama i përkeqësoi marrëdhëniet, por që dhe i forcoi me Serbinë. “Kemi dy standarte të ndryshme. Traun për Kosovën, mini Shengenin me Serbinë”,-thotë Këlliçi.
2020 është viti që revista “Time” e fshiu, por në politikën e vendit, ishte një vit me protesta nën pandeminë e Covid-19. Politikisht, PD-ja dhe e gjithë opozita ka përgjegjësinë që të rrëzojë Edi Ramën në zgjedhjet e 25 prillit. Rrezikojmë të humbasim orientimin tonë, drejtpeshimin dhe të ardhmen? Si do të veprojë opozita në këto muaj të parë të vitit dhe çfarë duhet bërë sipas jush?
Shtetit nuk i nevojitet pandemia për të treguar dobësitë e tij në administrimin e punëve. Mjafton një shi dhe Shqipëria zhytet. Orientimin europian të vendit e kemi humbur kryekëput këto 7 vjet. Kryeministri dhe qeveria e tij kishin 7 vjet për të punuar për hapjen e negociatave me BE, gjë që nuk ndodhi sepse Edi Rama i ka fokusuar të gjitha energjitë dhe kontaktet e tij diplomatike në rehabilitimin e figurës së presidentit serb Vuçiç, ish-ministër i informacionit gjatë spastrimit etnik në Kosovë.
Rama përkeqësoi marrëdhëniet me Kosovën dhe i forcoi me Serbinë. Kemi dy standarte të ndryshme. Traun për Kosovën, mini Shengenin me Serbinë. Nga ana tjetër, këto 7 vjet, Shqipëria ka njohur protestat më të mëdha opozitare të historisë së saj politike. Opozita i ka bërë jehonë të gjitha padrejtësive shtetërore sepse kjo është detyra e saj.
Me janarin, nis viti elektoral. PD-ja do të ketë bërë të ditur për publikun listën e plotë të drejtuesve politikë në qarqe dhe mbi të gjitha programin e saj për të rimëkëmbur e zhvilluar ekonominë e vendit dhe rivendosjen e tij në hartën politike të Europës. Me Ramën në Europë jemi vetëm gjeografikisht.
Vrasja e të riut Klodian Rasha nxiti një valë protestash dhe një revoltë që nuk është shuar. Çfarë konkluzioni kanë ato protesta, sepse janë përfolur shumë përsa i takon dhunës, dhe jo vetëm nga ana e policisë siç është parë, por edhe nga ana e vetë protestuesve. Si e keni parë këtë raport, policia dhe protestuesit nga të dyja krahët? Dhe nga ana tjetër, kjo revoltë që është ndezur, për ju si duhet që të vijojë?
Vrasja e të riut Rasha ishte kulmi i dhunës policore. Ngjarje që e rreshton Shqipërinë krah Koresë së Veriut dhe e largon përfundimisht nga modeli europian i qeverisjes. Shqipëria dhe Koreja e Veriut janë dy shtetet e vetme në botë që kanë vrarë për shkak të kufizimit të orarit. Klodiani i ndjerë u vra dy herë, fillimisht me plumb mbas koke dhe pastaj me orvatjen shtetërore për ta njollosur figurën e tij si “i armatosur”. Disa portale afër qeverisë shkuan edhe më larg kur e cilësuan “përdorues droge” apo “me probleme mendore”.
Kjo ndezi revoltën e të rinjve, ku disa prej tyre, dhunës policore iu përgjigjën me dhunë. Nëse të rinjtë prishën pemën plastike të festave, shteti ka rrafshuar pyje të tëra për interesa klienteliste. Nëse të rinjtë u përgjigjën me dhunë një herë në vit, policia dhunon çdo ditë. Të rinjtë grekë, francezë e amerikanë përgjigjen me dhunë në çdo demonstratë dhe asnjë politikan, gazetar apo krerë shtetesh s’kanë guxim t’i etiketojnë si “halabakë” e “rrugeçër”. Pamë dhunë të pajustifikuar gjatë protestave. Duke filluar nga protesta për Teatrin Kombëtar, kur unë jam shoqëruar forcërisht në komisariat, me një breshëri fyerjesh të ulëta ndaj meje dhe familjes sime.
Protesta duhet të vijojë sepse tregon qytetari dhe civilizim. Drejtori i Përgjithshëm Ardi Veliu është polici nr.1 dhe përgjegjësi nr.1 i dhunës sistematike. Policia duhet të reformohet e të largohen prej saj aventurierët që pozojnë në rrjete sociale me kobure dhe të tjerë si Veliu që katapultohen në krye pa përmbushur asnjë kriter profesional.
Rinia doli në protesta, por që qeveria shumicën i ka arrestuar, është tregues se në zgjedhjet e 25 prillit, pritet që të ketë kaos dhe trazira? Në takimet qe keni zhvilluar me të rinjë, me çfarë problematikash jeni hasur? Çfarë kërkojnë ata?
Me të drejtë ju thoni i arrestoi qeveria. Policia urdhërat i merr nga qeveria sepse në Shqipëri pushtetet nuk janë të ndara si në vendet demokratike. U arrestuan për të frikësuar të tjerët. Përfytyroni prindërit që këshillojnë fëmijët e tyre mos të protestojnë sepse mundësia për të përfunduar mbrapa hekurave është shumë e madhe. Kjo krijon apatinë shoqërore, prej të cilës përfiton Rama dhe qeveria.
Një vend që nuk proteston ndaj padrejtësive është diktaturë. Mos iu trembni protestave, se ato ndodhin kudo ku populli është sovrani, por frikësojuni mungesës së tyre. Ku s’ka protestë, bashkëjetohet me padrejtësitë. Në raport me protestën, të rinjtë shqiptarë nuk janë ndryshe nga moshatarët e tyre grekë, francezë e amerikanë. Në ndryshim nga të rinjtë europianë dhe amerikanë, të rinjtë tanë duan të largohen nga vendi i tyre sepse shteti i tyre i largon.
140 mijë të rinj janë larguar këto 7 vjet, gjithsej 500 mijë shqiptarë. Ikin se s’ka punë, jo se janë joprofesionistë siç i quan Rama. Përse kur shkojnë jashtë gjejnë punë e sistemohen, kurse në vendin e tyre trajtohen si jo profesionistë, të paedukatë e parazitë kafenesh? Të rinjtë duan punë, jo etiketime. Duan arsim cilësor, jo drejtoresha shkolle që mbajnë lista të zeza me emra protestuesish.
Ende nuk ka një logjikë fikse, sesi do të funksionojë dhe do të dalë opozita në zgjedhjet e reja. Ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim kërkon kandiatë të pastër. A duhet që të gjitha partitë, edhe ato që po krijohen për 25 prillit të bëhen bashkë nën siglën e PD-së? Në këtë kohë që të gjithë (partitë) kërkojnë largimin e kësaj qeverie, duhet që viti i ri të jetë një ogur për bashkim?
PD-ja nismoi Ligjin për Dekriminalizimin, që horrat mos të përfundojnë në parlament. PD-ja është partia më e madhe opozitare dhe alternativa më e madhe në zgjedhjet e ardhshme. Me Ramën në krye të punëve, Shqipërisë nuk i hapen negociatat. Ky është fakt, jo opinion. Trau që na ka vendosur BE është një mesazh për shqiptarët, të cilët duhet të kuptojnë se vetëm bashkimi e bën fuqinë. Protesta e studentëve solli shkarkimin e shumë ministrave, protesta për Klodianin solli largimin e ministrit të brendshëm. Këto janë tregues që kur bëhen bashkë shqiptarët, fitojnë mbi padrejtësitë. Rama dhe Veliaj e kanë liruar dorën me tendera e leje-ndërtimi sepse duan të marrin sa më shumë para përpara se të humbasin pushtetin. Kryeministri po i shtyn ditët me “kap ça të kapësh”. 25 prilli do i japë drejtim kësaj poshtërsie.
Në këtë kohë të pandemisë, vetëm 60% e studentëve ndjekin mësimin online. Nga ana tjetër, 2 milionë euro në muaj u kushton familjeve interneti me cilësi. Pjesa më e madhe e studentëve e ndjekin mësimin online nga celulari që sipas UNICEF e bankës botërore nuk është metodë eficente. Nëse do të ishit Ju ministër i Arsimit, çfarë do të bënit ndryshe?
UNICEF ka të drejtë në atë që thotë. Prandaj PD dhe kryetari Basha propozuan subvecionimin shtetëror të tabletave elektonike, mbështetje financiare në formën e paketës së ndihmës për familjet që nuk kanë akses në rrjet dhe për ato që nuk përballojnë dot pagesën e internetit. Mirëpo qeveria jo vetëm që nuk e miratoi këtë propozim-sugjerim, por na u vërsul me një seri akuzash politike, nga të cilat studentët nuk përfitojnë asgjë.
Akuza që nuk paguajnë faturat e studentëve, as nuk zgjidhin ndonjë prej problematikave. Ministria e Arsimit pa pikë përgjegjësie njoftoi studentët për “mësim nga shtëpia” ditën e nisjes së vitit mësimor. Ndërkohë që prindërit kishin paguar qira shtëpie, pagesë konvikti, e ku u shpenzuan miliona për akomodimin e fëmijëve të tyre, të cilët po të ishin njoftuar më parë, mund të qëndronin në shtëpitë e tyre ku janë edhe më të sigurtë.
Si ministër i arsimit, do të kisha shmangur këtë mega shpenzim të qytetarëve, e do kisha guximin politik të pranoja një propozim që i vjen në ndihmë studentëve dhe familjeve të tyre, sepse opozitarët nuk i shoh si “armiq të popullit”, por si shqiptarë që e duan vendin e tyre po aq sa unë. Duhet të kesh arsim e kulturë që të pranosh sugjerime e kritika.