Shtyhet përsëri dekreti i Nishanit për mbetjet, Kuvendi s’do ta shqyrtojë këtë të enjte

Një tjetër shtyrje për dekretin e Presidentit Nishani që kthen ligjin e mbetjeve. Parlamenti nuk do ta shqyrtojë atë as këtë të enjte, në seancë plenare. Arsyeja më shumë se proceduriale duket se është politike.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama
Dekreti i Presidentit Nishani, që kthen ligjin e mbetjeve, nuk do të shqyrtohet këtë të enjte në seancë plenare, pavarësisht se në kalendarin e punimeve të Kuvendit për muajin nëntor ishte programuar për në datën 24 nëntor. Në respekt të afateve të caktuara nga rregullorja, Komisioni i Veprimtarive Prodhuese duhej të shqyrtonte brenda të martës dekretin e Nishanit, që e cilëson  në kundërshtim me Kushtetutën atë pjesë të ligjit që lejon imporin e mbetjeve. “Nuk kemi ngut”, komentojnë jashtë kameras deputetë të Partisë Socialiste, ndërsa motivet që vazhdojnë të mbajnë në sirtaret e Kuvendit dekretin e Presidentit, duket se kanë të bëjnë më shumë me ekuilibrat brenda mazhorancës.
Rikthimi i importit të mbetjeve u prit me protesta nga shoqëria civile dhe Edi Rama kërkon ta ndajë përgjegjësinë me aleatin e tij kryesor, Ilir Metën. Por kreu i LSI-së është i ndërgjegjshëm se kosto elektorale, kur na ndajnë vetëm pak muaj nga zgjedhjet, nuk do të ishte e lehtë.
Mazhoranca i bëri disa amendime ligjit dhe u përpoq të fitojë kohë duke deklaruar se priste një opinion nga Komision Europian, i cili erdhi këtë fillim-jave, duke mbështetur draftin e Qeverisë.
“Duke mbajtur parasysh situatën specifike të Shqipërisë në fushën e menaxhimit të mbetjeve dhe mungesën e një infrastrukture të përshtatshme në vend për këtë menaxhim, ne besojmë se amendamentet ndaj Ligjit të Integruar të Mbetjeve janë të mirëadoptuara dhe i përshtaten Shqipërisë në këtë moment”.
Por shoqëria civile e ka bërë të ditur se nuk pranon korigjime të tekstit.
Për të distancuar veten nga çdo përgjegjësi me kosto elektorale, Lëvizja Socialiste për Integrim ka zhvilluar javët e fundit dy takime me përfaqësues të shoqërisë civile. Pasi u dëgjuan nga kreu i grupit parlamentar, Petrit Vasili, ata u pritën edhe nga Ilir Meta në zyrën e Kryetarit të Kuvendit, ku duket se kanë marrë edhe premtimin që prisnin.
Në të tilla kushte, gjasat janë se dekreti i Presidentit Nishani do të vazhdojë të mbetet në sirtaret e Kuvendit. Precedentët nuk mungojnë që nga koha e Jozefina Topallit, që  dekretet e Bamir Topit i la pezull për vite me rradhë. Pavarësisht kësaj, seancën e kaluar, Sali Berisha nuk ua kurseu sulmet kundërshtarëve në lidhje me dekretin e Presidentit Nishani për mbetjet, duke akuzuar të majtët për mos votimin e tij.
Pritja do të vazhdojë pavarësisht përgjigjes pozitive nga Brukseli. “Nuk kemi ngut”, thotë mazhoranca, për të mos thënë nuk kemi dakortësi! Rama ndjehet komod në refuzimin e Ilir Metës dhe në të njëjtën kohë qetëson deputetët e tij, si Erion Braçe, që edhe në mbledhjen e fundit të grupit parlamentar të PS-së e kanë këshilluar Kryeministrin të presë, për të evituar koston politike./ABC News

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?