Shtypi botëror për ngjarjet e djeshme në Shqipëri

Nga Zëri Amerikës/

Zgjerimi i Unazës, banorët përplasen me policinë
Protesta para parlamentit e disa qindra personave që manifestonin kundër projektit për zgjerimin e Unazës së re, në pjesën e njohur si “zona e Astirit”, për zbatimin e së cilit parashikohet të prishen afro 240 ndërtesa banimi dhe shërbimi, u kthye sot në një përplasje të dhunshme me policinë. Të paktën 13 efektivë të policisë u plagosën, mes tyre një 24 vjeçare e cila humbi disa nga gishtat e dorës ndërsa u përpoq të largonte nga supi një kapsollë plasëse​. Të lënduar pati dhe mes manifestuesve. Policia arrestoi 11 persona që morën pjesë në protestë.

Ngjarja u pasua dhe nga një përplasje e fortë politike. Kryeministri Edi Rama akuzoi opozitën si frymëzuese të kundërvënies së fortë të banorëve të zonës. “Kjo është një situatë që nuk ka ndodhur në Shqipëri, qysh kur kanë filluar prishjet masive për interes publik, që nga parku “Rinia” dhe me radhë. Pavarësisht kush ka qenë në qeveri, është hera e parë që një parti politike merr përsipër, bashkë me një grup njerëzish, – ku ka një pjesë që janë zaptues profesionistë trojesh dhe një pjesë tjetër janë të ngatërruar e të keqkuptuar pa lidhje, kundër interesit publik, – për të frenuar zhvillimin e një vepre që nuk kanë për ta frenuar dot”.

Këto komente zoti Rama i bëri pasi vizitoi në spital punonjësit e policisë të cilët mbetën të plagosur. “Prerja e gishtave të vajzës është vërtetë një vijë e kuqe që është vendosur sot mes atyre që kanë marrë përsipër t’i kundërvihen ligjit dhe Policisë së Shtetit që është në mbrojtje të ligjit dhe në mbrojtje të interesave publike dhe të komunitetit. Kjo është fare e qartë. Nuk ka shans që ligji të mos zbatohet njësoj për të gjithë dhe nuk ka shans që Polica e Shtetit të kthehet në shënjestër për kapsollat, për gurët apo për kërcënimet e një grupi njerëzish që duhet të largohen që aty”, u shpreh kryeministri.
Më herët dhe zëvendës ministri i Brendshëm, Sandër Lleshi e cilësoi “të papranueshme e të pakuptueshme që të goditet Policia e Shtetit në krye të detyrës. Konstatojmë për fat të keq, se ajo sot është goditur nga qytetarë të papërgjegjshëm, të cilët në shkelje të plotë të ligjit, ngrenë dorën mbi Policinë e Shtetit. Po ashtu Policia është goditur edhe nga përfaqësues të caktuar politikë, të cilët po ashtu në kushtet e papërgjegjshmërisë qytetare dhe politike, inspirojnë dhunë ndaj forcave të Policisë së Shtetit”. Zoti Lleshi ju drejtua me një thirrje “ edhe përfaqësuesve politikë të caktuar, të cilët mundohen të krijojnë kapital politik nga një konflikt civil, që të distancohen nga dhuna dhe nga aktet e papërgjegjshme dhe të vihen në mbështetje të Policisë”.
Në mbrëmje, ndërsa ju bashkua protestës së përditshme të banorëve në zonën e Astirit, në rrugën ku do të zbatohet projekti, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha evitoi ta konsideronte të dhunshme protestën para parlamentit. “T’i japim fund propagandës. Dhunën e filloi Edi Rama në Kuvend. Njeriu që frymëzoi dhunën me shprehje raciste ndaj qytetarëve është kryeministri i vendit. Edi Rama mban përgjegjësi për dhunën e ushtruar ndaj banorëve që po protestonin para Kuvendit. Ai mban përgjegjësi dhe do ta paguajë shtrenjtë dhunën, që ka shkaktuar disa viktima mes banorëve, gra me brinjë të thyera, zonja me shtyllën kurrizore të shembur. Ai do të paguajë edhe për gishtat e polices së plagosur në detyrë”. Sipas tij, kryeministri “po përdor propagandën për të vendosur policinë dhe popullin përballë, policinë dhe qytetarët përballë kur në fakt, si qytetarët, ashtu dhe policia janë në anën e ligjit dhe i vetmi në anën tjetër, të antiligjit, të shkeljes së ligjit, është Edi Rama, i cili po grabit 40 milionë euro të shqiptarëve për këtë projekt korruptiv”. Zoti Basha tha se “policia duhet të jetë në anën e ligjit dhe jo të mbrojë këtë vjedhje të shëmtuar, këtë krim që kryhet për të mbushur xhepat e Edi Ramës dhe klientëve të tij”.
Shashka dhe tymuese të shumta u hodhën paradite drejt oborrit të parlamentit ku ishin rreshtuar forca të shumta të policisë, të cilat sprapsën disa përpjekje të protestuesve për të çarë me forcë kordonin e krijuar prej tyre. Tensioni përpara parlamentit erdhi e u rrit ndërsa në sallë kryeministri Edi Rama duke folur për e zgjerimit të Unazës së re, ishte i prerë në qëndrimin e tij lidhur me zgjidhjen e ofruar për largimin e banorëve që preken. Sipas shifrave zyrtare bëhet fjalë për afro 240 objekte me së të cilave, banesa por dhe mjedise shërbimi. Afro gjysma rezultojnë të jenë ndërtime pa leje dhe në proces legalizimi. Kryeministri deklaroi në parlament, se për ata që kanë godinat me leje do të bëhet shpronësim i plotë sipas ligjit, ndërsa për banesat pa leje do të ofrohet 3 vjet qera. Zoti Rama tha se mes atyre që kanë ndërtime pa leje ka dhe nga ata që rezultojnë të kenë të tilla dhe në zona të tjera të Tiranës apo qytete të tjera të vendit.
Të njejtim qëndrim të prerë kreyministri konfirmoi dhe pasdite. “Ata që kanë letrat e pronës do të dëmshpërblehen si të gjithë në Republikën e Shqipërisë gjatë gjithë viteve, qofshin me tituj të vjetër, qofshin edhe të legalizuar, ashtu siç janë legalizuar, por kjo nuk ka rëndësi sepse zbatohet ligji. Ata që janë aty, vetëm me një strehë dhe nuk kanë gjë tjetër do të marrin bonusin e qerasë 3 vjet si gjithë të tjerët në këto raste, bonus qeraje që nuk do e merrnin kurrë përpara 2013 dhe e marrin pas 2013. Të tjerët duhet të largohen sa më parë se nuk do marrin absolutisht as edhe një gjë. Përkundrazi, sa më shumë i bien ndesh ligjit, aq më shumë do përballen me ligjin.”, paralajmëroi kryeministri.
Pas protestës, policia njoftoi se kishte arrestuar 11 persona, pjesmarrës në protestën e dhunshme përpara parlamentit. Ata akuzohen për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe në manifestime të paligjshme”, “Prishje e rendit dhe qetësisë publike” si dhe “Goditja për shkak të detyrës”.
Për zhvillimet e sotme reagoi me shqetësim dhe presidenti Ilir Meta nga Shkupi ku ndodhet për vizitë zyrtare. Zoti Meta “shpreh keqardhjen më të thellë për aktet e dhunshme të shfaqur gjatë kësaj proteste dhe u bën thirrje të gjitha palëve të përfshira që të shmangin çdo përplasje dhe të vendosin sa më parë një dialog institucional në mënyrë që ankesat e banorëve të shqyrtohen duke i dhënë një zgjidhje kësaj situate”, theksohet në reagimin e Kreut të Shtetit, duke shtuar se “pasi u njoh me raportimet, se disa efektivë të Policisë së Shtetit dhe protestues paqësorë janë lënduar, Presidenti i Republikës, shpreh keqardhjen më të thellë dhe u uron shërim sa më të shpejtë”.
Përmes deklaratës “Presidenti Meta dënon aktet e dhunshme dhe u bën thirrje të gjitha palëve të distancohen menjëherë nga dhuna dhe të bëjnë maksimumin për të shmangur konfliktin dhe gjuhën së forcës së përdorur në këtë çështje”, ndërsa “kërkon urgjentisht rivendosjen e dialogut me banorët e prekur nga ky projekt për të gjetur një zgjidhje të drejtë për të gjithë qytetarët dhe interesin publik”. Kreu i Shtetit i bëri gjithashtu thirrje “politikës të tregohet e kujdesshme dhe të japë mesazhe bashkëpunimi e dialogu, ndërkohë që nxitësit e dhunës duhet të izolohen”./VOA/

Nga radio gjermane shtetrore DW/

Dhunë në protestën e banorëve në Tiranë

Protesta e banorëve që kundërshtojnë prishjen e banesave në gjurmën e projektit së Unazës së Re, ka arritur kulmin mesditën e 22 Nëntorit.

Protesta ka nisur 19 ditë më parë nga banorët e zonës së Astirit në Tiranë, të cilët kundërshtojnë prishjen e banesave të tyre që ndodhen në gjurmën e projektit të Unazës së Re. Teksa në Parlamentin e Shqipërisë diskutohej për buxhetin e vitit 2019, jashtë ambienteve të tij protestuesit janë përleshur me forcat e rendit dhe të sigurisë publike.
Fillimisht protestuesit janë tubuar me pankarta në duar ku shkruhej “Të mjerë, të pashpirt, të çmendur”, duke u mbështetur edhe nga përfaqësues të opozitës. Më pas situata është rënduar, deri në përdorimin e dhunës.
Sipas Këshilltarit për Mediat në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Gentian Mullai, mësohet se janë plagosur 13 efektivë policie, të cilët janë nën kujdesin mjekësor në Spitalin Universitar të Traumës. “Dy prej tyre janë në gjendje më të rëndë. Një police ka humbur gishtat e dorës nga lëndët piroteknike të përdorura nga protestuesit, ndërsa polici tjetër ka humbur dëgjimin” – i tha Mullai Deutsche Welle-s.
Disa të plagosur
Mes të lënduarve nga përleshja e dhunshme rezulton të ketë edhe protestues, tre prej të cilëve janë transportuar për të marrë ndihmë mjekësorë në spital. Ndërkohë burime nga policia e Tiranës bëjnë me dije se kanë shoqëruar 11 protestues, të cilët akuzohen për veprat penale: “plagosje të rëndë me dashje”, “organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, “prishje e rendit dhe qetësisë publike” si dhe “goditje për shkak të detyrës”.
Në lidhje me ngjarjen reaguan kryeministri Edi Rama, i cili i konsideroi protestuesit si “zaptues profesionistë” dhe tha se “shqiptarët nuk do të punojnë për ata që kanë shkelur ligjin”, duke iu referuar taksave të qytetarëve dhe dëmshpërblimeve, që kërkojnë banorët e prekur nga prishja e banesave.
Përgjatë orëve të pasdites ai vizitoi nga afër efektivët e policisë në ambientet e spitalit të Traumës. Më herët, atje ishte edhe ministri i dekretuar i Brendshëm Sandër Lleshi, i cili deklaroi se “ata që kanë guxuar të ngrenë dorë, mos ta kuptojnë tolerancën si dobësi. Nuk është akt dobësie dhe nuk ka për t’u toleruar”.
Protesta dhe dëmshpërblimet
Banorët e zonës së “Astirit” prej 19 ditësh protestojnë në mënyrë të pandërprerë, me qëllim përfitimin e dëmshpërblimeve me vlerën reale të tregut. Nga 242 objekte të cilat do të prishen, shifër e bërë publike nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, qeveria do të dëmshpërblejë vetëm ata të cilët disponojnë çertifikatën e pronësisë.
Ndërsa Bashkia e Tiranës ka deklaruar pak kohë më parë se do të japë një bonues qiraje për një periudhë 3-vjeçare për të gjithë ata që nuk do të dëmshpërblehen pasi nuk kanë banesa të legalizuara. Kostoja totale e këtij projekti është denoncuar vazhdimisht nga opozita e vendit, e cila e ka akuzuar qeverinë aktuale për korrupsion, duke pretenduar se për 2.2 kilometër rrugë do të shpenzohen 40 milionë euro.
Projekti i Unazës së Re
Autoriteti Rrugor Shqiptar bëri publik më herët lajmin se gjurma e këtij projekti daton që në vitin 1989, që në kohën e qeverisë komuniste të Adil Çarçanit. Projekti aktual ecën në të njëjtën gjurmë. Ky projekt parashikon të bashkojë Shkollën Teknologjike me sheshrrotullimin “Shqiponja” dhe në përbërje të tij janë parashikuar tre lote, me mbikalime dhe nënkalime, të cilat synojnë të shmangin trafikun gjithnjë e më të rënduar të kryeqytetit.

SHKARKO APP