Si e goditi Ditmir Bushati Ramën: Demokracia nuk është zëvendësim i një liste emrash
Në një kohë kur Edi Rama shprehej se nuk ka ndërmend t’i lërë asnjë derë hapur opozitës dhe se këta të fundit do duhet ta harrojnë një marrëveshje politike të negociuar nga ndërkombëtarët, ish Ministri i tij i Jashtëm Ditmir Bushati e ka goditur po nga parlamenti këtë të mërkurë.
Gjatë fjalës së tij në kuvend, Bushati është shprehur se pavarësisht largimit të opozitës, Partia Socialiste nuk duhet të jetë arrogante, një fjali ‘diplomatike’, por që nënkupton një sulm direkt ndaj Edi Ramës, kryetarit që dominon prej 14 vitesh PS-në.
Më tutje, Bushati ka folur në lidhje me reformën zgjedhore por në një moment të fjalës së tij ish Ministri është ndalur të shpjegojë se demokracia nuk është thjesht një procedurë, ku disa emra zëvendësohen sipas listës. Bushati ka kërkuar që marrëveshja për kodin zgjedhor të kryhet me të gjitha palët, duke nënkuptuar në rradhë të parë opozitën e dalë tashmë nga parlamenti.
“Duke dalë nga Parlamenti, unë jam i bindur se opozita ka dëshmuar një lloj frike dhe kapitullimi, por kjo nuk mund të na bëjë ne të jemi arrogantë. Kjo nuk mund të na bëjë ne të shpenzojmë orë të tëra duke u marrë me protestat e opozitës. Ne nuk mund të biem në kurthin e profecisë vetëpërmbushëse. Ne jemi Partia Socialiste e Shqipërisë, ne jemi socialistë, demokratë, progresistë. Ne duam të ndërtojmë një shoqëri më të drejtë, më të mirë, për fëmijët tanë, por edhe për fëmijët e opozitës që nuk janë në sallë. Kjo është arsyeja pse e mbështes propozimin e Damian Gjiknurit për t’i ofruar një hapësirë më të madhe gjithë aktorëve politikë. Sepse unë nuk e konceptojë demokracinë si procedurë të thjeshtë. demokracia procedurë është zëvendësimi i formal i listës së PD dhe LSI, por demokracia është dhe thelb. Dhe fakti që ne krijojmë mundësinë për një marrëveshje të ardhshme për Kodin Zgjedhor, për rregullat e lojës, qoftë me opozitën parlamentare, por mbi të gjitha me opozitën politike besoj se është shprehja më e lartë e ndërgjegjësimit që ka PS, socialistët dhe progresistët shqiptarë, për fatet e demokracisë dhe fatet e Shqipërisë…”-tha Bushati.
Bushati tha se duhet që zoti Ruçi, Ulqini, Majko e të tjerë deputetë me përvojë të marrin situatën në dorë që të bindin PS dhe opozitën për uljen në bisedime, për të gjetur udhën e arsyes e jo të arrogancës.
“Ne jemi sot për sot në udhëkryq të madh. Lexova “Financial Times”, një prej gazetave më prestigjioze në botë. E dini me çfarë hapej në faqen e parë? Me foton selfie të kryeministrit të Maqedonisë me kryeministrin grek, për arritjen e madhe historike, pas tre dekadash. Dhe unë sot pyes, si ka mundësi Z. Ruçi, si kryetar i Kuvendit si politikan me eksperiencë, si ka mundësi Z. Ulqini, si ka mundësi Z. Majko e deri te kolegia që foli për herë të parë në këtë Parlament; përse kur grekët dhe maqedonasit e gjekan gjuhën për të parë përpara, ne nuk paskemi mundësi për të gjejmë gjuhën me njeri-tjetrin? A jemi të gjithë shqiptarë? A jemi pjesë e një kombi? Përse e kemi kaq të vështirë të turpërojmë veten tonë lart e poshtë? Përse nuk e gjejmë dot ne gjuhën për të parë përpara? Çfarë do t’i themi ne sot një 30-vjeçari?”-tha Bushati.
Këto mesazhe të Bushatit vijnë në një kohë kur Rama ka rritur presionin për të qëndruar fort në pozicionin e mosdiskutimit me opozitën. Kryeministri nuk sheh asnjë lloj krize politike dhe ligjore, madje sot haptazi është shprehur se nuk do të ketë asnjë marrëveshje e asnjë negocim me ndërkombëtarët. E teksa Rama fliste për qëndrime fikse, në parlament nuk harroi që të luante një show ‘të maces me miun’ me opozitën ‘e re’, duke e sulmuar një herë e duke e ledhatuar rradhën tjetër./Express