Si Rama shtyu zgjedhjet dhe shkeli Kushtetutën vetëm për tekën e certifikatave në vitin 2007
Kryeministri Edi Rama u shfaq sot para mediave si politikani nuk mund të pranojë të negociojë me kundërshtarin politik duke shkelur Kushtetutën. Duke përjashtuar çdo mundësi për marrëveshje me kërkesat e opozitës, kryeministri tha se “Kushtetua e ndalon të shtyjë datën e zgjedhjeve”.
Por vetëm 12 vite më parë, kur PS ishte në opozitë, është pikërisht Edi Rama ai që detyroi mazhorancën dhe Presidentin e asaj kohe të ndryshonin Kushtetutën brenda natës, vetëm që ai hynte në zgjedhje.
Në vitin 2007, Partia Socialiste kërcënonte PD-në dhe ndërkombëtarët se do të bojkotonte zgjedhjet vendore dhe do të destabilizonte vendin, pasi opozita nuk kishte garanci për proces të rregullt. Kjo krizë njihet me termin “Kriza e certifikatave”, pasi PS pretendonte se qeveria “Berisha” do të manipulonte zgjedhjet duke lejuar që qytetarët të përdorin si dokument identifikimi certifikatat e rregullta që lëshon Zyra e Gjendjes Civile.
Presidenti i asaj kohe Alfred Moisu kishte dekretuar datën e zgjedhjeve 20 janar 2007, por PS tentoi me të gjitha mënyrat, me protesta, bojkot dhe me mosregjistrim kandidatësh për ta mos marrë pjesë në këtë proces. Pas bojkotit disa mujor dhe kërcënimeve se opozita do të destabilizonte vendin, palët u detyruan të arrijnë një marrëveshje politike që ndryshoi në kohë rekord Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor, vetëm për të hequr merakun e Edi Ramës për certifikatat, të cilat në fund të fundit janë dokument i dalë nga zyrat e shtetit dhe s’mund të falsifikoheshin. Madje me kërkesë të Edi Ramës, Kushtetuta u ndryshua brenda 24 orëve nga arritja e marrëveshjes politike.
Më 12 Janar 2007, forcat politike dhe koalicionet arritën një marrëveshje në një tryezë të rrumbullakët të iniciuar dhe drejtuar nga Presidenti Alfred Moisiu. Kjo lejoi rifillimin e procesit zgjedhor. Kuvendi, vetëm 24 orë pas marrëveshjes politike, më 13 janar, amendoi Kushtetutën, Kodin Zgjedhor, si edhe Ligjin për Radion dhe Televizionin Publik dhe Privat. Më 14 janar, Presidenti përcaktoi 18 shkurtin si datën e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”.
Pra, edhe në vitin 2007 Kushtetuta për të cilën sot betohet Edi Rama nuk e lejonte shtyrjen e zgjedhjeve, por mazhoranca për të mos shkuar në proces pa opozitën u detyrua të ulet në tavolinë bisedimesh. Ironia është se Kushtetuta u ndryshua vetëm për tekën personale të Edi Ramës për certifikatat dhe nuk kishte akuza për vjedhje votash, bashkëpunim me krimin dhe gjithë sistemin e manipulimit që është perfeksionuar sot për vjedhjen e zgjedhjeve nga qeveria.
Lidhur me shtyrjen e zgjedhjeve, në dhjetor të vitit 2006, Edi Rama deklaronte për mediat: “Shtyrja e datës së zgjedhjeve është një hap i rëndësishëm në rrugën e garantimit të standardeve“.
Ndërsa po më dhjetor të vitit 2006, Asambleja e PS mori vendimin që të bojkotoheshin zgjedhjet për certifikatat. Deklarata e PS-së së atij viti vlen të risillet si argument në krizë aktuale politike. Me këtë deklaratë PS deklaroi mos regjistrimin në zgjedhje: “Procesi elektoral në Shqiperi ka hyrë sot në rreth vicioz dhe zgjedhjet e lira e të ndershme në kushtet e sotme janë plotësisht të kompromentuara. PS distancohet nga çdo proces elektoral antikushtetues e antiligjor pa standarde demokratike, që synon deformimin e vullnetit të zgjedhësve shqiptare më 20 Janar 2007 dhe imponimin e dhunshëm të një farse ku asnjë forcë progresiste nuk mund të marrë pjesë.
Kërkojmë të shmanget kriza ku ka hyrë procesi zgjedhor dhe krijimi i kushteve për të garantuar zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme në përputhje me standardet demokratike, të cilat duhet të zhvillohen me një kod zgjedhor, riformulimi i të cilit duhet bazuar në rekomandimet e OSBE-ODHIR.
PS rikonfrimon vullnetin e palëkundur për të hapur një kapitull të ri në historinë e zgjedhjeve në Shqipëri, duke ofruar konsenus për arritjet e standardeve demokratike zgjedhore dhe duke refuzuar çdo rregull apo udhëzim të imponuar në rrugë të njëanshme, që zgjat zinxhirin e zgjedhjeve të kontesuara, të deformuara e të papranueshme për vizionin tonë europian për Shqipërinë”.
M.Xh