Si u njoftua Basha për eurot në “Toyota Yaris”
Aktualitet Politikë E Premte, 11 Shkurt 2022 14:56
Nga Artan Hoxha
Një ndihmë e vogël për Bashën, që nuk dëshmon dot se nga e mori informacionin për ardhjen e Toyota Yaris me 1.5 milionë euro të narkotrafikut.
Por dhe një indicie për prokurorët belgë, përpara se të largohen nga Shqipëria, që të mos lodhen më me linjen Bruksel-Tiranë, për të marrë në pyetje shefin e PD-së zyrtare.
Pyetja bazë e prokurorëve federalë belgë, por dhe e opinionit shqiptar, është si e mori vesh Lulzim Basha se drejt Shqipërisë po vintë një autoveturë me një sasi të madhe parash të narkotrafikut??!!
Saktësia e informacionit që ai publikoi në Kuvendin e Shqipërisë më 22 qershor 2018, është e denjë për skena filmash të Netflix.
Informacioni i Bashës, ishte aq i saktë, sa duket e çuditshme pse pronarët e 3.4 milionë eurove vendosën të mos e ndryshonin itinerarin e trajlerit të nisur nga Belgjika.
Ngjarjet në 48 orët ne vijim, u zhvilluan pikë për pikë siç e deklaroi Basha në Kuvend.
Me të vetmin ndryshim, paratë nuk ishin të grupeve të Elbasanit, që kishin lidhje me pushtetin siç tha Basha, por të një grupi tjetër, i cili për fat të keq rezultoi se kishte lidhje me Bashën dhe partinë e tij.
Mundesitë që kreu i opozitës të kishte këtë informacion kaq të saktë, për një lëvizje miliona eurosh të krimit të organizuar janë vetëm dy.
E para: njëri nga grupet kriminale rivale njoftoi opozitën në mënyrë që operacioni i kundërshtarëve te tyre të bëhej publik dhe paratë të kapeshin duke dëmtuar rëndë rivalët.
E dyta; informacioni “rrodhi” nga ndonjë agjensi e zbatimit të ligjit, ku një zyrtar “dashamires” i opozitës, duke mos patur besim tek eprorët e tij, njoftoi për dijeni dhe Lulzim Bashën…
Kronologjia e ngjarjes rrodhi në këtë mënyrë:
22 qershor 2018,
Basha denoncon në kuvend transferimin e parave të narkotrafikut nga Europa drejt Shqipërisë, prej nje organizate kriminale, e cila ka lidhje me qeverinë e Ramës dhe me eksponentë të rëndesishëm të PS-së.
Ai tha se 1.5 milionë euro po vinin në Shqipëri me një Toyota Yaris.
24 qershor 2018.
Policia e Shtetit, bën “bingo”, pasi ndalon në portin e Durrësit një trajler që vinte nga Belgjika, në të cilin u kapën dy autovetura Toyota Auris, me 3.4 milionë euro brenda tyre.
Por çfarë ka ndodhur në të vërtetë?!
Më datë 20 qershor 2018, 48 orë perpara se shefi opozitës të fliste në Kuvendin e Shqipërisë, një mesazh mbërrin në telefonin e një drejtuesi të lartë të shtetit shqiptar.
Saktësisht në orën 09:31 minuta të datës 20 qershor 2018, një person që identifikohet si punonjës i Shërbimit Informativ Shqiptar, njofton se një mjet transporti, karroatrec me disa vetura të ngarkuara sipër tij, pritet të futet në territorin e Shqipërisë deri në mbrëmje.
Informatori thotë se një veturë po transporton një sasi të madhe parash për llogari të një klani trafiku.
Burimi është aq i bindur në informacionin e tij sa jep të dhëna për targen e mjetit, madje dhe emrin e shoferit.
Ai sqaron se, me “90% paratë do hyjnë nga Porti i Durrësit”.
Por thotë se paratë mund të hyjnë dhe nga pikat e kalimit kufitar në veri të Shqipërisë, në Muriqan ose në Hanin e Hotit.
Në fund dërguesi i mesazhit, edhe pse është punonjës shteti, kërkon të ngelet 100% anonim, madje uron që kapja e parave të realizohet nga policia…
Këtë sms (që nuk e di nëse ndodhet në dosjen e prokurorisë) të derguar një drejtuesi të lartë të shtetit, dy ditë përpara se shefi opozitës të fliste në Kuvend dhe 4 ditë përpara se të kapej ngarkesa me 3.4 milionë euro, po publikoj më poshtë.
Ky fakt, uroj së paku te kthjellojë shefin e PD-se, Lulzim Basha se nga i ka ardhur informacioni.
Por dhe të orientojë prokurorët belgë, për çfarë saktësisht ta pyesin dëshmitarin e vyer të tyre…

KOHA JONË SONDAZH