Si u përmbyt “Tv Klan” me dezinfektantë dhe pse u ça çatia e Fevzos kur mbërriti Rama?!
Ky koronavirus dhe kjo pandemi po sjell ngjarje kaq të çuditshme, tronditëse, gati gati të pabesueshme.
Një e tillë ndodhi dje në mbrëmje, përpara emisionit “Opinion” të zotni Blendi Fevziut, në debatin mes Edi Ramës dhe disa gazetarëve.
Atë çka ndodhi në ekran, e ndoqi një popullatë jo e vogël, por ajo që ndodhi jashtë ekranit, është e çuditshme dhe e pandodhur ndonjëherë, që nga koha kur u shpik televizionit dhe deri më sot.
Pas fillimit të emisionit, gazetari i njohur, Lenci Vangjeli, fshehtas kameras, filloi t’i bënte shenja Fevziut, duke i treguar se brenda dhe sidomos rreth e qark tij, po binte shumë shi.
Ç’kishte ndodhur vallë? Si ka mundësi të çahet çatia e studios më të madhe të vendit tonë dhe të mbarë rajonit?!
Ç’ishte ky vërshim ujrash, që mund të rrezikonte jo vetëm studion dhe takëmet e saj, por edhe kryeministrin, gazetarët e njohur, deri edhe vetë Fevzon?!
E vërteta e asaj që po ndodhte, ishte edhe për të qarë edhe për të qeshur. Ja ç’kishte ngjarë në fakt!
Dalja e Ramës live në studion e Fevzos, kërkonte masa të ashpra sigurie, jo vetëm me pjesëmarrjen e forcave të gardës dhe të sigurisë, por mbi të gjitha kërkoheshin masa të ashpra sigurie kundër koronavirusit.
Dyshimet kryesore ishin, se mos ndonjëri nga gazetarët, apo operatorët, ishte i infektuar, kur dihej që njëri prej tyre, e kishte kaluar virusin.
Për këtë arsye, i gjithë televizioni Klan, sigurisht me urdhër nga lart, u spërkat me një sasi të madhe dezinfektanti dhe veçanërisht studio “Opinion” e Fevziut, gati u përmbyt nga shtëllungat e dendura që lë pas solucioni.
Aq mjegull ishte situata, saqë 30 minuta përpara emisionit, kur Fevzo mbërriti në studio, nuk mund të bënte asnjë hap brenda.
Si do të zgjidhej ky ngërç?
Njoftimi që edhe Edi Rama ishte nisur drejt Klanit, e rriti edhe më tej tensionin. Tmerr i madh! Emisioni po anullohej, në një moment shumë deçiziv.
Për një çast Fevzo u kujtua dhe vrapoi një kat më lart, për të parë nëse mund ta transferonte debatin me Ramën, tek studio e Ardit Gjebresë. Kur pa hapësirat e pafundme, të frikshme, me rafte, që shërbenin për PR-in e ushqimeve dhe sallamerisë, në formë dyqani dhe sidomos këndin e gjyqit të zonjës Eni, Fevzo u kthye dhe u largua me vrap.
Gjithçka po shkonte keq e më keq, por befas, u shfaq Sandri dhe si nëpër filmat turq, që transmeton Klani, sa hap e mbyll sytë, çdo gjë ndryshoi, sigurisht për mirë.
Siç thotë populli, vetë i zoti e nxjerr gomarin nga balta dhe në këtë atmosferë trullosëse dhe bllokuese, Sandri bëri veprimin më të thjeshtë në botë. Ai urdhëroi që të çahej çatia, e ndërtuar me lëndë të çmontueshme dhe çdo gjë u zgjidh, si me magji. Reja e madhe e dezinfektantit, dalëngadalë filloi të dalë nga çatia e shqyer.
Pesë minuta më pas, debati filloi dhe gjithçka eci siç e patë, por edhe me detaje që s’mundët t’i shihnit.
Populli pa, që një pjesë të emisionit, Edi Rama filloi të vërititej nëpër studio si aktor i tragjedive dhe komedive antike. Dukej, që përveç sikletit të madh të inceneratorëve, e kishte zënë, dezinfektanti i Fevziut, që nuk ishte larguar plotësisht.
Më fatkeq nga të gjithë, në këtë debat, ishte Lenc Vangjeli. Shiu i madh që i binte rreth e qark, jo vetëm nuk e la të merrte pjesë në bisedë, por ja thau edhe pyetjen në gojë.
Ndodhitë dhe lajthitjet e tjera, të nderuar lexues, ju i ndoqët vetë live…
/TPZ.al. Rubrika satirike “Tej e këtej”/