Situata me zjarret, Berisha: Qytetarët të braktisur, ushtria përdoret për të konfiskuar kompjuterët e gazetarëve
Kryetari i PD-së, Sali Berisha e quan një emergjencë kombëtare jashtë kontrollit, situatën me zjarret në vend. Ai tha se në dy ditët e fundit Shqipëria ka përjetuar dëmet më të rënda nga flakët në historinë e saj, me mijëra hektarë pyje, kullota dhe pemë frutore të djegura, dhjetëra shtëpi të shkatërruara, gjë të gjallë të humbur dhe viktima.
Sipas Berishës, qytetarët nga jugu në veri janë lënë të pambrojtur nga shteti, ndërsa zona si Delvina, Fushë-Arrëzi dhe Gramshi ndodhen në rrethim flakësh. Ai akuzoi qeverinë se në vend të mobilizimit për shuarjen e zjarreve dhe mbrojtjen e popullatës, po përdor forcat e armatosura dhe policinë për të marrë pajisjet e gazetarëve.
Berisha pretendoi se mjetet e ushtrisë nuk po përdoren për evakuime, por për “plaçkitje” të mjeteve të punës së mediave. Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama për mungesë përgjegjësie dhe shpërdorim fondesh, duke përmendur 21 milionë euro të shpenzuara për udhëtime me çarter, 7 milionë euro për “Giro d’Italia”. Sipas tij, këto fonde do të mjaftonin për blerjen e avionëve zjarrfikës dhe dhjetëra mjeteve të reja për emergjenca, ndërsa aktualisht po përdoren vetëm pajisje të blera 15-20 vite më parë.
Fjala e plotë
Ditët e fundit kanë qenë kritike për mijëra e mijëra banorë në të katër anët e vendit që panë tmerre nga flakët dhe zjarret e papërmbajtura, në të cilat u dogjën mijëra hektarë pyje, kullota, dru frutorë. Me dhjetëra shtëpi, gjë e gjallë. Humbën jetën njerëz, u plagosën, u dogjën me djegie të shkallëve të ndryshme, një seri qytetarësh. Shqipëria në memorie nuk ka patur, nuk ka qenë ndonjëherë në flakë si dy ditët e fundit. Por kjo gjendje emergjence kombëtare i gjen qytetarët shqiptarë nga jugu në veri, pothuajse tërësisht të braktisur nga narkoshteti.
Delvina është e rrethuar nga flakët, fshatrat e Fushë Arrezit gjithashtu. Gramsh, vazhdon shkatërrimi, djegia e gjësë së gjallë. Në dhjetëra zona është një situatë tërësisht jashtë kontrollit. Nëqoftëse ka një situatë që quhet emergjencë kombëtare, për çdo shqiptar përveç se narkoqeveritarët, kjo është një emergjencë kombëtare. Në vend të mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, këshilli vazhdon ahengjet nëpër festa të bashkive lokale. Forcat e armatosura dhe qindra policë përdoren për të pushtuar televizionin News24, për të rrëmbyer. Kamionët e tyre përdoren jo për të evakuuar gjënë e gjallë, njerëzit nga zonat e zjarrit, por për të plaçkitur dhe grabitur kompjuterat, laptopët, tavolinat e punës, mjetet e punës së gazetarëve, nga njerëz që nuk kanë ligj e as moral.
Prapa këtij krimi të shëmtuar qëndron Edi Rama. Prapa kësaj situate dramatike qëndron Edi Rama. Po. Po. Rikujtoj shqiptarëve se 21 milionë euro shpenzime udhëtimesh me çarter në dispozicion. Vetëm këto po marrim. Se 7 mln euro për ‘Giro d’Italia’ dhënë një kompanie private për të mashtruar shqiptarët për zgjedhje. Se 50 mln euro të vjedhura së bashku me Lubi Ballukun në tunelin e Llogarasë, të evidentuar qartësisht, do të kishte Shqipëria sot ‘CanadAir-in’ e vet, do të kishte Shqipëria sot qindra zjarrfikëse.
Po disponohen vetëm mjetet e blera 15-20 vitet më parë, edhe ato të përgjysmuara se edhe helikopterët janë zhdukur. Kurse urdhëri i zbatuar nga një kriminel i damkosur siç është Ardi Veliu, urdhëri i Edi Ramës i zbatuar nga një kriminel i damkosur siç është Ardi Veliu, për të plaçkitur dhe rrëmbyer kompjuterat dhe laptopët e gazetarëve ku janë dosjet e Edi Ramës, dosjet kriminale të Edi Ramës. Janë dosjet kriminale të Olsi Ramës. Janë dosjet kriminale të Lubi Ballukut, të Taulant Ballës dhe qeveritarëve të tjerë. Është një akt i shëmtuar antikushtetues. Është një akt direkt i drejtuar nga Edi Rama, është një përsëritje e aktit të Altin Troplinit ndaj gazetarit të njohur Elton Qyno, që si bandit i rrëmbeu kompjuterin dhe telefonin dhe e mori peng, duke shkelur çdo normë.
Pra unë mora vetëm këto elementë të ndërlidhur, por natyrisht sot Shqipëria kurrë nuk do të ishte në mëshirën e flakëve nëqoftëse narkoqeveria nuk do të ishte një plaçkitëse e madhe e shqiptarëve. Unë jam këtu për të falënderuar dhe shpreh solidaritetin tim më të madh, para të gjithë atyre shqiptarëve zjarrfikës, apo në funksione të tjera dhe qytetarë, që u përballën me flakë dhe zjarret në kushtet më të vështira. Falënderoj gjithashtu misionet e ardhura nga BE-ja dhe vendet partnere të cilat po luftojnë zjarrin krah për krah me banorët në zonat e vendit.
KOHA JONË SONDAZH

