S’ka shpresa se realiteti mund të ndryshojë!
Fjala e plote e Luan Rames ne Kuvend (12 shtator 2017) kur debatohej programi i qeverise “Rama II”
Jo thjeshtë dhe vetëm në respekt formal për solemnitetin e seancës së debatit në Kuvend për programin e qeverisë së re, por edhe si dëshmi përgjegjësie e serioziteti në vlerësimin e programit që na është paraqitur, jam përpjekur të gjej arsye për ta motivuar veten se përse duhet ta votoj këtë program.
Sepse, para së gjithash është programi i qeverisë së vendit tim, është rruga që na projektohet për zhvillimin e atdheut tonë të përbashkët dhe nëpër të cilën do të ecim përgjatë katër viteve të ardhshëm.
Të paktën kështu presupozohet. E vlerësuar sipas këtij fokusi, m’u desh të rikthehem katër vite më pas, për të bërë një vlerësim krahasues mes asaj që kemi propozuar e realizuar bashkë, me atë që na propozon sot qeveria e re, që jo ratësisht e jo pa domethënie, nuk është më “Qeveria për Shqipërinë Europiane”!
Para katër vitesh Shqipëria ishte në rrënim ekonomik, pavarësisht referencave të krahasimit!
Sot, sëpaku kemi një rritje ekonomike të qëndrueshme, dhe kjo do të thotë se mund e duhej të prisnim një përfytyrim më të qartë e më realist se ku do të mbërrijmë në fund të këtij mandati qeverisës.
Mirëpo, unë vërej se katër vite më parë, kishim më shumë qartësi se sot. Kishim më shumë angazhim, më shumë realizëm, më shumë përgjegjshmëri. Madje, edhe nga ana stilistikore e qartësia e mendimit, kishte më shumë kujdes dhe elegancë. Thënë ndryshe, kishte më shumë respekt për Kuvendin, më shumë respekt edhe për vetëveten nga ana e qeverisë e më shumë përulësi përballë qytetarëve.
Katër vjet më parë jam shprehur se kemi një program të kuruar me kujdes në çdo fjalë e paragraf.
Sot as këtë nuk mund ta them. Programi që po diskutojmë i ngjan vetë fushatës; pa angazhim, pa projekte, aspak pretencioz, pa konturet e cakut ku synojmë të mbërrijmë!
Më duhet ta ritheksoj se qeveritë ndryshojnë qoftë në pikëpamje të shumicave që krijohen; qoftë prej filozofisë ku mbështeten siç edhe ka ndodhur, apo qoftë edhe prej grupimeve.
Por bashkë me qeveritë, nuk mund e nuk duhet të ndryshojnë edhe strategjitë!
Qeveritë, teksa pasojnë njëra-tjetrën, kanë më se mjaftueshmërisht gjëra për të ndryshuar në projektet e tyre, prej preferencave deri tek referencat.
Por orientimet strategjike, përparësitë strategjike, synimet strategjike dhe aleatët strategjikë nuk ndryshojnë, sepse qëndrojnë mbi mandatet e qeverive.
Sa u takon raporteve me strategjitë, çdo qeveri e re që mandatohet e ka në përgjegjësinë e vet të jetë konservatore. Aleatet strategjikë për shembull, nuk ndryshojnë për pragmatizëm, sepse raportet dhe marrdhëniet strategjike, përcaktohen nga interesat strategjike, por kushtëzohen edhe prej kujtimeve historike, nga simpatite dhe empatitë midis popujve, nga gjurmët e së shkuarës, nga emocionet e historisë e kështu me rradhë.
Me të drejte lind pyetja: po si mund të dallohet një qeveri që vjen, prej paraardhëses së vet?
Për mendimin tim dallimi shprehet në ato që quhen kontribute shtesë. Në këtë kuptim, mundësia e vetëdallimit të një qeverie shprehet tek politikat e punësimit, të pagave, mbrojtjes së minimumit jetik (që meqë ra fjala qeveria duhet ta deklarojë sa është sot e sa merr përsipër ta çojë në katër vjet), tek politikat e mbrojtjes së të drejtës së jetës, sigurisë në familje e në bashkësi.
Mirëpo, për këto programi i qeverisë nuk merr përsipër asgjë në mënyrë konkrete e bindëse!
Shpesh kur flitet për minimum jetik, kjo perceprohet edhe prej vetë ministrave si prag ekzistencial jetese.
Une personalisht e kuptoj këtë të lidhur me cilësinë e jetës në përgjithësi, që do të thotë jo vetëm me bukën e përditëshme, por edhe me ushqimin shpirtëror: çfarë i ofrohet me politikat kulturore qytetarit; në media, në shtyp, në skenë, në ekran, me librin, në mjedisin etno-kulturor etj.
Në fund të fundit, fytyra e një qeverisjeje përdallohet esencialisht prej qëndrimit që mban ndaj kulturës e shkencës.
Sepse kultura është paqe, është përparim, është rend, është siguri, është integrim e në krye të të gjithave është identitet.
Por, pa bërë kritizerin “ex catedra”, më lejoni të komentoj vetëm disa prej fjalëve kyç të Programit të Qeverisë.
1. Shteti ligjor dhe drejtësia e re!
Kështu emërtohet një prej kapitujve të programit të qeverisë! Më falni, po shprehje më alarmante të injorancës nuk mund të ketë! Të flasësh sot pas 27 vitesh demokraci pluraliste per shtet ligjor, do të thotë të mos kesh kuptuar e të mos kesh marrë vesh asgjë për kushtin e parë të tërë procesit të integrimit europian dhe që është shteti i së drejtës!
Shteti ligjor dhe shteti i së drejtës janë dy koncepte që bëjnë diferencën mes shtetit demokratik nga sistemet e tjerë të organizimit shtetëror.
Diferencat janë thelbësore. Më ndjeni për tonet didaktike, por ka dallime esenciale dhe përmbajtësore mes shtetit të së drejtës në kuptimin euroatlantik, të cilit une po i referohem dhe shtetit ligjor për të cilin flet programi i qeverisë!
Sepse shtet ligjor ka qenë edhe shteti që ndërtoi Zogu, shtet ligjor ishte Shqipëria edhe në ato 6 muajt e qeverisjes se Nolit, shtet ligjor ishte edhe në kohën e fashizmit, edhe gjatë komunizmit, shtet ligjor ka qënë edhe Shqipëria postkomuniste, por nuk ka qenë e për fat të keq nuk është as sot shtet i së drejtës!
Edhe ju në sloganin tuaj flisni vetëm për shtetndërtim, e jo për shtet të së drejtës!
Ju na flisni për mirëqeverisje, po mirëqeverisje pa idealin e shtetit të së drejtës nuk ka e nuk mund të ketë!
Por le të ecim më tej me thagmat e programit tuaj. Bashkë me shtetin ligjor në vend të shtetit të së drejtës, ju na servirni edhe togjalëshin “drejtësi e re”! Eshtë një togfjalësh i huaziar mbi 70 vjet më parë, në kohën kur hidheshin themelet e Shqipërisë së re. Në vitin 1946, pas shpalljes së Republikës Popullore të Shqipërisë, në vigjilje të gjyqit kundër deputetëve e më pas, mori qytetari koncepti “drejtësia e re popullore”.
Nuk ka drejtësi të vjetër e as drejtësi të re. Qysh prej Justinianit e deri në ditët tona, drejtësia ka qenë e ka mbetur drejtësi.
Ndoshta dikush mund të thotë se në programin e qeverisë “drejtësia e re” është një metaforë! Pa dashur t’ju marr kohë e t’ju shpegoj çfarë është metafora, në kontekstin që është përdorur në programin e qeverisë togfjalëshi “drejtësi e re” është metaforë injorance!
Dikush tjetër mund të thotë që lidhet me reformën në drejtësi e me vetingun! Edhe në këtë kontekst, sado që programi i qeverisë për reformën në drejtësi ka vetëm fjali të përgjithshme per demagogji, “drejtësia e re” është ajo që thashë: metaforë e injorancës!
Reforma në drejtësi ka nevojë pikë së pari që politika të rrijë larg saj. Vetingu nuk është një ndërmarrje qeveritare e nuk ka se pse të na serviret nga Programi si sfidë e qeverisë!
Qeveria ka për detyrë të garantojë rendin e sigurinë publike, ka për detyrë të luftojë krimin, krimin e organizuar, drogën e trafikun e saj, korrupsionin dhe abuzivizmin shtetëror!
Në katër vitet e mandatit të bashkëqeverisjes tonë prej vitit 2013 ne e humbëm betejën me drogën dhe baronët e saj! Shqipëria vazhdon të jetë në hartën e zezë e madje pikë kyçe e kultivimit e trafikimit!
Megjithë entusiazmin e ministrit te brendshëm zotit Xhafa, me gjithë dëshirën tonë të mirë për ta parë Shqipërinë jashtë asaj harte, programi i qeverisë nuk na ofron asnjë shpresë se realiteti mund të ndryshojë!
Sepse, që prej konceptimit si pergjegjësi vetëm e Ministrisë së Brendëshme reflektojmë deformim konceptual, sepse mungon projekti qeverisës i ndërveprueshmërisë së institucioneve, siç na ka ndodhur për fat të keq, me akuza e kundërakuza mes ministrisë së brendëshme e asaj të mbrojtjes, ç’ka më së paku deshmon mungesë serioziteti.
Në këtë program të qeverisjes së ardhëshme, problemet e sigurisë dhe mbrojtjes trajtohen në mënyrë sipërfaqësore, pa vizion e me deformime konceptuale.
Për rrjedhojë, agjensitë apo shërbimet që kanë detyrim kushtetues të garantojnë sigurinë dhe mbrojtjen mbeten të pa orientuara, pa objektiva dhe direktiva te qarta.
Çështjet e sigurisë dhe të mbrojtjes duhet te konsiderohen në përputhje me detyrimet kushtetuese.
Programi nuk thotë asgjë për aspektet e transformimit, strukturimit dhe modernizimit të kapaciteteve operacionale, ato mbështetëse dhe të shërbimeve, si dhe aspektet e angazhimeve në përputhje me misionin kushtetues dhe detyrimet në kuadër të angazhimeve ndërkombëtare.
Rilindja rurale!
Programi i qeverisë na premton edhe rilindjen rurale! Kjo nuk është më metaforë si në rastin e drejtësisë së re! Eshtë lajthitje për fat të keq? Sepse urbanizmi, thënë shqip qytetërimi, ka qenë e mbetet ideal shtetëror në të gjitha epokat e zhvillimit të shoqërisë njerëzore, qysh prej se është krijuar shteti.
Sidomos për një Shqipëri me strukturën demografike që ka pasur e ka ende.
Çfarë do të thotë rilindje rurale? Ta bëjmë fshatin më fshat nga ç’është? Apo ta kthejmë fshatin në identitet?
Unë besoj se në të gjithë botën, pa në Europën e qytetëruar po e po, qeveritë e zonja zotohen në programet e tyre ta urbanizojnë fshatin e jo ta ruralizojnë atë!
Por gjetja e stilemave të tilla si këto që përmenda apo si ajo tjetra për shembull ” konsolidimi i fermës – promovimi i ekonomisë së shkallës”, janë vetëm labirinthe fjalësh për të fshehur paaftësinë e mediokritetin, janë fasada e një programi që parathotë dështimin!
E tani pak fjalë edhe për angazhimet qeverisëse në kuadër të procesit të Berlinit, që nuk gjejnë asnjë reflektim në angazhimet, qoftë edhe formale të programit të qeverisë.
As në shumë e as më pak e gjitha kjo është një parodi tallëse me angazhimet që vetë Kryeministri mori ne samitin e Triestes.
Më lejoni t’ju sjell në vëmendje zoti Kryeministër që ju jeni zotuar solemnisht në atë samit të përmbushni prioritetet e Procesit të Berlinit si rritjen graduale të buxhetit për shkencën e kërkimin shkencor apo prioritetin qeveritar të instalimit të dialogut midis politikës e shkencës!
Ju e dini zoti Kryeministër, por le ta mësojnë edhe ministrat e qeverisë tuaj se, me sa duket ende nuk e kanë mësuar që Samiti i Triestes, si vazhdim i procesit të Berlinit ishte në thelb samiti i dialogut të politikës me shkencën. Për këtë qëllim u themeluan edhe bursat ndërkombëtare; “Çabej” në nderim të shkencëtarit e albanologut tonë të madh Eqrem Çabej për shkencat shoqërore, dhe “Tesla” në nderim të shkencëtarit serb Nikolla Tesla për shkencat teknike, pa folur më tej për themelimin e institutit përkatës, të gjitha këto për të inkurajuar kërkimin shkencor në Ballkanin Perendimor!
E pra, për të gjitha këto angazhime të Kryeministrit që afërmendsh janë angazhime qeverisëse e shtetërore, programi i qeverise se re nuk ka asnje fjale, asnje angazhim, asnje premtim
E meqë po flas për raportet e kulturës e shkencës me identitetin, më lejoni të fokusohem më specifikisht tek raportet e politikës me shkencën dhe të qeverisë me institucionet e kërkimit shkencor.
Në të 25 faqet e programit të qeverisë, fjala shkencë përmendet vetëm tri herë. Në fakt përmendet vetëm dy herë, sepse në herën e tretë që përmendet, flitet se do te caktohen nëpër ambasada atashe kulturor që do të kenë edhe detyrën e atasheut shkencor!
Po, ndërsa në Trieste u fokusua vemendja tek dialogu i politikës me shkencën, Kryeministri ynë i shpalli luftë Akademisë së Shkencave, madje duke ju sulur asaj me një gjuhë aspak të denjë që vetëm gjuhë dialogu e qytetarie nuk ishte!
Padyshim, Akademia e Shkencave duhet reformuar e bashkë me të i gjithë sistemi ynë i kërkimit shkencor. Madje duhet reformuar në mënyrë radikale, pasi është rrënuar sistematikisht qeveri pas qeverie, deri tek absurdi i të ashtuquajturës reforë e vitit 2007, që shpalli disa akademikë me listë, një pjesë prej të cilëve unë e kam për turp ti quaj akademikë të vendit tim, pasardhës të Aleks Budës, Eqrem Çabejt, Mahir Domit, Petrit Radovickës, Androkli Kostallarit, Shaban Demirajt, Ylli Popës e plot të tjerëve!
Por nëse qeveritë e mëparshme e bënë keq e më keq Akademinë, ju keni shansin ta bëni më mirë Akademinë zoti Kryeministër, por jo duke e mbyllur atë e as duke e strukur e tkurrur nën sqetullën e ministrisë së Arsimit.
Institucionalizoni dialogun me botën akademike e komunitetin e kërkuesve shkencorë zoti Kryeministër, pa ndroje e i çliruar prej kompleksit të inferioritetit që imponon mediokriteti intelektual i kabinetit tuaj!