S’ka tradhëti/Mehmetaj: Pakti plotëson 3 pikat e opozitës. Të huajt ”presion” Ramës, LSI do pakt kombëtar
Nënkryetarja e LSI-së: LSI i ka hapur dyert e saj për aktivist, intelektual, mendimtar etj që ka mendime e kontribute si për reformën zgjedhore, po ashtu edhe për fusha të tjera
Intervistoi: Redjon Shtylla
Ulja e opozitës në një tavolinë me qeverinë për Reformën Zgjedhore, për nënkryetaren e LSI-së, nuk është tradhëti ndaj shqiptarëve. Në një intervistë për “Koha Jonë”, Kejdi Mehmetaj, thotë qartësisht se janë sulme të pa bazuara pa ndonjë fakt a ndonjë argument real. “Disa të dëshpëruar që kriza politike i mban në skenë dhe që zgjidhja e krizës e futja e vendit në procese demokratike zgjedhore i zhduk pa gjurmë”. Ajo zbulon se marrëveshja plotëson 3 kërkesat e opozitës dhe që i është imponuar maxhorancës nga ndërkombëtarët. “Nëse dakordësia do të pasohet nga një punë serioze për të na dhënë në mars një reformë të gjithëpranuar zgjedhore, kjo do të tregojë se më në fund edhe vendi ynë do të ketë nisur rrugën e vërtetë të demokracisë që ka në thelb dialogun”.
SHBA, BE dhe Britania e Madhe. Ka qenë një treshe negociatorësh, e cila shpjegon edhe faktin që gjatë kësaj periudhe opozita kishte një tërheqje që pas protestave. Ju e patë dokumentin si detyrues edhe për Ju? A dha sinjal opozita tek partnerët se nuk ka bojkot të zgjedhjeve dhe se nëse ka garanci që vota nuk do të vidhet opozita është gati të përballet me votë me qeverinë?
Opozita nuk ka qenë në asnjë moment e tërhequr në aksionin e saj, format e përdorura nga ne mund të kenë qenë të ndryshme por aksioni ka qenë i përditshëm. Demaskimi i përditshëm i akteve korruptive e të paligjshme të qeverisë, apo denoncimin e personave me precedentë penal të emëruar nga Rama si kryetar bashkish apo funksionarë të lartë në zgjedhjet moniste të 30 qershorit. Dakordësia e arritur nuk është një dokument që na është imponuar por një dokument të cilin me ndërhyrjen e partnerëve ndërkombëtare, ja kemi imponuar maxhorancës. Dokumenti është miratimi i kërkesave/kushteve që opozita prezantoi me zë e me shkrim në tryezën e organizuar nga OSBE-ja.
Falë aksionit opozitar, partnerët ndërkombëtarë u ndërgjegjësuan për çfarë përfaqëson Rama dhe qeveria e tij. Falë demaskimit që ju bë votimeve të 30 qershorit, raporti i OSBE-ODIHR foli qartë mbi nevojat imediate për të ndërmarrë një reformë zgjedhore e për ti hapur rrugë zgjedhjeve të lira. Miratimi i reformës zgjedhore dhe implementimi i saj është kusht i vendosur nga partnerët tanë, mjafton ti referohemi kushteve të BE dhe Bundestagut Gjerman. Ne jemi falenderues që e facilituan dhe imponuan tek maxhoranca arritjen e një dakordësie për të nisur punën. Degjelitimimi i parlamentit monist dhe mënjanimi i tij nga ky proces flet qartë e nuk lë shumë hapësirë për të imagjinuar se kush është detyruar.
Ne i dogjëm mandatet për të treguar se parlamenti nuk është legjitim dhe kjo u vërtetua me këtë dakordësi, pra kjo është fitorja jonë. Kemi qenë të gatshëm të përballeshim me Rilindjen dje, jemi gati sot dhe në çdo moment kur do të krijohen kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve të lira e demokratike.
“Prap na tradhtuat”! Kjo frazë nuk mungoi nga kritikët apo qytetarët pas uljes së opozitës në tryezë me maxhorancën. Si do të arrihet që Reforma Zgjedhore nuk do të diktohet nga qeveria e votave të blera dhe që Parlamenti të jetë noter formal i vendimeve të tryezës politike?
Kjo shprehja “tradhëti” nuk është artikuluar nga qytetarët e pothuaj aspak nga kritikët e vërtetë. Shprehjen që ju përdorët, pa dashur të tregohem e ashpër, e kemi dëgjuar të thuhet nga ata të cilët i kanë lidhur interesat ngushtë me Edi Ramën dhe e kanë vendosur ti shërbejnë deri në fund atij, duke u përdorur për të nxitur një reagim ndaj opozitës me qëllim zgjatjen e pushtetit të Ramës. Këto sulme, të pa bazuara në ndonjë fakt a argument real, janë bërë edhe nga disa të dëshpëruar që kriza politike i mban në skenë dhe që zgjidhja e krizës e futja e vendit në procese demokratike zgjedhore i zhduk pa gjurmë.
“Tradhëtinë” e “besnikërinë” i vlerësoj në raport me kauzën për të cilën opozita është investuar që pas zgjedhjeve të vitit 2017, një kauzë për të cilën sakrificat tona kanë qenë të mëdha e rruga padyshim e vështirë, kauzën e zhvillimit të zgjedhjeve demokratike, ku qytetari voton i lirë, i pa kërcënuar nga banda kriminale, nga nëpunësit e administratës publike, apo pa ju ofruar para në shkëmbim të votës. Për ne është e rëndësishme që pushteti i vërtetë të kthehet tek sovravi, e sovrani pra qytetarët, siç të na zgjedhin të kenë të gjithë hapësirën për të na kërkuar llogari, apo edhe për të na shkarkuar nëse abuzojmë me detyrën. Ka vetëm një mënyrë për ta kthyer pushtetin tek qytetarët dhe kjo është mbajtja e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Kjo është kauza e opozitës, ky është pakti ynë me qytetarët dhe këtij pakti i kemi shërbyer me besnikëri. Pikërisht besnikërisë ndaj kauzës sonë i shërben edhe takimi e dakordësia e cila plotëson 3 kërkesat e opozitës të artikuluara prej muajsh.
1- Reforma zgjedhore nuk do të diktohet, as hartohet apo imponohet nga maxhoranca e dalë nga zgjedhjet e blera e të kërcënuara të 2017.
2- Vendimet do të merren me konsensus ndërmjet dy palëve (opozitës së bashkuar dhe parlamentit një partiak) me ndërmjetësimin e partnerëve ndërkombëtarë, vendimet do të jenë transparente dhe do të merren pas konsultimesh intensive me çdo palë interesi e mbi të gjitha me qytetarët.
3- Parlamenti nuk ka asnjë fuqi reale mbi hartimin e miratimin e keëësaj reforme, veçse do ta formalizojë e do e noterizojë atë nëpërmjet procesit te votimit pa patur të drejtë të ndryshojë produktin e përgatitur nga tryeza në mënyrë konsensuale.
A mendoni se kjo tryezë do të jetë fillimi i fundit të krizës politike në vend? Pasi ju si opozitë kërkoni zgjedhje të parakohshme dhe kur do ti kemi? Në pranverë apo vjeshtë? Keni sigurinë që Kryeministri Rama nuk e përdor këtë tryezë sa për të marrë hapjen e negociatave në maj dhe më pas “kërcet dajaku” mbi opozitën?
Në gjykimin tim tryeza i hap rrugë disa zhvillimeve pozitive për vendin. Së pari, miratimi i reformës zgjedhore është kushti i parë që Bundestagu Gjerman ka vendos për hapjen e negociatave dhe ne gjykojmë se miratimi i një reforme konsensuale zgjedhore do ti japë një sinjal të mirë partnerëve tanë europian mbi angazhimin tonë serioz në proceset integruese.
Së dyti, miratimi i reformës zgjedhore i hap rrugën implementimit të reformës që do të thotë mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme dhe zgjedhjet janë në të vërtetë i vetmi hap që zgjidh krizën politike.
Së treti, ne si LSI e kemi theksuar disa herë nevojën e krijmit të institucionit të dialogut, jo si një tryezë e fshehur nga kamerat në të cilën merren vendime klienteliste, por si një tryezë transparente që vendos për çështje me interes madhor për qytetarët, si mund të jenë përshembull hartimi i politikave që frenojnë këtë emigrim masiv të shqiptarëve, një pakt kombëtar mbi të ardhmen europiane të vendit, një strategji afatgjatë mbi çështjet e arsimit etj.
Nëse dakordësia do të pasohet nga një punë serioze për të na dhënë në mars një reformë të gjithëpranuar zgjedhore, kjo do të tregojë se më në fund edhe vendi ynë do të ketë nisur rrugën e vërtetë të demokracisë që ka në thelb dialogun. Për dajakun kam vetëm një koment: Dyshoj se ndonjë qeveri e lider në të shkuarën e të ardhmen do të “hajë” apo do të ketë “ngrënë” aq shumë dajak sa Edi Rama dhe qeveria e tij, sa nëse do të përdorja një shprehje popullore “kurrizi i është bërë më i butë se barku”. Ndaj, mos u shqetësoni për opozitën, por së bashku të shqetësohemi e punojmë që kriza të zgjidhet sa më parë e shpresa t’u kthehet shqiptarëve për të parë të ardhmen e tyre këtu, e jo dyerve të Europës. Ne e kryem të vetmen detyrë që kishim, tani është koha e Ramës për të vërtetuar vullnetin me miratimin e reformës më datë 25 mars e me zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme.
A do të vihen para drejtësisë, personat e përfshirë në dosjet 184 dhe 339? Në marrëveshjen PS-PD-LSI, data 25 mars u la si datë e fundit që të realizohet Reforma Zgjedhore. Për çfarë sistemi do të luftojë opozita dhe pritet të kemi një Reformë të plotë deri në këtë datë?
Zbardhja e krimeve zgjedhore dhe dënimi i përgjegjësëve, përfshi ata të niveleve të larta të maxhorancës sot, është një prej kushteve kryesore të Bundestagut dhe të Këshillit të Europës për çeljen e negociatave dhe padyshim një kusht thelbësor i opozitës për mbajtjen e zgjedhjeve. Reformat në letër mund të shkruhen shumë mirë, por nëse reformat nuk zbatohen me vullnet politik e shembuj përgjegjshmërie ato nuk do të jenë të suksesshme.
Dosjet 184 dhe 339 kanë qenë çjerrja kryesore e maskës Rilindase dhe provat e pakundërshtueshme të lidhjes së drejtëpërdrejtë të Kryeministrit, vartësve të tij dhe qeverisë me botën e krimit, ndaj vendosja përpara drejtësisë e personave të përfshirë në ato dosje nuk është vetëm kusht por domosdoshmëri. Pikërisht për vendosjen në vend të drejtësisë ne kemi kërkuar ngritjen sa më parë të institucioneve të pavarura dhe funksionale të drejtësisë. Sa i takon vendimeve konkrete që do të merren lidhur me reformën zgjedhore ne e kemi thënë se jemi gati me propozime konkrete dhe njëkohësisht me shumë vullnet për të dëgjuar e marrë në konsideratë çdo propozim që vjen nga qytetarët, shoqëria civile dhe grupe të tjera interesi.
LSI i ka hapur dyert e saj për të pritur këdo, aktivist, intelektual, mendimtar etj që ka mendime e kontribute si për reformën zgjedhore, po ashtu edhe për fusha të tjera. Synimi ynë është që reforma ti hapë rrugë zgjedhjeve të lira e të ndershme, duke ndërtuar instrumenta të fortë që pengojnë përfshirjen e bandave në procese zgjedhore, që pengojnë përdorimin e institucioneve shtetërore si kamzhike kërcënues ndaj qytetarëve, që pengojnë shitblerjen e votës dhe që garantojnë një garë të ndershme.