Sokol Hazizaj: Konsensusi rrëzoi moralisht Kryeministrin

Flet për “Koha Jonë”, konstitucionalisti i njohur, Sokol Hazizaj

 Intervistoi: Redjon Shtylla

Edhe pse “Kushtetuta e re” ka hyrë në fuqi, për shkak të bllokimit që ju është bërë 7 ligjeve, të cilësuara emergjente, ajo mbetet e pazbatueshme. Konstitucionalisti i njohur Sokol Hazizaj, në një intervistë për “Koha Jonë”, është shprehur se, 7 ligjet nuk mund të bllokohen në mënyrë absolute, pasi ngrin vazhdimin e punës së gjyqësorit dhe organi hetimit gjithashtu. Gjetja e konsensusit për miratimin e reformës në drejtësi me 140 vota, ka ngecur për vazhdim e reformës. Hazizaj shton se: “Konsensusi” midis imponimit të ndërkombëtarëve, vullnetit të LSI-së dhe PD-së mbajti dhe për pak kohë një Kryeministër që moralisht ka rënë, por formalisht zvarritet. Në lidhje me zërat që projektligjet duhen të bëheshin nga ekspertë e jo nga politikanë, Hazizaj nënvizon se hartimi i tyre kërkon impenjimin profesional të përvojës brenda vendit me asistencën ndërkombëtare. Opozita kërkon qeveri teknike, por sa e mundur është kjo, për juristin e mirënjohur, i cili shton se: “Opozita ligjore e saj po funksionin në mënyrë perfekte dhe si e tillë do ketë rezultat në krizë të padiskutueshme kushtetuese dhe institucionale, ku pasoja vjen si proces zgjedhor politik”.

Z.Hazizaj, politika me 140 vota kaloi me sukses e në unanimitet reformën në drejtësi. U cilësua si një dritë për një drejtësi të re, por konsensusi është në fije të perit sepse në diskutim janë shtatë projektligjet, të cilësua me rëndësi dhe me peshë për reformën. Si do ta vlerësonit këtë proces të dytë?

Ndonëse për mënyrën, procedurën dhe përmbajtjen e ndryshimeve, të më shumë se një të tretës së Kushtetutës, unë kam rezervat e mia. Konstatoj se sot më shumë se kurrë, miratimi i ligjeve organik për funksionimin dhe organizimin e institucioneve ekzistues dhe atyre të reja është domosdoshmëri, pa më të voglin dyshim, sepse në themel janë detyrime kushtetuese. Sot diskutimi mbi konsensusin është i tejkaluar si në kohë dhe në hapësirë, sepse ky nocion i ka humbur vlerën e vet, sa kohë përvoja ka treguar se kur së brendshmi instrumentet politik nuk kanë gjetur dakortësi, instrumentet ndërkombëtare kanë imponuar bashkëpunimin, ndaj sot më shumë se kurrë çdo detaj vendimmarrës politik është nën monitorimin dhe imponimin e të huajve. Kjo është e vërtet kaq absolute, sa që është pohuar nga vet lidershipi i maxhorancës në çdo dalje publike të tij, por dhe nga ndërkombëtarët. Në këtë kuptim, sot më shumë se çdo herë tjetër, diskutimi mbi konsensusin dhe pikëpyetjet e realizimit të tij, nuk kanë përgjigje tjetër nga po-ja. Madje, çdo përgjigje ndryshe siç dhe mbi konsensusin kushtetues është qesharak.

Disa orë para miratimit të reformës, në një prononcim për gazetën “Koha Jonë”, ju u shprehët se: “Konflikti për hibridin ligjor nuk ka të bëjë në të vërtetë me reformën, por ka të bëjë me tërheqjen e një kryeministri që jo vetëm nuk ka parti, por dhe maxhorancën e duhur”. I qëndroni ende këtij mendimi?

U vërtetua që ky Kryeministër nuk pati asnjë fije kontributi në arritjen e konsensusit, madje duhet pohuar që ky moment është deklaruar nga vet zotëria. Sa kohë nga njëra anë asnjë nga draftet e përgatitura nga maxhoranca e tij hibride nuk kaloi në draftin e fundit të ndryshimeve kushtetuese dhe nga ana tjetër e vetë pranuar po prej tij. Në memorien tonë ekziston akoma fjala e Kryeministrit kur të gjithë Kuvendin e Shqipërisë e vuri përball “gijotinës” së ndërkombëtarëve. Kjo e fundit dhe e vërtetuar tashmë. Parë në këtë vështrim, “konsensusi” midis imponimit të ndërkombëtarëve, vullnetit të LSI-së dhe PD-së mbajti dhe për pak kohë një Kryeministër që moralisht ka rënë, por formalisht zvarritet. E kundërta e sjelljes së faktorëve të sipërcituar, do kishte dhënë rezultatin e cituar prej meje. Është po kaq e vërtet se sot ndonëse PS-ja, si parti politike është e regjistruar vetëm si nocion ligjor, por në përmbajtje, frymë dhe përmasë nuk ka asnjë lidhje me të majtën dhe filozofin e saj. Pa bërë politik, ripohoj se kjo parti është kthyer si gërhimë e lidhjeve neopotike dhe fisnore, saqë më shumë i ngjan një familje, ku njëri hedh e tjetri pret brenda vetes.

Konsensusi që morën ndryshimet kushtetuese për reformën në drejtësi, është bllokuar te miratimi i 7 ligjeve të emergjencës, që vënë në zbatim ndryshimet kushtetuese. Cilat janë rezervat e juaja për këto draft-ligje?

Përsëris që miratimi i ligjeve organike, pasojë i ndryshimeve kushtetuese nuk mund të bllokohet në mënyrë absolute, për arsyet e sipërcituara dhe se pa kualifikimin e tyre nuk mund të vazhdojnë punën gjyqësori dhe organi hetimit gjithashtu. E sigurt është që beteja për kalimin e tyre do të reflektojë në degradimin e maxhorancës së sotme. Përpos këtij procesi duhet të nënvizoj gjithashtu dhe problemet që kanë draftet ligjore, ku mjafton të them se midis organeve kushtetuese të krijuara rishtazi, mungon proporcionaliteti, si dhe brenda tyre ekzistojnë kaq shumë ndalime sa bëjnë të pamundur realitetin e shpejtë të ngritjes së institucioneve dhe përmirësimin e të tjerave. Për këtë mjafton të shohësh me pak vëmendje dipropocionalitetin midis afateve kohore të përzgjedhjes së kandidatëve me mënyrën e rëndomtë të një shorti jo profesional të tyre.

Si i komentoni zërat që pohojnë se shtatë projektligjet duhet të bëhen nga ekspertët dhe jo nga politikanët?

Është e vërtet që hartimi i tyre kërkon impenjimin profesional të përvojës brenda vendit me asistencën ndërkombëtare, por para së gjithash kërkon vullnet politik ende. Sot po përjetojmë një realitet kur po shtohen zërat e “skuadriljeve” të politikanëve për histori prangash dhe burgjesh. Fakt, i cili e vështirëson impenjimin profesional mbi draftet ligjore.

Presidenti i Republikës do t’i japë ngërçit kushtetues për ngritjen e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Si e keni parë këtë proces, pse ka kaq shumë paqartësi?

Duke qenë se procesi i ndryshimeve kaloi në disa faza, si paragjykimi, kërcënimi, mungesa e vullnetit, cedimi besimit dhe në fund imponimi si proces “vullnetar”, padyshim do të shoqërohej dhe me mungesë profesionalizmi dhe paqartësi në përcaktimin normal të afateve kohore. Por nga ana tjetër, Presidentin e Republikës nuk e pengon asgjë të rakordojë veprimtarinë e tij, padyshim kushtetuese me veprimtarinë ligjore të ekzekutivit. Nuk mendoj se përsëritja e gabimit prej tij në emërimin e gjyqtarëve, të gjykatave administrative pa u vendosur nga ekzekutivi se ku do të punonin ato, mund të mos i sjellë ndonjë rezultat pozitiv personalitetit kushtetues që përfaqëson.

Në draftit të ndërkombëtarëve në një pikë thuhet se gjyqtarët që kanë qenë të angazhuar në aktivitet politik gjatë 10 viteve të fundit nuk do të kenë mundësi të jenë pjesë e garës. Përjetohen padrejtësisht?

Ndonëse kështu siç është shkruar, pa identifikuar rastet kur dhe si, ka problem formal dhe teknik, kjo nuk mohon mundësinë e ndryshimit të saj në kohë dhe në hapësirë. Kam përshtypjen se dhe shumë dispozita të ndryshimeve kushtetuese të reja vijnë në kundërshtim me frymën e vet kushtetutës dhe ne të drejtat themelore të njeriut, pasojat e së cilës do të ndihen shumë shpejtë gjatë aplikimit të saj.

Dy organet, SPAKU dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, do të jenë të fuqishme e do paraqesin garanci për Drejtësinë e re, do të japin rezultat?

Pa diskutim që do të jap rezultatet e saj, ndryshe çfarë kuptimi do të kishte organizimi dhe funksionimi i tyre. Madje, siç kam deklaruar dhe më parë, vetëm ngritja e tyre në rrafsh kushtetues do ishte produkti më i mirë dhe i duhur edhe pa ndryshimet e tjera kushtetuese. Ky më duket se ishte dhe impenjimi themelor i ndërkombëtarëve, të tjerat ishin teka të politikës sonë, që shërbyen si valvul shkarkuese për gjithë formatin e ndryshimeve kushtetuese.

“Vetingu” është pika ku debati politik është i nxehtë, duke shtuar dhe faktin se do të bëhet nga ekspertë ndërkombëtarë. Është një pikëpyetje dhe hije dyshimi se nëse ekspertët ndërkombëtarë a do të jenë të besueshëm, në çfarë filtrash besueshmërie kalojnë ata?

Duke mos qenë pjesë e paragjykuesve, kam përshtypjen që ky moment është tejkaluar, që do të thotë se nuk është përgjegjësi e shqiptarëve gjetja e njerëzve të duhur në rolin e ekspertëve ndërkombëtar në rolin e monitoruesve por e tyre. Sa kohë përgjegjësia është e njëanshme, pra e tyre, nuk mendoj se ka ndonjë dëshirë që të dështojë ky projekt.

Opozita kërkon qeveri teknike, por të tjerë shtojnë se duhet me ekspertë e jo me politikanë. Çfarë i përshtatet më mirë vendit?

Kjo kërkesë është dhe për të qeshur dhe për të qarë, sepse dihet se kur dhe në cilat raste formatohen qeveri teknike. Pamundësia e opozitës për të kaluar nga rrjetet sociale në rrugën e vërtet të rrëzimit të një qeverisje jo morale, nuk bëhet me qeveri teknike ose teknicienësh. Por nga ana tjetër duhet pranuar se opozita ligjore e saj po funksionin në mënyrë perfekt dhe si e tillë do ketë rezultat në krizë të padiskutueshme kushtetuese dhe institucionale, ku pasoja vjen si proces zgjedhor politik.

A justifikohet presioni i ambasadorëve me “SMS”-të, nëse deputetët nuk do të votonin reformën në drejtësi?

Bazuar mbi postulatet “mjeti justifikon qëllimin”, dhe “sipas vendit bëhet kuvendi”, duke qenë se jemi vend që jo shumë larg në kohë kemi dalë nga izolimi thellë, të gjitha janë të pranueshme.

SHKARKO APP