Sot shpallet fituesi i garës ndërkombëtare për “Parkun e Besimit”, “një projekt unikal i Tiranës 2030 për Shqipërinë 2030″
Pasditen e të dielës shpallet fituesi i garës ndërkombëtare për Parkun e Besimit (Faith Park). Studiot arkitekturore prezantuan të shtunën projektet finaliste që konkurrojnë për të fituar të drejtën e ndërtimit të parkut të parë të këtij lloji në vend.
Kryeministri Edi Rama, ndau sot pamje nga evenimenti i zhvilluar dje, ku dymbëdhjetë studio arkitekturore ndërkombëtare u shpallën finalistë të garës për projektin e “Pakurt të Besimit”.
Rama në postimin e tij shkruan se ky është “një projekt unikal i Tiranës 2030 për Shqipërinë 2030, ku besimet do të shihen dhe shijohen përmes pemëve e bimëve të shkrimeve të shenjta, e ku sot do të pasdite shpallim edhe projektin fitues”.
Në finale për projektin u zgjodhën dymbëdhjetë studio arkitekturore ndërkombëtare nga Mbretëria e Bashkuar, Portugalia, Danimarka, Gjermania, Spanja, Meksika, Belgjika, Holanda dhe Italia.
Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në këtë aktivitet, u shpreh se përzgjedhja e finalistëve ka qenë një proces i vështirë për shkak të nivelit të lartë të propozimeve.
“Kjo ishte hera e parë që e patëm të vështirë të dilnim me një listë të ngushtë prej 4 apo 5 studiove. Pamë shumë ambicie dhe përkushtim nga të gjithë aplikuesit, ndaj vendosëm të kishim 12 finalistë. Pas gjithë kësaj dite, nuk mund të them se e kemi më të lehtë, përkundrazi, sfida është edhe më e madhe”, tha Rama.
Rama theksoi se do të ishte e mrekullueshme të ndërtoheshin 12 parqe besimi, por mungesa e fondeve do t’i detyronte të zgjidhnin vetëm një projekt për të ndërtuar një park.
Fituesi i garës për Parkun e Besimit pritet të shpallet sot pasdite.
KOHA JONË SONDAZH

