Spaho, për ”KJ”, sfidon Ramën: Po qe burrë rri në zyrë dhe fol vetë me demokratët

Nga: Redjon Shtylla

Mëngjesin e kësaj të shtune, kryeministri i vendit, Edi Rama u zgjua me një letër për demokratët. Në letrën e 7-të publike, disa orë para se të çelë fushatën zgjedhje për 30 qershorin, Rama shtroi pyetjen: A mundet që zgjedhjet demokratike të bëhen vetëm nëse do opozita? Nga ana tjetër, Rama tha se nuk ka njerëz të zakonshëm që të bëhen pjesë e një marrëzie kaq të jashtëzakonshme. Kërcënimet me burg nuk munguan as në këtë letër.

Si e lexoi PD-ja këtë letër të 7-të? Në një prononcim për “Koha Jonë”, nënkryetari i PD-së, Edmond Spaho, ka sfiduar hapur kreun e qeverisë. “Rama po qe burrë le të rrijë në zyrë dhe të flasë vetë me demokratët”. Për Spahon, meqë Rama ju drejtua demokratëve, ata do t’ia japin përgjigjen që meriton me grusht nesër. “Një shtet mafioz që drejtohet nga gangsterë e quajti Bild regjimin e Tiranës. Besoj se tek gangsterët duhet të jetë edhe Rama, sa kohë që kryeson këtë rregjim. Të presësh zgjedhje të lira e të barabarta nga gangsterët është iluzion. Meqënëse Rama me paçavurën e tij të shtatë ju drejtua të gjithë demokratëve edhe ata do ja japin përgjigjen që meriton me grusht nesër në ora 19:00”.

Në letrën e tij, Rama thotë se: “Zgjedhjet janë një e drejtë e panegociueshme kushtetuese e të gjithë atyre që duan të zgjedhin dhe një detyrim i pashmangshëm kushtetues i të gjithë atyre që duan të zgjidhen”. Të njëjtin mendim mbështet edhe Spaho por për të zgjedhjet janë të lira kur: “Nuk vidhen në bashkëpunim me krimin e organizuar, kur nuk manipulon listat e zgjedhesve, kur nuk përdor burimet shtetërore në funksion të mbledhjes së votave për PS, kur nuk përdor policinë për të trembur votuesit, kur nuk vjedh fondet publike me oligarkët për të financuar fushatën elektorale të partisë së kryeministrit. Zgjedhjet janë demokratike kur zgjedhësit kanë alternativa dhe jo të kenë vetëm një kandidat në 40 bashki dhe në të tjerat kandidatin e partisë patericë e Ramës”.

Nga ana tjetër, për “Koha Jonë”, nënkryetari i PD-së, thekson se edhe BE dhe SHBA janë për zgjedhje demokratike, të lira dhe të ndershme, duke ju përgjigjur kështu “kërcënimit” të Ramës i cili tha se do të jenë në listën e zezë të SHBA e BE kush prek zgjedhjet. “Pa u dënuar ata që kanë vjedhur zgjedhjet nuk do ketë integrim europian për Shqipërinë, kështu deklaroi kryetari i grupit parlamentar te CDU/CSU në Bundestag”.

Letra e Ramës, Paloka për ”KJ”: Po përplaset edhe me të majtët

Letra e Ramës, Boçi për ”KJ”: Opozita pengon marrëzinë, Rama tërheq zvarrë qytetarët

SHKARKO APP