”SPAK ka dalë nga shinat”, Rama për artikullin e BIRN: Nxorën nga konteksti përgjigjen e zyrës së shtypit

Kryeministri Edi Rama ka reaguar mbi një artikull të medias BIRN, pasi mori një prononcim për arrestimin e kryebashkiakut Erion Veliaj. Në artikullin e titulluar ”Edi Rama: SPAK ka dalë nga shinat, Veliaj nuk do të shkarkohet”, kryeministri thotë se deklarata e zyrës së shtypit është nxjerrë nga konteksti.
Postimi i plotë nga Edi Rama
Kjo frëngji është e një grupi që quhet Birn, i cili pretendon se lufton për të vërtetën dhe ndërkohë nxjerr nga konteksti brutalisht përgjigjen e zyrës së shtypit të kryeministrisë! Dhe tani ky titull i pavërtetë bëhet avaz kudo, e pastaj do thuhet se ai ka thënë që…
Kjo më lart është bota çmendurake ku jetojmë. Ndërsa kjo më poshtë është deklarata e zyrës së shtypit në përgjigje të pyetjes së BIRN se a do të shkarkohet Erjon Veliaj: Mesa duket, nuk e keni ndjekur adresimin që kryeministri i bëri arrestimit të kryetarit të bashkisë së Tiranës, ku jemi në kushte tërësisht të ndryshme nga të gjitha rastet e mëparshme.
E para, sepse nuk kemi një çështje konkrete korrupsioni për të cilën ka një aktakuzë, por jemi përpara një romani voluminoz mbi gërmimet e kryera në jetën e tij dhe bashkëshortes së tij. Pra, në thelb, jemi përballë një rasti që krijon dyshimin e arsyeshëm të një hetimi jashtë shinave kushtetuese dhe një ndalimi në shkelje të standardeve demokratike. Por është ende shumë herët për të dalë në përfundime, prandaj rezervojmë të drejtën për të marrë kohë.
E dyta, qëndrimi pesëvjeçar i Partisë Socialiste dhe kryeministrit për të mos bërë asnjë koment në asnjë rast specifik, ka ndryshuar me heqjen e djeshme nga puna të kryetarit të bashkisë së kryeqytetit, për ta mbyllur pa gjyq në një qeli dhe duke kyçur në shtëpi edhe bashkëshorten, nënën e një djali gjashtvjeçar.
Ky fakt, tejet problematik për gjithë kryeqytetin, jo thjesht për kryebashkiakun si palë në proces, por edhe për ne si garante të Reformës në Drejtësi dhe njëkohësisht të kontratave me qytetarët në nivel qendror e vendor, aq më tepër për metropolin e Shqipërisë, kërkon një reflektim shumë serioz.
Dhe e fundit, ne do t’ju ishim shumë mirënjohës juve dhe cdo media që, në vend se të bëjë thjesht leximin e romanit policor të akt-akuzës, të hedhi dritë për provat që e mbështesin ose jo fillin e atyre afro 400 faqeve. Si përfundim, përgjigja është se jo vetëm kryetari i Bashkisë së Tiranës nuk do të shkarkohet nga detyra, por nga ndalimi i tij ka lindur për ne detyra që të vazhdojmë të jemi garante të palëkundur të drejtësisë, duke nxitur sa më shumë transparencë për të dalë te e vërteta. Ciladoqoftë ajo.
Kjo frëngji është e një grupi që quhet Birn, i cili pretendon se lufton për të vërtetën dhe ndërkohë nxjerr nga konteksti brutalisht përgjigjen e zyrës së shtypit të kryeministrisë! Dhe tani ky titull i pavërtetë bëhet avaz kudo, e pastaj do thuhet se ai ka thënë që …
Kjo më… pic.twitter.com/UxmmfvHccD
— Edi Rama (@ediramaal) February 11, 2025