SPAK urdhëron arrestimin e 25 personave, trafikonin klandestinë për 5-10 mijë euro

SPAK ka lëshuar 25 urdhër arreste për persona të përfshirë në trafikun e emigrantëve nga Lindja. 18 prej tyre janë shqiptarë dhe 7 shtetas të huaj (palestinez, irakian, iranianë, egjiptianë dhe turq).

Njoftimi i SPAK
Autoritetet gjyqësore dhe të zbatimit të ligjit shqiptare, italiane dhe greke, në kuadër të një Skuadre të Përbashkët Hetimore (JIT) e krijuar midis Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Shqipëri; Seksionit Antimafia të Prokurorisë së Lecces, Itali; si dhe të Prokurorisë së Përgjithshme të Apelit Athinë, Greqi, me koordimin e EUROJUST (AJA) dhe ndihmën e EUROPOL, kanë zhvilluar ditën e sotme një operacion të përbashkët për ekzekutimin e 47 masave të sigurimit personal të miratuar lidhur me hetimet e zhvilluara në kuadër të kësaj Skuadre të Përbashkët Hetimore. Operacioni është zhvilluar njëkohësisht në tri shtetet pjesë të skuadrës dhe në disa shtete të tjera.

Gjatë hetimeve të kryera nga Skuadra e Përbashkët Hetimore (JIT) është dokumentuar fakti se pjestarët e 4 (katër) grupeve kriminale ushtronin në bashkëpunim ndërmjet tyre aktivitetin kriminal (2 grupe në Itali, 1 grup në Shqipëri dhe 1 grup në Turqi) të kontrabandimit të personave të ndryshëm nga Lindja e Mesme, me destinacion Italinë e Jugut dhe në vijim vende të tjera të BE-së. Pjestarët e këtyre grupeve kriminale pasi siguronin persona të ndryshëm kryesisht në Irak, Siri, Egjipt e vende të tjera kundrejt një shpërblimi monetar nga 5 000 deri në 10 000 Euro, i kontrabandonin ato në rrugë tokësore dhe detare, duke ju mundësuar kalimin në mënyrë të paligjshme nga njëri shtet në tjetrin me destinacion përfundimtar vendet e BE-së. Nga hetimi i përbashkët i kryer janë dokumentuar 30 episode kontrabandimi të 1 120 emigrantëve.

Nga hetimet e kryera në Shqipëri nga SPAK në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe agjensitë e tjera ligjzbatuese janë dokumentuar 7 (shtatë) episode kontrabandimi të personave nga Lindja e Mesme, të kryera ne Tiranë, Korçë, Gjirokastër, Elbasan, Fier, Vlorë dhe Sarandë. Janë kapur në flagrancë edhe personat e kontrabanduar për të kaluar kufijtë shtetërorë në mënyrë të paligjshme, si dhe është dokumentuar aktiviteti kriminal i këtij grupi të strukturuar. Gjithashtu janë sekuestruar mjete lundruese (skafe), një anije velierë, automjete, si dhe sende të ndryshme, të cilat shërbenin për kontrabandimin e personave në rrugë tokësore dhe nëpërmjet detit.

Pas kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me vendimin për caktim masash sigurimi të dhënë nga Gjyqtari i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, është urdhëruar arrestimi i 25 personave, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, nga të cilët 18 janë shtetas shqiptarë dhe 7 shtetas të huaj (palestinez, irakian, iranianë, egjiptianë dhe turq).

Hetimet e kryera nga kjo Skuadër e Përbashkët Hetimore (JIT) kanë konfirmuar dhe një herë faktin se vetëm një bashkëpunim i ngushtë ndërmjet autoriteteve gjyqësore dhe ligjzbatuese të shteteve të ndryshme mund të garantojë sukses dhe efektivitet në luftë kundër krimit të organizuar ndërkombëtar.

Në këtë kontekst theksojmë gjithashtu kontributin dhe ndihmën e dhënë në hetimet e kryera nga kjo Skuadër e Përbashkët Hetimore (JIT) nga shërbimet e Zyrës së Ekspertëve të Sigurisë Tiranë të Shërbimit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Policisë Italiane, si dhe nga Projekti i Bashkimit Europian “Countering Serious Crime in the Western Balkans – CSCWB IPA 2019”.

SHKARKO APP