Spartak Ngjela: Në Shqipëri do të ketë ngjarje!

Nga Spartak Ngjela

Në Shqipëri do të ketë ngjarje.
Historia e qytetërimit evropian na ka mësuar se zhvillimet shoqërore vijnë nga kthesat e mëdha historike.
Kthesat historike nuk vijnë nga rasti por gjiththmonë kanë ardhur si pasoje e goditjes së padrejtësisë.
Edhe sot: Në Shqipëri ka dy vjet që ka nisur të luftohet padrejtësia e madhe shoqërore. Por dy apo tre muajt e fundit ka më shumë intensitet, dhe ky intensitet e ka hedhur korrupsionin në luftë kundër SPAK. Por pa efekt shoqëror, sepse zëri i korrupsionit shqiptar sot në Shqipëri është një zë në shkretëtirë.
I.
Na duhet të vëmë në dukje se SPAK u ngrit në Shqipëri si një Strukturë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me ndihmë financiare dhe drejtim praktik ndërkombëtar.
Tani të gjithë të korruptuarit, pushtetarë ose ish pushtetarë, janë në ethe, por nga një palë ethesh që po krijojnë një komedi në historinë e Shqipërisë: ata që të gjithë po kuptohet se vuajnë nga ankthi për të fshehur gjënë e vjedhur. Dhe prandaj janë në komedi, sepse janë si Arpagoni i Molierit, por Arpagoni i shkretë paratë që fshehte e numëronte gjithë pasion, nuk i kishte para të vjedhura si këta tanët, se e kishte pronën e tij familjare.
Ndryshe krejt janë të korruptuarit e Shqipërisë…
Dhe prandaj po flasin me ca mbrojtje prej budallai. S’kanë faj, se, kur kanë vjedhur paratë e shqiptarëve nuk kishte kush ti akuzonte në Shqipëri. Kurse tani ka ardhur SPAK.
I.
Në fakt, në këtë kohë është krijuar një përplasje e madhe midis liderëve të korruptuar dhe SPAK-ut
Dhe pikërisht për këtë, kjo tani duhet të quhet një kohë historike.
Shqiptarët janë përpara historisë së tyre me pyetjen: a ka ardhur koha që shteti shqiptar ta mundë krimin shtetëror që ka sunduar Shqipërinënë rreth 25 vite?
Por, shteti shqiptar dihet që është i bashkuar me krimin si pasojë e korrupsionit, sepse përfshirja në korrupsion e liderëve të politikës shqiptare, sipas qeverive që kanë kaluar në 25 vite rresht, është epiqendra e asaj që mund të quhet si ide, që krimi ka drejtuar psikologjikisht shtetin shqiptar. Dhe kjo tani është e qartë, por ndërkohë kjo psikologji kriminale është goditur nga pushteti i ri gjyqësor që tani quhet SPAK.
Pikërisht për këtë fakt, si pasojë e një lufte midis SPAK-ut dhe korrupsionit të lartë shteteror, në Shqipëri ka filluar një epokë e re në të cilën korrupsioni i lartë shtetëror është krejt i pafuqishëm përballë institucionit antikorrupsion dhe kundër krimit të organizuar, që tani shqiptarët të gjithë e quajnë SPAK.
II.
Deri para dy vjetësh në Shqipëri kjo dukej e pamundur. Por dalja e SPAK-ut solli tronditje që në krijimin e tij.
Dhe koha po vjen.
Por na duhet të theksojmë se, midis krimit që drejton një shtet dhe goditjes penale për shpëtimin prej tij, koha e ka sjellë që, pikërisht për këtë fakt, në historinë për vendosjen e demokracisë në Evropë, u krijuan junta ushtarake në shumë shtete të Perëndimit, madje edhe në Greqi. Sigurisht ato junta krijuan konflikte shoqërore që tani i njeh historia, por si rrjedhojë konsoliduan edhe demokacinë institicionalisht. Sepse, demokraci jashtë-institicionale nuk mund të ketë.
Ill.
Por historia e solli që edhe në Shqipëri demokracia dhe drejtësia duhej të vinte me anë të një force ushtarake për të shpëtuar shoqërinë, që qe përballë një shteti shqiptar të korruptuar dhe aleat me krimin – kështu pata menduar edhe unë dy vjet përpara.
Por koha, tani, më bindi për të kundërtën: shpëtimi i Shqipërisë do të vijë nga pushteti i ri gjyqësor i ngritur specialisht për antikorrupsionin dhe që quhet SPAK.
Kjo është një rrugë më e gjatë në procesin antikorrupsion, por është në fakt me kapacitet më të lartë historik në funksion të drejtësisë dhe institucionalizimit demokratik të Shqipërisë.
SPAK tani e ka filluar punën me goditje të larta, dhe para një muaji arrestoi dhe Sali Berishën si një individ me aktivitet të theksuar kriminal në Shqipëri.
Në fakt, arrestimi i Sali Berishës është një hap shumë i madh drejt vendosjes së ligjit dhe demokracisë në Shqipëri. Kur në një shoqëri likuidohet burrimi i të këqijave që e kanë pllakosur atë për një kohë të gjatë, pa dyshim që duhet të fillojë një etapë e re politike për atë shoqëri.
Dhe këtë ndihmë po na japin ndërkombëtarët, sidomos politika amerikane.
IV.
Po SPAK a do të jetë më aktiv në goditjen e korrupsionit këtë vit.
Sigurisht që po. Sepse tani dosjet janë zbardhur, dhe SPAK gjatë janarit e ka vijuar hetuesinë me njoftime publike. Gjithsesi, pas arrestimit të Sali Berishës dhe një vargu që do të vijë, i cili është në përgatitje hetimore, sigurisht që do të ngjallë optimizëm tek shqiptarët për të ardhmen e tyre të afërt.
Të, shohim. Gjithçka do të duket në dy apo tre muajt që vijnë, të cilët, sipas praktikave hetimore të ngjashme me rastin tonë, janë muajt kryesorë në vijimin me sukses të goditjes antikorrupsion që ka vijuar.

SHKARKO APP