Spiropali: Marrëdhëniet Shqipëri-Çeki bazohen në vizionin, vlerat dhe aspiratat e përbashkëta europiane
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, priti sot në Kryesinë e Kuvendit, Kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve të Republikës Ҫeke, znj. Markéta Pekarová Adamová dhe delegacionin që e shoqëron në vizitën zyrtare në Shqipëri.
Kryetarja Spiropali vuri në dukje se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Republikës Ҫeke bazohen në respekt të ndërsjelltë dhe aspirata të përbashkëta. Ndër vite ne kemi thelluar dialogun tonë politik të nivelit të lartë, duke e zgjeruar bashkëpunimin në shumë dimensione.
Bashkëpunimi dhe partneriteti energjik në rritje midis parlamenteve tona, përmes grupeve të miqësisë, komisioneve parlamentare dhe shkëmbimeve mes ligjvënësve, është jo vetëm dëshmi e vlerave tona të përbashkëta, por dhe një themel për ndërtimin e lidhjeve dypalëshe edhe më të forta në vitet në vijim.
Shqipëria i është thellësisht mirënjohëse Republikës Ҫeke për mbështetjen e palëkundur, entuziaste dhe parimore ndaj rrugëtimit tonë të integrimit evropian.
Kryetarja Spiropali vlerësoi rikonfirmimin e kësaj mbështetjeje nga Kryetarja Adamová, veçanërisht ndërsa Shqipëria nis një fazë të re, përgatitjen për Konferencën e Tretë Ndërqeveritare, avancimin e negociatave mbi kapituj të rëndësishëm dhe hedhjen e bazave për një integrim më të gjerë brenda kuadrit të BE-së.
Aspirata jonë për tu anëtarësuar në Bashkimin Evropian brenda vitit 2030 është si ambicioze, ashtu edhe e realizueshme. Është një qëllim që reflekton aspiratat e popullit tonë dhe vizionin strategjik të vendit tonë. Ky rrugëtim do të kërkojë vendosmëri dhe përpjekje, por me mbështetjen e miqve si Republika Ҫeke, besojmë se do të mund t’ia dalim.
Samiti BE-Shqipëri i mbajtur në Tiranë, më 6 dhjetor 2022 gjatë Presidencës Ҫeke të Këshillit të Bashkimit Evropian, theksoi fuqinë e këtij partneriteti.
Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian premton të nxisë më tej zhvillimin e Shqipërisë, duke përmirësuar integrimin rajonal, duke forcuar lidhjet ekonomike dhe duke çuar përpara projekte të infrastrukturës.
Përkrahja e Republikës Ҫeke shtrihet përtej marrëdhënieve tona dypalëshe, përmes Grupit të Vishegradit dhe rritjes së bashkëpunimit në kuadrin e Procesit të Berlinit, ku Shqipëria me krenari ka luajtur një rol drejtues.
Në një kohë që bashkëpunimi ekonomik dypalësh rritet, Kryetarja Spiropali dhe Kryetarja Adamová diskutuan mënyrat për të çliruar potenciale të mëtejshme në fusha si transporti ajror, arsimi, kultura, shkenca, duke bashkëpunuar për ndërtimin e të ardhmes të përcaktuar nga inovacioni dhe bashkëpunimi.
Kryetarja Spiropali dhe Kryetarja Adamová theksuan urgjencën e avancimit të integrimit euro-atlantik të Kosovës, duke mbështetur dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, si rruga drejt paqes së qëndrueshme dhe fuqizimit të pozitës së Kosovës në arenën globale; rikonfirmuam vizionin e përbashkët për të ardhmen evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe të Ballkanit Perëndimor dhe mbështetjen e palëkundur ndaj Ukrainës, deri në çlirimin e tyre të plotë, rindërtimin e vendit të tyre dhe vendosjen e paqes së qëndrueshme.