Spiropali në parlamentin holandez: Mbyllja e negociatave brenda 2027 dhe anëtarësimin e plotë në BE brenda 2030

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali po zhvillon një vizitë zyrtare në parlamentin holandez. Ajo u prit në një takim të përbashkët nga kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Martin Bosma, dhe kryetari i Senatit, Jan Anthonie Bruijn. Në takim ishte i pranishëm edhe ambasadori i Shqipërisë në Vendet e Ulëta, Artur Kuko. Spiropali vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera intensive politike dypalëshe, shkëmbimet e vizitave të nivelit të lartë dhe theksoi se ky momentum duhet ruajtur dhe bashkëpunimi duhet dhe mund të zgjerohet.

Pozita strategjike e Holandës në Bashkimin Evropian dhe roli i fuqishëm në organizatat ndërkombëtare përbëjnë një oportunitet për realizimin e ambicjeve tona për integrimin europian dhe kontributin në përballimin e sfidave globale. Spiropali vlerësoi mbështetjen për transformimet demokratike, nëpërmjet programeve të ndihmës për reformën në drejtësi, sundimin e ligjit, fuqizimin e institucioneve demokratike dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Holanda është ndër investitorët kryesorë në Shqipëri dhe Spiropali shprehu interesimin për shtimin e investimeve dhe zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik e tregtar si edhe bashkëpunimin në nivelin lokal. Turizmi dhe sporti po afrojnë më shumë njerëzit e dy vendeve tona.

Spiropali vlerësoi mbështetjen e Holandës për rrugëtimin evropian të Shqipërisë dhe ndau me homologët objektivin kombëtar strategjik për përfundimin e negociatave teknike të anëtarësimit brenda brenda 2027 dhe anëtarësimin brenda vitit 2030, një objektiv ambicioz, por plotësisht i arritshëm, nëse mbajmë parasysh faktin se Shqipëria është aktualisht vendi kandidat që ecën më shpejt dhe më vendosmërisht drejt anëtarësimit.

Ne synojmë të zhvillojmë dy konferenca ndërqeveritare Shqipëri-BE në muajt prill dhe qershor, gjatë Presidencës Polake, dhe dy konferenca ndërqeveritare gjatë muajve tetor dhe dhjetor, gjatë Presidencës Daneze. Spiropali vuri në dukje rolin aktiv të Shqipërisë në bashkëpunimin, sigurinë e paqen në rajon, kontributin e Procesit të Berlinit në integrimin europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të Planit të Rritjes si një mundësi që përshpejton zhvillimin ekonomik dhe rrit mirëqenien e fuqizon kohezionin social në vendet e rajonit.

Spiropali diskutoi me homologët holandezë edhe për bashkëpunimin mes dy vendeve në kuadrin e Komunitetit Politik Europian dhe organizimin e Samitit të Gjashtë të tij në Tiranë në 16 maj 2025. Duke vlerëzuar bashkëpunimin mes dy vendeve si anëtarë dhe partnerë në NATO, Spiropali vuri në dukje se mbështetja e palëkundur e Shqipërisë për Ukrainën do të vazhdojë. Spiropali ftoi kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve Martin Bosma dhe kryetarin e Senatit Jan Anthonie Bruijn për një vizitë zyrtare në Kuvendin e Shqipërisë.

SHKARKO APP