Spiropali: Papa Françesku nuk predikoi vetëm me fjalë, por e jetoi Ungjillin në një botë të shpërqëndruar shpirtërisht

Kryeparlamentarja Elisa Spiropali, thotë se ndarja nga jeta e Papa Françeskut është një pikëllim i madh për të gjithë, por sidomos për ata që kanë më shumë nevojë për praninë e fjalës së jetuar të Zotit. Takimin me Atin e Shenjtë në Vatikan, Spiropali e konsideroi si ato ngjarje tek e cila nuk e ndan dot përmasën shtetërore me atë shpirtërore. ”Më ka lënë mbresë të jashtëzakonshme Papa Françesku me një përgjigje që na jep gjatë një predikimi të Tij në kremtimin e solemnitetit të ditës së “Gjithë Shenjëtorëve“ më 1 nëntor 2015, ku pohonte: “Fjala e Zotit të ringjallur na tregon udhën e vërtetë për të mbërritur tek lumnija e vërtetë, udha që na shpie drejt Qiellit. Është një ecje tejet e vështirë e plot sakrifica e që duhet kuptuar pasi është kundër rrymës. Por, Zoti na thotë se kush shkon drejt kësaj udhe do të arrijë lumturinë”’,-shkruan Spiropali.

Postimi i plotë

Takimi me Atin e Shenjtë në Vatikan ka qenë nga ato ngjarje tek e cila nuk e ndan dot përmasën shtetërore me atë shpirtërore. Sa herë në jetë pamja jonë mbulohet me dyshime nga ato më të thjeshtat deri tek ato më ekzistencialet, kërkojmë një përgjigje të saktë për dyshimet tona, për mëdyshjet e udhës sonë njerëzore, politike, profesionale. Dhe përgjigjen shpeshherë e duam përmbyllëse, të plotë, të qartë, të njëzëshme, që të mos kemi më nevojë për pyetje të tjera, që të mos humbasim më kohë! Në Ungjillin e Gjonit, Pjetri i drejtohet Krishtit: ’’Zot, te kush të shkojmë? Ti ke fjalë jete të përjetshme“.

Më ka lënë mbresë të jashtëzakonshme Papa Françesku me një përgjigje që na jep gjatë një predikimi të Tij në kremtimin e solemnitetit të ditës së “Gjithë Shenjëtorëve“ më 1 nëntor 2015, ku pohonte: “Fjala e Zotit të ringjallur na tregon udhën e vërtetë për të mbërritur tek lumnija e vërtetë, udha që na shpie drejt Qiellit. Është një ecje tejet e vështirë e plot sakrifica e që duhet kuptuar pasi është kundër rrymës. Por, Zoti na thotë se kush shkon drejt kësaj udhe do të arrijë lumturinë“.

E ndjej dhe e besoj fort se këto fjalë janë plot vlerë e të besueshme, pasi thuhen nga Papa Françesku që po këto fjalë, i ka jetuar gjatë gjithë jetës së Tij. Ndoshta bash këtu qëndron forca e jashtëzakonshme shpirtërore e këtij njeriu që po përcillet sot, sepse Ai nuk predikoi vetëm me fjalë, por e jetoi Ungjillin në një botë të shpërqëndruar shpirtërisht. I tha njerëzimit: Shih thelbin e jetës, jo dukjen. Ishte një Bari i jashtëzakonshëm sepse ishte i besueshëm.

Ikja e tij është një pikëllim i madh për ne të gjithë, por sidomos për ata që kanë më shumë nevojë për praninë e fjalës së jetuar të Zotit. Bota, ne, njerëzia sot, ka nevojë për dëshmi, e Ati i Shenjtë ishte një ndër dëshmitë unike të kohëve tona. Jepi, o Hyj, pushimin e pasosur! E ndrittë Drita e pambarueme!

SHKARKO APP