”Spitalet në kolaps, shtretërit janë plot”, Rama i përgjigjet me video Bashës: Mos përhap panik, ti do katastrofë totale
Pas akuzave të kreut të PD-së, Lulzim Basha gjatë konferencës me gazetarët, ku tha se spitalet janë në kolaps dhe se shtretërit janë plot, kryeministri Edi Rama ka publikuar këtë video.
Sipas Ramës, opozita shpif, akuzon, përhap panik e nxit çorodi, ”duke përbuzur dhimbjet e të prekurve, sakrificat e bluzave të bardha, faktet e sfidat e kësaj kohe kaq të vështirë për njerëzit në Shqipëri e në mbarë botën”,-shkruan Rama në facebook.
Kreu i PD-së Lulzim Basha, tha se ai, PD-ja dhe e gjithë opozita nuk ka akses për të mësuar se çfarë po ndodh brenda spitaleve, duke ngritur shumë pikëpyetje.
”Siç e dini, as unë dhe as përfaqësues të opozitës, nuk kanë akses në atë çfarë po ndodh brenda spitaleve. Ju jeni atje 24 orë në ditë duke raportuar dhe jeni në shumicën dërrmuese burimi i vetëm i informacionit për atë që ndodh gjatë ditës. Gjendja është përtej tragjikes”, theksoi Basha.
Postimi i plotë
Lulëzim Basha vazhdon të dizinformojë përditë e përditë se “spitalet janë në kolaps, shtretërit janë plot, njerëzit dergjen nëpër dysheme, s’ka mjekë, s’ka infermierë”, s’ka asgjë përveç Lulëzimit që ka recetën magjike të ndaljes së infeksionit!
Eshtë fatkeqësi e madhe që ndërkohë që numrat rriten si kudo në planet, nga Gjermania e Franca deri në fund të botës, si askund në botë opozita shpif, akuzon, përhap panik e nxit çorodi, duke përbuzur dhimbjet e të prekurve, sakrificat e bluzave të bardha, faktet e sfidat e kësaj kohe kaq të vështirë për njerëzit në Shqipëri e në mbarë botën!
Këto pamje janë sot, tani, brenda spitalit Covid 3, ku siç e shihni ka shtretër të gatshëm dhe mjekë e infermierë në gatishmëri, po pamje krejt të ngjashme sallash e shtretërish të gatshëm, së bashku me trupa të gatshme bluzash të bardha, mund të shihen në spitalin Covid 4 që ende nuk është hapur – ndërkohë që në bazë të strategjisë së vjeshtë/dimrit jemi gati të hapim edhe struktura rajonale nëse do të jetë nevoja.
Kjo është padiskutim një situatë e vështirë, po ku nuk është? Por kjo vështirësi nuk kalohet me akuza, sharje, shpifje e sajesa, po me përpjekje të mëdha dhe solidaritet të madh!
Lulëzim Basha, Ilir Meta, Monika Kryemadhi dhe Sali Berisha, ëndërrojnë pikërisht ato që thonë, kolapsin e spitaleve, dergjjen në dysheme të njerëzve, katastrofën totale, por përsëri do të zhgënjehen e do të ndëshkohen nga populli! Ne do ta fitojmë edhe këtë sfidë, as më shumë e as më pak, po si e gjithë bota, sepse askund nuk po bëhet ndonjë mrekulli, kudo po luftohet me çdo mundësi! Deri në fund. Besim, durim, kurajo dhe solidaritet!