Studentët vazhdojnë qëndresën para Kryeministrisë (FOTO)

Ditën e sotme studentët kanë zgjedhur të mos bllokojnë rrugët për të protestuar. “Bllokimi i rrugëve është diçka që na dëmton neve dhe qytetarët, pasi ne i kemi mbështetje qytetarët, por që ishte një zgjidhje e përkohshme deri në momentin që kryeministri të kuptojë që ne do të vazhdojmë protestën”, u shpreh një student.

“Bojkotimi i mësimit vazhdon gjithsesi, kjo është një formë proteste”, shtoi një tjetër.

Studentët prej eksperiencave të mëparshme jo të suksesshme të dialogut me anëtarë të qeverisë, shprehen se nuk kanë besim.

“Nuk jam për negociata, sepse kemi kërkuar dialog më parë për sa i përket arsimit me ministren dhe nuk na ka dëgjuar. Tani le ta gjejë mënyrën dhe të mbajë përgjegjësinë e kohës së humbur”, tha një student.

“Duke marrë shkas edhe nga vizitat e kryeministrit nëpër universitete, mendoj që dialogu nuk është i frytshëm. Ndaj vazhdimi i protestës është mënyra më e mirë”, u shpreh një tjetër student në mbështetje të tezës së mos dialogimit.

Ditën e nesërme studentët deklarojnë se do të qëndrojnë përpara Parlamentit për të protestuar.

“Do të vazhdojmë në Parlament nesër, përderisa është seanca. E vetmja arsye është që ligji i arsimit dhe disavantazhet që ka për studentët të shfuqizohet”, tha njëri prej tyre.

SHKARKO APP