Studimi: Vetërregullimi i mediave online në Shqipëri, një nevojë e ngutshme
Në Tiranë, Instituti i Studimeve Politike bëri të ditur se një pjesë e madhe e mediave online po shkelin të drejtat e njeriut, gjatë veprimtarisë së tyre në informalitet.
Në një studim të posaçëm mbi këtë fushë, Instituti thekson se mediat online kanë denoncuar korrpsionin, si dhe kanë sjell më shumë liri shprehje dhe informimi, por po aq shqetësuese janë edhe shpifjet apo lajmet e rreme.
Instituti bëri thirrje për vetë-rregullim të medias online, që të shmangen këto shkelje të lirive dhe të drejtave me një funksionim normal e ligjor të tyre.
Instituti i Studimeve Politike thekson në studim se mungesa e një rregullimi ligjor mbi funksionimin e mediave online, u ka dhënë atyre mundësinë për abuzim e shkelje të të drejtave të njeriut.
Krahas pjesëmarrësve privatë, autorët pohojnë se edhe forcat politike po e shpërdorojnë fuqinë e mediave online, për të cilat mungon transparenca mbi burimin e financimeve dhe të dhëna themelore mbi pronësinë.
Studiuesi i njohur Afrim Krasniqi, drejtues i këtij projekti, thotë se mediat shqiptare online nuk bëjnë gazetari profesionale, por shumica ngjajnë deri tani me mitingjet partiake të mbyllura në rrjetet sociale, dhe tribuna ku denigrimi dhe fyerjet përzjehen me denoncimet e korrupsionit.
“Nuk kemi të bëjmë me një gazetari mirrëfilli, se sa me nevojën për të shpërhtyer, dhe për t’i thënë gjërat në mënyrë publike. Kjo ka sjellë dobi pozitive, sepse denoncon skandale, ose mbush boshllëqet e informacioneve, që institucionet qendrore mund edhe t’i fshehin. Qytetari mund të marrë informacion të bollshëm për këdo në një vend të vogël si Shqipëria, për tenderat, për skandalet. Por nga ana tjetër, është rritur mundësia e abuzimit, sepse nuk ekzistojnë institucione dhe mekanizma, që të parandalojnë apo frenojnë fake news-in në Shqipëri, nuk ka mekanizma rregullatorë midis vet medias” – thotë zoti Krasniqi.
Mediat online kanë marrë një përhapje të gjerë në Shqipëri, por lidhur me to mungojnë të dhëna fillestare mbi redaktorët, pronarët dhe autorët, dhe kjo veprimtari në fshehtësi ka sjellë shtimin e gjuhës së urrejtjes, shpifjeve, lajmeve të rreme, të cilat askush nuk ka se ku të drejtohet për t’i përgënjeshtruar.
Autorët e studimit pohojnë se vetë-rregullimi i mediave online është nevojë e ngutshme, për të rritur profesionalizmin dhe përgjegjshmërinë e kësaj gazetarie, dhe këtë, më mirë se kushdo mund ta bëjë vet komuniteti i mediave, sepse qeveria u provua se ka një qasje shumë të ashpër ndaj kësaj çështjeje delikate.
Studiuesi Krasniqi thotë se parlamenti, drejtësia dhe qeveria kanë dhënë shumë shembuj për mungesë transparence, dhe si burime lajmesh të rreme, ndaj rregullimet mund t’i bëjnë vet gazetarët në përputhje me kërkesat dhe standartet e Bashkimit Europian.
“Qeveria e ka humbur betejën për transparencën dhe nuk plotëson premtimet e saj për llogaridhënie. Nëse qeveria do të ishte transparente dhe llogaridhënëse, historia do të ishte krejt tjetër dhe vendi nuk do të kishte nevojë për kaq shumë media dhe hapësira për abuzime dhe fake news do të ishte jashtëzakonisht e vogël. Qeveria është modeli i fake news-it në Shqipëri, përfshi edhe stacionin zyrtar që përdor kryeministri, i cili është modeli negativ i një media abuzuese të pushtetit, pa transparencë në financim, në organizim, apo në njoftimet që përcjell. Gjithë strukutrat e tjera kanë përpara këtë model negativ dhe nuk kanë një model pozitiv, që t’i referohen” – thotë zoti Krasniqi.
Mediat online shfaqen në Shqipëri pa identifikim të autorësisë së shkrimeve, thekson studimi i ISP, dhe e drejta për lirinë e shprehjes vihet përballë me detyrën për të respektuar liritë e njeriut.
Në gjendjen aktuale, kur bëhet fjalë për disa dhjetëra e qindra media të tilla, është e vështirë të vlerësohet cilësia e gazetarisë, saktësia e informacionit, lajmet e rreme dhe përgjegjësitë kur cenohen të drejtat njerëzore.
Këtë mjegullnajë informaliteti, pohojnë autorët, po e shfrytëzojnë më së miri grupimet ekonomike dhe politike për shantazhe dhe privilegje, të cilat vazhdojnë ta mbajnë shoqërinë shqiptare nën retorikën e ashpër politike dhe respekti minimal për mendimin ndryshe./VOA/