Studiuesi Auron Tare: Krimi që po bën qeveria ku jepet me koncension Parku Arkeologjik i Butrintit

Ish-drejtori i Parkut Arkeologjik të Butrintit, studiuesi Auron Tare shprehet kundër dhënies së kësaj trashëgimie arkeologjike me koncesion për menaxhim te privati.

Qeveria e Edi Ramës ka vendosur ta japë Butrintin me koncesion për 10 vite te kompania britanike “Prince & Pearce”, rast unik në Europë.

Por Tare thotë se kjo do t’i hapë rrugën kompanive të tjera private për të marrë në menaxhim trashëgimi kulturore, ku sipas tij nuk është çudi nëse një kompani greke merr në menaxhim Gjirokastrën apo Tepelenën.

“Situata në 10-vjeçarin e fundit në Butrint lë për të dëshiruar, si situata e vizitorëve dhe ekspeditat arkeologjike, shkolla e restaurimit e cila nuk është më. Megjithatë do të thosha me gjithë këtë situatën që ka trashëgimia kulturore në Shqipëri, Butrinti i qëndroi, i rezistoi. Në asnjë mënyrë nuk mund t’i jepet një fondacioni të huaj për menaxhim.

Nëse kjo do të ndodhë, atëherë ne do të mund të kemi shumë mirë një fondacion grek që mund të marrë Gjirokastrën, Tepelenën, apo Krujën. PPP në trashëgiminë kulturore është shumë e rrezikshme. Nuk mund t’u jepen të huajve. Nuk kemi një model tjetër në Europë. Ose do të pranojmë që Butrinti ka falimentuar, dhe i jepet një pale të huaj.

Ose themi që Butrinti është i suksesshëm, dhe nëpërmjet një fondacioni të mblidhen të gjithë ekspertët më të mirë shqiptarë. Por duhet të jetë një bërthamë shqiptare, nuk mund ta dorëzosh trashëgiminë tënde te një i huaj”, deklaroi Tare në “Ora News”.

Deklaratat e Auron Tares vijnë pasi kryeministri Rama e quajti “askushi që do të bëhet dikushi” pak kohë më parë, ndërsa komentonte dokumentat që kishte publikuar Auron Tare mbi Martin Camajn.

“Shpifje nga njerëz “askush” që kërkojnë të bëhen “dikushi”! Kështu cilësoi kryeministri Edi Rama akuzat e bëra se shkrimtari Martin Camaj ka qenë agjentë i UDB-së. Në 95 vjetorin e lindjes së shkrimtarit, Rama ka folur me superlativa për Camajn, teksa ka bërë edhe një krahasim me këtë “shpifje” me akuzat e bëra sot ndaj tij mbi çështjen e detit.

“Njerëzit që janë askush kërkojnë të bëhen dikush duke guxuar që të prekin deri aty ku gjenden dikushët që De Rada thoshte “engjëjt që e bëjnë gostinë më vete dhe prishja e këtij rendi dhe përpjekja e shfrenuar e një luzme pseudosh që duke shfrytëzuar të gjitha parametrat dhe kushtet që ka krijuar kjo kohë e re për të hyrë në gostinë e tyre me dhunë dhe për të zëvendësuar engjëjt me djajtë, është e frikshme, por meriton të luftohet pa u dorëzuar. (…)Debati për Martin Camajt, do ishte i destinuar që të bëhej si pseudo debati i detit. Më shkon gjuha tek deti po nuk po merrem me të sot, është rast tipik kur s’ka marrëveshje dhe negociata sepse nuk kemi rënë dakord. Të thonë thellohu-thellohu, domethenë ti diçka ke dhe kështu pash që po shfaqeshin duart e tyre mbi engjejt e asaj gostisë së De Radës të veshur me veladonin e mërtirëve të dëshmorëve. Debati i Camajt dhe për të tjerë do të ishte i destinuar të bëhej si pseudodebati i detit”, tha Rama në 28 Gusht.

SHKARKO APP