Sulmi i armatosur serb në Veri, reagon sërish KFOR: Ishim gati të ndërhynim

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR përsërit qëndrimin e shprehur ditën e dielë se policia e Kosovës ka ndërhyrë në përputhje me të drejtat e saj si reaguese e parë. KFOR nënvizon edhe se trupat e tyre ishin të pranishëm në zonën pranë manastirit të Banjskës, ku Njësia Speciale e policisë së Kosovës kreu një operacion për arrestimin e të ashtuquajturve terroristë.

“Siç është theksuar edhe në deklaratën e KFOR-it të lëshuar më 24 shtator 2023, pas sulmit të kryer kundër Policisë së Kosovës në Banjska, Policia e Kosovës ka ndërhyrë në përputhje me të drejtat e saj të zbatimit të ligjit, si reaguese e parë. Trupat e KFOR-it ishin të pranishëm në zonë. Ata vëzhguan nga afër situatën dhe ishin të gatshëm të përgjigjeshin, nëse kërkohej. Gjatë gjithë kohës, Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i kanë vepruar në koordinim të ngushtë, respektivisht si reagues i parë, i dytë dhe i tretë”,-thuhet në njoftimin për mediat.

Në vijim theksohet se komandanti i KFOR-it “mbetet në kontakt të rregullt me EULEX-in, përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë dhe të organizatave të sigurisë së Kosovës si dhe shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura të Serbisë”. Një thirrje ka edhe për të vijuar me dialogun, me ndërmjetësimin e BE-së i drejtohet Prishtinës dhe Beogradit në fund të deklaratës së KFOR.

SHKARKO APP