Sulmohet kryeparlamentari i ri kosovar: Ka shkruar se UÇK financohet nga trafikantë të drogës!
Një punim i vitit 2012, në të cilin bashkëautor ishte edhe kryetari i ri i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka nxitur reagime të shumta në Kosovë më 27 gusht.
Në punimin me titullin: “Globalizmi në Ballkanin Perëndimor: Krimi transnacional, islami fundamentalist dhe aleancat e padrejta”, thuhej se “sipas rasteve të hetuara, fondet për UÇK-në erdhën nga shqiptarë të zakonshëm në diasporë, por edhe nga trafikantët e drogës që operonin në gjithë Evropën Perëndimore dhe në Shtetet e Bashkuara”.
Pas raportimeve nga mediat për këtë punim, kreu i ri i Kuvendit, Dimal Basha, mohoi se ka shkruar ndonjëherë kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Basha tha se kontributi i tij në këtë punim është vetëm në Kapitullin 3, “i cili trajton depërtimin e Islamit fundamentalist në Evropën Juglindore, me fokus Kosovën”.
“Këtu përfundon përgjegjësia ime lidhur me punimin në fjalë”, shkroi ai në Facebook.
Edhe bashkëautorja e këtij punimi, Jana Arsovska, ka mbështetur pohimin e Bashës.
“Thënë shkurt, zoti Basha ka kontribuar vetëm në këtë kapitull, që hulumton përhapjen e islamit radikal në Evropën Juglindore, me fokus të veçantë në Kosovë”, ka thënë ajo për mediat në Kosovë.
Basha, në reagimin e tij, tha se e çmon lart luftën e UÇK-së dhe sakrificën e popullit të Kosovës për liri.
“Unë, Dimal Basha, e çmoj lart luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sakrificën e popullit tonë për liri. Nga goja ime dhe nga duart e mia nuk është shkruar dhe nuk do të mund të gjendet asnjë përmbajtje që bie ndesh me këtë vlerë të shenjtë të popullit tonë”, shkroi Basha.
Ai u kërkoi falje qytetarëve të Kosovës, që tha se mund të jenë shqetësuar “nga ky raportim i rremë”.
Raportimet e mediave se Basha, që atëbotë ishte student, kishte shkruar një artikull me përmbajtje kundër UÇK-së, nxitën reagime të shumta në opinion.
Organizata e Veteranëve të UÇK-së shprehu “indinjatë për zgjedhjen e Bashës në krye të Kuvendit”.
“Ky person njihet për qëndrimet e tij denigruese dhe fyese ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e paraqitur atë si të lidhur me krimin dhe duke njollosur sakrificën më të madhe të popullit tonë. Është e papranueshme dhe e pafalshme që Kuvendi i Kosovës të drejtohet nga një njeri që ka fyer dhe sulmuar UÇK-në dhe dëshmorët tanë”, tha OVL e UÇK-së.
Kryetar i Drenasit, Ramiz Lladrovci, publikoi një pjesë të këtij punimi, dhe kërkoi shkarkimin e Bashës.
“Kosova jonë kishte dhe ka ‘kontribuues’ si Dimal Basha, por si këto dy faqe që dëshmojnë thellësinë e gënjeshtrës, seriozitetin e mashtrimit dhe antikombëtarizmit, nuk mund të gjenden nga autorë shqiptarë”, shkroi Lladrovci në rrjetet sociale.
Edhe figura të tjera politike, por edhe të shoqërisë civile reaguan me zemërim pas raportimeve për këtë punim.
KOHA JONË SONDAZH

