Tabaku: Çmimet e shportës janë rritur 60%. Mungesa e konkurrencës dhe kapja e çdo hapësire në treg ka varfëruar shqiptarët
Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku ka denoncuar rritjen e çmimeve të shportës së konsumit të cilat sipas saj janë rritur me 60% krahasuar me 12 vite më parë. Për të kjo rritje nuk është shoqëruar me rritjen e të ardhurave dhe pensioneve, duke e bërë barrën ekonomike të papërballueshme për qytetarët. ”Mungesa e konkurrencës dhe kapja e çdo hapësirë në treg që nga zinxhiri i shpërndarjes deri tek shitja, tek pika e shitjes për konsumatorët dhe së treti, të ardhurat e disponueshme që kanë qenë në rënie”.
Postimi i plotë
2024 ka qenë viti i rritjes së çmimeve, nga buka, tek ushqimet, tek produktet e shportës, të gjitha janë rritur. 2025 vazhdon të jetë ende vit i rritjes së çmimeve, pasi asnjë zgjidhje nuk është dhënë. 30% e popullsisë, ose 800 mijë pensionistët, kanë përjetuar një rritje prej 60% të çmimeve. Kjo rritje ka ardhur për disa arsye: taksat dhe sistemi i padrejtë që është ngritur, i cili penalizon punën e ndershme, por njëkohësisht penalizon edhe produktet që arrijnë me çmime normale në tryezat e shqiptarëve.
Mungesa e konkurrencës dhe kapja e çdo hapësire në treg, që nga zinxhiri i shpërndarjes deri tek shitja dhe pika e shitjes për konsumatorët, si dhe të ardhurat e disponueshme që kanë qenë në rënie, janë tre faktorët që i kanë varfëruar qytetarët shqiptarë. Kush është zgjidhja? Sigurisht, ndryshimi i një modeli ekonomik, ndryshimi i një modeli që sot ka shteruar, nuk ofron më asgjë, nuk jep zgjidhje dhe unë nuk e pres zgjidhjen nga ata që nuk e dhanë në 12 vitet e fundit.
Shpresoj shumë që ekonomia shqiptare të ketë burime të tjera rritjeje, të ketë mundësi të tjera për një konkurrencë të hapur, për një sistem taksash të drejtë dhe, në fund të ditës, çdo gjë ka zgjidhjen tek ekonomia. Për këtë arsye, 2025 vërtet është viti i rritjes së çmimeve, por është edhe viti i zgjidhjes së të gjitha problemeve tuaja.