Tabaku: Fatkeqësi që truri i Shqipërisë është i detyruar të largohet
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar përmes një video në rrjetet e saj sociale për vendimin e fundit të kuvendit që nuk arriti të korrigjojë vendimin e marrë nga Gjykata Kushtetuese por i detyron prapë studentët e mjekësisë që të punojnë me detyrim. Një vendim që kujton komunizmin, u shpreh Tabaku ndërsa theksoi se parlamenti nuk korrigjoi veten e tij duke miratuar diçka në kundërshtim me kushtetutën.
Ajo kujtoi fitoren e studentëve të mjekësisë në Gjykatën Kushtetuese, e cila rrëzoi ligjin që i detyronte ata të paguanin gjobë ose të punonin sipas kushteve të vendosura nga shteti, krahasuar me metodat e periudhës së komunizmit.
“ Sot, nuk ka familje apo student mjekësie që, pasi ka investuar në një nga profesionet më të vështira e që kërkon angazhim maksimal, të thotë se nuk do të punojë. Problemi është se sistemi shëndetësor sot nuk u jep studentëve mundësi për të specializuar dhe për të zhvilluar me teknologjinë dhe pagat e ofruara aktualisht, ” u shpreh Tabaku.
Ajo nënvizoi se studentët e mjekësisë përballen me vështirësi për të zhvilluar aftësitë e tyre për shkak të mungesës së pajisjeve moderne dhe metodave të mësimit të përparuara. Tabaku vuri në dukje se çështja nuk është largimi i studentëve nga vendi, por krijimi i një sistemi të drejtë dhe të qëndrueshëm brenda Shqipërisë.
“Do të jem në mbrojtje të studentëve dhe të drejtës së tyre, kudo që janë dhe sido që të luftojnë. Është fatkeqësi që sot truri i Shqipërisë është i detyruar të largohet. Kjo betejë duhet të fitohet për të ndryshuar sistemin e kalbur të shëndetësisë, ” u shpreh ajo.
Reagimi i plotë:
Studentët e mjekësisë fituan një betejë në GJK për të rrëzuar një ligj i cili thoshte ose paguani gjobën ose punoni aty ku dua unë dhe si dua unë, si në kohë të komunizmit.Fatkeqësisht, Parlamenti nuk e riparoi, nuk e korrigjoi këtë ligj dhe puna e detyruar do të vazhdojë që të ekzistojë. Unë besoj që nuk ka sot familje e student mjekësie që mbasi ka investuar në një ndër profesionet më të vështira në fakt e që kërkon më shumë kohë e angazhim edhe sfilitëse nga pikëpamja e energjive, të thotë që nuk dua të punoj, por problemi është që sot në sistemin shëndetësor, studentët e kanë të pamundur që të specializohen, që të zhvillohen, me pajisjet që ka atje, me teknologjinë që ka atje, me pagat që ka sot mjekësia por nga ana tjetër dhe me metodat që sot ofrohen. Kështu që e shohin si alternativë largimin. Për mua nuk është kjo alternativa. Alternativa për mua është që ta ndryshojmë e të ndërtojmë këtu një sistem të drejtë por që këtu nuk ekziston. Unë nuk besoj se ka ligj në botë që mund të detyrojë të rinjtë të lëvizin nga njëra anë dhe nga ana tjetër, të fitojnë eksperiencë që sot fatkeqësisht nuk e kanë në shtet. Unë do të jem në mbrojtje të studentëve dhe të drejtës së tyre, kudo që janë dhe sido që ato të luftojnë. Është fatkeqësi që sot shohim trurin e Shqipërisë të jetë i detyruar që të largohet. Këtë betejë duhet të fitojmë ne. Edhe për ta ndryshuar sistemin e kalbur të shëndetësisë.