Tabaku: Integrimi ka nevojë për punë dhe jo propagandë

Deputetja Demokrate, Jorida Tabaku flet për “Koha Jonë” lidhur me procesin e integrimit dhe aksionin e opozitës

Intervistoi: Redjon Shtylla

Komisioni Europian rekomandoi për Shqipërinë si aspirante për anëtarësimin në Bashkim Europian, një rekomandim me kusht. Por a pritet që në dhjetor të marrin rekomandimin e plotë për hapjen e negociatave? Për deputeten e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e cila në një intervistë për “Koha Jonë”, shprehet se, shqiptarët e meritonin që në 2009 anëtarësimin, por kur “Qeveria e sotme ishte në opozitë zgjodhi interesin personal përballë synimit të përbashkët të gjithëve ne”,- shpjegon Tabaku. Deputetja e PD-së shprehet pesimiste lidhur me procesin e integrimit. “Ne nuk jemi ende gati për një dokument strategjik si ai i hapjes së negociatave”,- shprehet Tabaku.

KE dha rekomandim me kushte për hapjen e negociatave për Shqipërinë. Çfarë do të thotë ekzaktësisht, që nuk jemi gati për hapjen e negociatave?

Së pari, duke e ditur punën voluminoze që është bërë për këtë proces gjatë këtyre viteve, sidomos mbas nënshkrimit të marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit, dua të them që shqiptarët meritonin që hapja e negociatave të ndodhte kohë më parë, ndoshta që në vitin 2009. Kjo bazuar në gjithë kërkesat që Shqipëria kishte plotësuar, përjashto miratimin e 3 ligjeve në bashkëpunim me opozitën e atëhershme dhe maxhorancën e sotme, por fatkeqësisht nuk ndodhi, qeveria e sotme kur ishte në opozitë zgjodhi interesin personal përballë synimit të përbashkët të gjithëve ne. Në këtë proces, sa më shumë kohë kalon, aq më shumë ngrihet steka, e aq më shumë rritet kontrolli, shtohen detyrimet, ndryshon metodologjia. Për mua sigurisht që ishte shqetësuese të dëgjoja se KE ka vendosur kushte për negociatat, por akoma më shqetësues është fakti që ne nuk jemi gati për këtë proces edhe sikur KE të miratonte hapjen e negociatave pa kushte. Sot nuk ka një analizë sa i takon përputhshmërive të legjislacionit tonë me atë të BE, për të konkluduar më tej se cilët prej tyre kanë nevojë përafrimi edhe si do të bëhet ky përafrim. Për rrjedhojë ky hap mungon dhe ne nuk jemi ende gati për një dokument strategjik si ai i hapjes së negociatave. Po çfarë nënkupton KE me kushtëzim? Për të kuptuar arsyen e kushtëzimit duhet të lexojmë Progres- Raportin. Aty vërejmë se shqetësimet e Komisionit Europian mbeten të larta për problemet, të cilat i ka ngritur edhe opozita në Kuvend. Shqetësime në lidhje me krimin e organizuar dhe kultivimin e kanabisit në vend, duke ndikuar jo vetëm në ekonominë e vendit, por edhe në shndërrimin e kanabisit në një problem social. Aktualisht policia ka nisur një aksion për zhdukjen e kanabisit, por siç të gjithë jemi në dijeni, vetë funksionarë të policisë janë të lidhur ngushtë me kultivimin edhe shitjen e tij. Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, paraqitur edhe në Progres Raport, llogaritet se 2.6% e GDP-së të vendit tonë është pjesa e zezë e ekonomisë së kanabisit dhe krimit të organizuar. Kjo vlerë është më e lartë se sa përqindja që shteti ka akorduar për arsimin gjatë vitit aktual edhe që pritet të akordojë vitin e ardhshëm. Të rinjtë e vendit sot po “shkollohen” fatkeqësisht në krijimin e parcelave të drogës dhe jo në dijet e dobishme për të qenë nesër konkurrues në treg. Zgjedhjet janë një tjetër shqetësim jo vetëm për ne si opozitë, por edhe për faktorin ndërkombëtar dhe megjithëse PD përgatiti propozime të qarta një vit më parë, komisioni parlamentar për reformën që drejtohet nga maxhoranca ka dështuar të fillojë punë me masat minimale të propozuara nga OSBE-ODIHR. Letra e ambasadorit amerikan në OSBE duhej të kish qenë kambanë alarmi për qeverinë, por asgjë nuk ndodhi dhe qeveria vazhdon të luajë rolin e atij që nuk dëgjon dhe nuk sheh. Megjithëse, krimi i organizuar zë një peshë të madhe në notën negative të vendosur nga Progres-raporti, aty janë trajtuar edhe probleme të tjera jetike për një demokraci siç janë trajtuar me skepticizëm edhe reformat e marra nga qeveria në 5 prioritetet kyçe. Të mos harrojmë edhe se Christian Danielsson, shefi i zgjerimit në BE, në vizitën e djeshme në Shqipëri u shpreh se për kuadrin e hapjes së negociatave duhet “më shumë në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, reformës në administratën publike, por dhe për ligjin zgjedhor që kërkohet prej Shqipërisë”. Si pjesëmarrëse në procesin e integrimit për një periudhë dy vjeçare mund të flas me bindje se qeverisë i duhet më shumë punë se sa fjalë për të mbërritur në hapjen e negociatave duke tejkaluar edhe kushtet e vendosura nga BE. Ky proces nuk është një sprint, është maratonë, e të gjithë duhet të jenë të përgatitur për këtë.

Basha është shprehur se, PD është partia që do të hapë negociatat me BE-në. Por sipas PS-së, pesë deputetë të PD votuan kundër hapjes së negociatave në Komitetin e Asociim- Stabilizimit? Cili është qëndrimi zyrtar i PD?

Një forcë politike që lindi nën thirrjet e “duam Shqipërinë si gjithë Europa” dhe që nisi e para proceset integruese për hyrjen në BE, që nënshkroi marrëveshjen e stabilizim- asociimit, që punoi për pyetësorin, ushtrimin më impenjativ të administratës publike në procesin e integrimin duke ngritur çdo strukturë të mundshme për të ndihmuar e avancuar në këtë proces, nuk mund të jetë kundër këtij procesi. Dua thjesht t’ju kujtoj që në 3 vite, i vetmi akt për integrimin që ka kaluar në Parlament ka qenë një rezolutë e përgatitur dhe e propozuar nga PD. Arsyeja e kësaj rezolute nuk ishte vetëm për të dëshmuar se ne jemi pro procesit të integrimit, sepse këtë e kishim dëshmuar gjatë tetë viteve në qeverisje, por qe një ftesë edhe për maxhorancën që ta kishte prioritet. Mos harrojmë që ato që sot u hoqën si të skandalizuar për furtunën në gotë që krijuan, për katër vite me radhë zgjodhën Kryetarin e Qarkut të Fierit përpara hapjes së negociatave. Ajo çfarë ndodhi në Bruksel u sqarua nga kolegët. Në pak fjalë; KE fton palët për të rënë dakord sa i takon një deklarate të përbashkët, në rreth 10 vite proces integrimi është rënë dakord vetëm një herë për këtë deklaratë. Mos rënia dakord për deklaratën nuk ka të bëjë aspak me procesin e integrimit, duke qenë se janë instanca të tjera që marrin atë vendim. Nuk besoj se njerëzit janë kaq naivë sa të besojnë se ky proces është në vendimmarrje e deputetëve shqiptarë.

Çfarë roli duhet të marrë PD-ja që së bashku me qeverinë të plotësojë kushtin që shoqëron rekomandimin e hapjes së negociatave, zbatimin e reformës në drejtësi?

Opozita i ka qëndruar parimeve mbi të cilat janë votuar ndryshimet kushtetuese në fund të korrikut, për fatin e keq maxhoranca votoi në Parlament ligjin e Vetingut që qartësisht është në kundërshtim me Kushtetutën e sapo ndryshuar. Opozita ka krijuar mundësinë e terrenin që kjo reformë të miratohet, zbatimi është në dorë të qeverisë. Ashtu si dhe të gjitha rekomandimet e tjera në raport janë në dorë të qeverisë. Ka ikur koha kur progres raportet kishin një pjesë të konsiderueshme të tyre në lidhje me opozitën. Opozita sot nuk është më pengesë që të paraqitet në raport si përpara katër viteve kjo maxhorancë paraqitej.

Ka gjasa ta marrim që këtë dhjetor rekomandimin për hapje negociatash?

Do të dëshiroja shumë që të merrnin aprovimin për hapje negociatash në dhjetor siç do të dëshiroja të mos shihja kushtëzime!

Basha ka folur për aleancën e gjerë kundër qeverisë “Rama”, që strukturat e partisë janë të hapura për bashkëpunim me faktorë të tjerë politikë dhe jopolitikë, me qëllim krijimin e një aleance të gjerë kundër qeverisë? Ftesë ka edhe për LSI-në apo dhe për parti që janë në maxhorancë?

Aktualisht LSI është pjesë e koalicionit qeveritar që ka votuar çdo buxhet që ka varfëruar vendin. Ka votuar reformën në arsimin e lartë që prodhoi një skemë të pastër dërgimi maturantësh në universitetet private, që në fakt qenë sponsorizues të këtij ligji. Siç votuan së fundmi edhe ligjin për importin e plehrave, duke mos u distancuar nga Kryeministri që jo më larg se tre vjet më parë e rrëzoi po me votat e tyre. Me sa duket LSI po vazhdon të luajë rolin e një shtese në qeveri dhe kjo është problematike sa i takon demokracisë në vend. Më duket e padrejtë dhe e pasaktë pyetja nëse LSI mund të jetë në një koalicion kundër qeverisë përderisa sot LSI është pjesë e qeverisë dhe duke qenë pjesë e saj, i takon të mbajë mbi supe përgjegjësitë e saj për këtë keqqeverisje. Ndërkohë që, opozita është e hapur për këdo që është në kundërshti me këtë që po i ndodh sot Shqipërisë. Nuk e kemi luksin në opozitë të humbim askënd aq më tepër qytetarët që realisht duan të largohen nga kjo qeverisje që po prodhon veç propagandë.

Programi i ri i PD-së, tashmë ka marrë edhe vlerësimet dhe bekimin e CDU-së së kancelares Merkel. Programi i ri, i cili mbështetet te një sistem i ri tatimor, në taksën e sheshtë mbështetjen për bujqësinë etj. Cilat janë pikat kryesore që  bëjnë diferencën e programit të PS me qeverisjen e sotme?

Më lejoni t’ju korrektoj, ekspertët që merren me krijimin e politikave të zhvillimit ekonomik në partinë e CDU-së kontribuuan në ndërtimin e një programi për zhvillimin ekonomik të vendit. Programi ekonomik nuk është vetëm se adaptimi i politikave ekonomike të djathta me komponent të theksuar social për t’i dhënë hov ekonomisë që vitet e fundit ka rënë në një situatë stanjacioni në mos recesioni. Ai është i fokusuar në 7 fusha kyçe të tilla si: ekonomia e tregut, financat publike, arsimi, energjetika, infrastruktura, zhvillim rural dhe teknologjia e informacionit. Taksa e sheshtë është baza kryesore për të nxitur investimet vendase e të huaja, për të rritur punësimin e për të rikthyer besimin në ekonomi. Taksa e sheshtë do të bëjë të mundur dhe uljen e informalitetit të lartë që rezultoi nga rritja e taksave me 50 %. Ndërkohë që propozohet një ndryshim i skemës në bujqësi, ku subvencionet do të shkojnë tek fermeri dhe jo tek grosisti me qëllim kryesor rritjen e madhësisë së fermës dhe mbështetjen e kulturave sipas një analize të detajuar për çdo zonë. Teknologjia e informacionit dhe arsimi do të jenë në funksion të tregut të punës dhe përmirësimit të cilësisë së shërbimeve duke ofruar arsim universal për këdo që do të arsimohet në institucionet e arsimit të lartë publik. Energjia dhe infrastruktura janë planifikuar të jenë në funksion të zhvillimit ekonomik, nuk do të ketë më investime ineficente si qendra qytetesh që nuk sjellin zhvillim. Investimet do fokusohen në nxitjen e punësimit, lidhjet rajonale dhe ndihmën e ekonomisë si dhe eksporteve.

Besoni se fitorja e PD do vijë nga programi apo koalicionet?

Partia Demokratike do të hyjë në zgjedhjet e vitit 2017 me një aleancë sa më të madhe në numër forcash politike, por mbi të gjitha në aleancë me qytetarët për t’i dhënë fund shndërrimit të vendit tonë në një Kolumbi të Ballkanit. Programi i PD-së, është një ftesë për gjithë qytetarët që t’i bashkohen përpjekjes për të marrë në dorë të ardhmen e vendit. Përgjatë këtyre katër viteve, maxhoranca ka pasur mundësinë për të shpalosur të ashtuquajturin vizion rilindës dhe ajo çfarë ka dëshmuar ka qenë se ky vizion nuk ekziston. Ajo çfarë ekziston është vetëm dëshira e madhe e qeverisë për të kontrolluar pushtetin, për të mos njohur institucionet dhe për të abuzuar. Me paratë e shqiptarëve të thjeshtë që sot janë mbytur në taksa dhe tatime ndërsa një grup i vogël biznesesh kanë aksese të pafundme në fonde dhe jo vetëm pranë qeverisë.

Votimi dhe numërimi elektronik fillimisht u mbështet nga PD-ja, por u pa një tërheqje. Si do garantohen zgjedhje të lira nëse nuk kërkohen disa garanci shtesë nga maxhorancës

Zgjedhjet janë një kërkesë e jona, për të cilën nuk kemi ndërmend të bëjmë kompromis. Votimi dhe numërimi elektronik vazhdojnë të jenë kërkesa tonat, por siç të gjithë jemi dëshmitarë, qeveria është angazhuar në diskutime të tjera duke lënë qëllimisht pas dore ndryshimet e nevojshme elektorale. Jo më kot këto janë propozuar shumë kohë më parë, për t’i dhënë mundësi dhe zbatimit. Mjaft e kuptueshme kjo skemë kur në fund të ditës, qeverisë i intereson një gjendje e tillë kaotike për të përfituar sa më shumë në zgjedhjet e radhës. Maxhoranca ka heshtur edhe kur opozita ka dërguar në Komisionin e Reformës Zgjedhore propozime konkrete. Duke pasur parasysh këto premisa të Kryeministrit dhe qeverisë kemi kërkuar që zgjedhjet të jenë kusht dhe test për mazhorancën apo që ato të zhvillohen pa pasur në krye të qeverisë z.Rama.

SHKARKO APP