Tabaku: PD nuk mori ftesë për të qenë pjesë e delegacionit në Bruksel
Edi Rama dhe 25 delegatë të qeverisë ishin sot në Bruksel, në kuadër të konferencës së Parë ndërqeveritare, ku Bashkimi Europian hapi negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë. Por në tryezën e madhe të Europës munguan përfaqësues të opozitës.
Kryetarja e Komisionit Parlamentar të Integrimit, deputetja e PD-së, Jorida Tabaku thotë se nuk ka pasur asnjë ftesë. Për të me rëndësi është fakti që opozita ka një rol në procesin e integrimit europian, e cila nuk mund të zhbëhet me retorikë dhe propagandë.
“Nuk ka pasur asnjë ftesë për opozitën, por kjo nuk ka rëndësi. Rëndësi ka se çfarë roli duhet të luajë opozita në procesin e integrimit. Rolin e Partisë Demokratike dhe opozitës në procesin e integrimit nuk e zhbën dot askush, sado retorike, propagandë të përdoret. Unë e kam thënë që nuk duhet të varemi te vetoja bullgare. Duhet të përshtatemi me metodologjinë e re dhe duhet të përshtatemi me legjislacionin europian”, theksoi Tabaku për ”Euronews Albania”.
Mungesën e PD-së, kryeministri Edi Rama e lidhi me faktin që sipas tij nuk dihet ende se kush është në anën e opozitës në vendin tonë. “Më një format të përcaktuar nga Komisioni për gjithë trupën që do përfaqësonte Shqipërinë në tryezë. Mund të kishim kërkuar një ndryshim për të ftuar një përfaqësues apo më shumë se një, por kemi një problem, që ne nuk dimë se kush është kush në anën e opozitë”.