Tabaku për konferencën: Spektakël i sajuar nga Rama. Shqipëria është vendi më i korruptuar
Deputetja demokrate Jorida Tabaku, e quan një spektakël të sajuar nga kryeministri Edi Rama, konferencën antikorrupsion. Për të Shqipëria është vendi më i korruptuar, dhe uke akuzuar Ramën për inceneratorët, tenderat dhe korruspionin në dëm ekonomik të vendit, Tabaku shprehet se ai fshihet pas sajesave, ndërsa Parlamenti është kthyer në një noter të ligjeve me porosi të oligarkëve të përhershëm.
Postimi i plotë
Edhe sërishmi Shqipëria është vendi më i korruptuar. Mbreti i sajesave, Edi Rama, sot ka organizuar një tjetër lloj spektakli për t’i treguar shqiptarëve se ne nuk jemi vendi më i korruptuar në Europë. I njëjti njeri që e quajti raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit si të “pavlerë” dhe që ishte “copy-paste” u foli sot qytetarëve për betejën e tij kundër korrupsionit.
Ironike po të mendosh që sot një ish ministër, një deputet dhe drejtorë të lartë janë të arrestuar as më shumë e as pak por për korrupsion të nivelit të lartë. Akoma më ironike po të mendosh se lista e atyre që duhet të përfshihen në grupin e strukturuar kriminal duhet të zgjerohet edhe më shumë me ministra dhe kryetarë bashkie.
Por, kryeministri mendon ta fshehë kokën pas spektaklit dhe sajesave dhe riprodhon arritje imagjinare a thua se problemi jonë është korrupsioni në sportele. A mos vallë 430 mln euro për 3 inceneratorët që ende sot paguhen është korrupsion i sporteleve? A mos vallë thuajse 8 mld euro dëm ekoonomik në buxhetin e shtetit janë pasojë e korrupsionit në sportele?
1 në 3 tendera jepen pa garë ndërsa pjesa tjetër e tenderave jepet me një paracaktim aq të qartë saqë është bërë normë korrupsioni në tenderat publikë. Parlamenti është kthyer në një noter të ligjeve me porosi dhe kalohet çdo nismë ligjore që i ofron para qyl nga taksat e shqiptarëve oligarkëve të përhershëm.
Vetëm mbreti i sajesave mund të mendojë kështu! Të parët për korrupsion falë qeverisë më të korruptuar në histori! Prandaj sot nga drejtësia e re pritet më shumë, pasi në të vërtetë korrupsioni sot është gangrena e Shqipërisë pasi është në nivelin e elitës qeverisëse.
Këtë korrupsion e ndalon vetëm ndërhyrja e fortë dhe imediate e drejtësisë si dhe vullneti politik që qartësisht mbretit të sajesave i mungon. Prandaj sido të spërdridhet dhe sado të flasë apo dhe teorizojë kundër korrupsionit nuk mund të besohet, njeriu kryefajtor prej të cilit bashkëfajtorët e tjerë të korrupsionit livadhisin sot të qetë në xhepat e çdo shqiptari.