Tabaku: Procesi i Integrimit mbetet i bunkerizuar, veç kriteri gjeostrategjik i përmbushur
Gjatë mbledhjes së Komisionit të Çështjeve Europiane për Grupkapitullin 6, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ngriti shqetësimin se procesi i integrimit të Shqipërisë në BE po zhvillohet në një mënyrë të mbyllur dhe të bunkerizuar, duke injoruar bizneset dhe shumicën e shqiptarëve. Tabaku theksoi se deri më tani, i vetmi kriter i përmbushur është ai gjeostrategjik, ndërsa kriteret e tjera mbeten të papërmbushura dhe kërkojnë një analizë të thellë dhe një diskutim publik gjithëpërfshirës.
“Procesi i integrimit nuk mund të mbështetet vetëm në pozicionin gjeostrategjik të Shqipërisë. Është jetike që bizneset, shoqëria civile dhe qytetarët të përfshihen në këtë proces. Mbajtja e këtij procesi në dyer të mbyllura është një tjetër tregues i mungesës së transparencës nga ana e qeverisë. Bizneset shqiptare, të cilat janë motori i ekonomisë, nuk janë përfshirë në asnjë hap të këtij procesi. Diskutimet për kapitujt si tregtia e jashtme dhe marrëveshjet tregtare janë thelbësore për krijimin e një klime investimi, por qeveria vazhdon t’i injorojë”, theksoi deputetja demokrate, njëkohësisht kryetare e Komisionit për Çështjet e Europiane.
Për të mbajtja e këtij procesi vetëm në rrethe të ngushta zyrtarësh që udhëtojnë në Bruksel është e papranueshme dhe një dëm i madh për të ardhmen e vendit. “Ne nuk mund të kemi një proces që ekziston vetëm në letër, që udhëhiqet nga një grup i vogël zyrtarësh pa përfshirë bizneset dhe qytetarët shqiptarë. Kjo qasje i lë bizneset të papërgatitura për të përballuar sfidat dhe mundësitë e integrimit në BE”, u shpreh Tabaku.